Fakulteti i Mjekësisë Veterinare

Fakulteti i Mjekësisë Veterinare është një Fakultet unikal jo vetëm në Shqipëri por dhe në të gjitha trojet Shqiptare, duke u munduar të përmbushi misionin e tij për Mjekë veterinerë të kualifikuