Prof. Asoc. Dr. Ilir Kapaj
E-mail: ikapaj@ubt.edu.al; CV
Google Site I.Kapaj

ZËVENDËS REKTOR PËR MËSIMIN: PROF. ASOC. DR. ILIR KAPAJ

Ilir KAPAJ ka lindur në Fier në vitin 1975. Në Shtator të vitit 2001 ka përfunduar studimet e larta pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës, në Fakultetin e Bujqësisë, në Departamentin e Drejtimit të Agrobiznesit. Në shtator të vitit 2004 ka përfunduar studimet master në “Shkenca të Bujqësisë, Sigurisë Ushqimore dhe Menaxhimit të Burimeve Natyrore në Tropik dhe Subtropik”, Fakulteti i Bujqësisë, Universiteti Hohenheim, Shtutgart, Gjermani. Në vitin 2011 ka marrë gradën shkencore ‘’Doktor’’ në Ekonomiks Bujqësor në Universitetin e Hohenheim-it Stuttgart/Gjermani.

Fokusi i punimit të doktoraturës ka të bëjë me sistemet ndërkombëtarisht të njohura të menaxhimit të cilësisë dhe rëndësisë së aplikimit të këtyre sistemeve nga industria agropërpunuese në Shqipëri, si një faktor i rëndësishëm për të siguruar cilësinë dhe për të qenë konkurues në tregjet rajonale dhe ato europiane. Që nga maji i 2015-ës mban titullin “Profesor i Asociuar” marrë në Universitetin Bujqësor të Tiranës. Prej vitit 2001 ai është pedagog në Departamentin e Drejtimit të Agrobiznesit si përgjegjës për modulet Ekonomiksi Menaxherial dhe Menaxhimi i Cilësisë. Në periudhën 2012-2016 ka mbajtur postin e zv/dekanit dhe ka qenë përgjegjës për programin e Doktoraturës pranë FEA-s. Nga muaji prill 2016 deri në gusht 2020, ka mbajtur pozicionin e përgjegjësit të departamentit “Drejtim Agrobiznesi”. Në shtator të 2020-ës është emëruar zv/rektor për mësimin në Universitetin Bujqësor të Tiranës. Ai ka botuar 20 artikuj shkencorë dhe ka marrë pjesë në 28 konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare. Ka qenë dhe është i përfshirë në më shumë se 12 projekte kombëtare dhe ndërkombëtare dhe në më shumë se gjysmën e tyre ka qenë koordinator projekti. Fushat e interesit janë Menaxhim Agrobiznesi, Ekonomiksi Menaxherial, Menaxhimi i Fermave si dhe Menaxhimi i Cilësisë dhe Siguria Ushqimore.

PËRGJEGJËSITË & KOMPETENCAT:

Zëvendës rektori për mësimin ka këto detyra dhe kompetenca:

•  Organizon dhe kontrollon punën mësimore në nivel universiteti (UBT).

•  Ndjek hartimin dhe zbatimin e planeve dhe të programeve mësimore për ciklet e studimit (bachelor, master shkencor, master profesional, master ekzekutiv dhe doktoratë në fakultete dhe departamente).

•  Harton strukturën e vitit akademik për procesin mësimor në shkallë universiteti dhe ia paraqet Rektorit për miratim.

•  Në bashkëpunim me fakultetet e universitetit i paraqet Rektoratit kuotat dhe kriteret e pranimit në ciklin e parë, të dytë dhe tretë të studimeve.

•  Kontrollon dhe përgjithëson përvojën mësimore të departamenteve/fakulteteve të UBT-së gjatë procesit mësimor.

•  Përgatit në bashkëpunim me strukturat ndihmëse raportin e veprimtarisë mësimore të universitetit dhe ia paraqet Senatit Akademik për miratim.

Prof. Asoc. Erinda Lika
E-mail: elika@ubt.edu.al; CV

Google Site E.Lika

ZËVENDËS REKTOR PËR SHKENCËN DHE PROJEKTET: PROF. ASOC. DR. ERINDA LIKA

Erinda LIKA ka përfunduar studimet në Universitetin Bujqësor të Tiranës në vitin 2004 dhe është diplomuar “Mjek Veteriner” me rezultate shumë të larta duke marrë diplomën “Shkëlqyeshëm“.

Në mars të vitit 2005 u emërua asistent-pedagoge në lëndën “Kirurgji Veterinare“. Në vitin 2009 me temën: “Studimi i patologjive të kornesë në kafshët e shoqërimit” fiton gradën shkencore “Doktor” në Veterinari dhe në shkurt të vitit 2013 fiton titullin akademik “Profesor i asociuar”.

Në vitin 2009, Prof. Lika shërbeu si titullare e modulit Anestezia Veterinare pranë Fakultetit të Mjekësisë Veterinare dhe nga viti 2019 dhe në vazhdim është titullare e modulit të Farmakologjisë Veterinare dhe Farmakovigjilencës dhe Oftalmologji Veterinare pranë Grupit Mësimor-Kërkimor “Parazitologji farmakologji”. Në vitet 2012-2016 ka qenë kryetare e grupit kërkimor- shkencor “Sëmundjet e ripërtypsave dhe kirurgjia”. Aktiviteti botues i saj në formën e teksteve universitare, artikujve shkencorë (brenda dhe jashtë vendit), posterave, etj është mjaft i gjerë.

Prof. Lika ka kryer një numër të konsiderueshëm specializimesh dhe ka zhvilluar cikël leksionesh si lektore e ftuar në një sërë universitetesh të huaja të tilla si Fakulteti i Mjekësisë Veterinare Budapest, Fakulteti i Mjekëisë Veterinare Zagreb, Fakulteti i Mjekëisë Veterinare Perugia, Fakulteti i Mjekësisë Veterinare Estoni, Fakulteti i Mjekëisë Veterinare Milano, Universiteti i Mjekësisë Veterinare Vienë, Austri, etj, por gjithashtu në fushën e anestezi/oftalmologjisë kirurgjikale në kafshët e shoqërimit, farmakologji/oftalmologji, kirurgji e kafshëve të vogla etj.

Fusha kryesore e ekspertizës dhe kërkimit shkencor të saj është anestezia dhe patologjitë e syrit në kafshët e shoqërimit. Ajo ka sërë publikimesh nga të cilat dhe artikuj shkencorë të indeksuara në Impact factor ose Scopus në revista të njohura. Krahas publikimeve ajo ka realizuar një numër të konsiderueshëm referimesh dhe kumtesa në sesione shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare. Në maj të vitit 2010 ka qenë organizatore e Kongresit XVIII Ndërkombëtar të Federatës për Shëndetin dhe Prodhimtarinë e Ruminantëve (the XVIII Congress of Mediterranean Federation for health and production of ruminants), organizuar në Shqipëri.

Ajo ka marrë pjesë si koordinatore në disa projekte si ‘’Ceepus VetNest’’ dhe pjesëmarrëse në COST Combatting Anthelmintic Resistance in Ruminants, COST Action: CA18217 – “European Netëork for Optimization of Veterinary Antimicrobial Treatment” etj.

Gjatë periudhës 2016-2019 ka shërbyer si zv/dekane për shkollën e Doktoraturës pranë Fakultetit të Mjekësisë Veterinare dhe gjatë viteve 2019-2020 ka shërbyer si Dekane e Fakultetit të Mjekësisë Veterinare.

Prej datës 1 Shtator 2020 e në vazhdim është zv/rektore e Shkencës dhe Projekteve.

PËRGJEGJËSITË & KOMPETENCAT:

Zëvendës rektori për shkencën dhe projektet ka këto detyra dhe kompetenca:

•    Ndjek dhe kontrollon ecurinë e zhvillimit të punës shkencore në nivel universiteti (UBT).

•    Kontrollon punën për specializimet pasuniversitare afatgjata brenda dhe jashtë shtetit të punonjësve mësimorë-shkencorë të UBT-së.

•    Ndjek bashkëpunimin shkencor të njësive të UBT-së me institucione kërkimore-shkencore, universitete të tjera (brenda dhe jashtë vendit), firma, ndërmarrje prodhimi etj.

•    Organizon dhe harmonizon kryerjen e studimeve për zhvillimin perspektiv të Universitetit Bujqësor të Tiranës në fushën e kërkimit dhe ia paraqet Rektorit.

•    I paraqet Rektorit projektet e mundshme lidhur me punën shkencore.

•    Përgatit në bashkëpunim me strukturat ndihmëse raportin e veprimtarise kërkimore të Universitetit dhe ia paraqet Senatit Akademik për miratim.

Alban Ibraliu Foto Bio 200x250px

Prof. Dr. Alban Ibraliu
E-mail: albanibraliu@ubt.edu.al; CV

Google Site A.Ibraliu

ZËVENDËS REKTOR PËR MARRËDHËNIET ME INSTITUCIONET DHE PUBLIKUN: PROF. DR. ALBAN IBRALIU

Alban Ibraliu  është diplomuar “Biolog” në  Fakultetin e Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës në vitin 2001. Pas studimeve ka punuar si “Kërkues Shkencor”, pranë Institutit të Kërkimeve Biologjike, Akademia e Shkencave deri në vitin 2002. Nga viti 2002 ai është pedagog pranë Fakultetit të Bujqësisë dhe Mjedisit. Ka kryer studimet e doktoratës në Universitetin Bujqësor të Tiranës në periudhën 2004-2008.

Ka kryer studimet e Postdoktoraturës në Institutin e Permirësimit Gjenetik, Shkencave të Farave dhe Gjenetikës së Popullatave, Universiteti i Hohenheim, Shtutgart, Gjermani në periudhën 2009-2010. Mban titullin Profesor që prej vitit 2015 dhe zhvillon mësim në disa module: “Gjenetikë”, “Bioteknologji” dhe “Inxhineri Gjenetike e Bimëve”. Nga viti 2012 deri në Gusht 2020 ka mbajtur pozicionin e përgjegjësit të departamentit të “Shkencave Agronomike”. Në shtator 2020 është emëruar zv/rektor për Marrëdhëniet me Institucionet dhe Publikun në Universitetin Bujqësor të Tiranës.

Aktiviteti i kërkimit shkencor lidhet me studime në fushën e resurseve gjenetike të bimëve, studime të diversitetit gjenetik tek popullatat e bimëve mjekësore dhe aromatike, studime të diversitetit të të afërmve të egër të bimëve të kultivuara.  Ai ka organizuar dhe ka marrë pjesë në më shumë se 60 konferenca shkencore dhe është anëtar bordi editorial në disa revista shkencore. Prof. Ibraliu është autor i teksteve universitare dhe ka publikuar më shumë se 80 artikuj shkencor, 10 prej të cilave me faktor impakti. Ka marrë pjesë dhe ka drejtuar më shumë se 20 projekte kërkimore kombëtare dhe ndërkombëtare.(FAO, USAID, UNDP, GIZ, SIDA, Biodiversity International USAID, etj).

PËRGJEGJËSITË & KOMPETENCAT:

Zëvendës rektori për Marrëdhëniet me Institucionet dhe Publikun ka këto detyra dhe kompetenca:

•  Organizon dhe kontrollon ecurinë e bashkëpunimit bilateral të UBT-së me universitetet, institucionet dhe organizatat homologe brenda dhe jashtë vendit

•  Kontrollon dhe siguron së bashku me donatorët dhe institucionet e tjera mbështetëse mundësinë e fondeve për kërkimin dhe inovacionin teknologjik në UBT

•  Koordinon dhe kontrollon punën,  për promovimin e Institucionit: në Portalin e UBT, Newsletter e UBT

•  Kontrollon dhe siguron zbatimin me rigorozitet të rregullores se brandimit të UBT dhe siguron qëndrueshmërinë e kanaleve të komunikimit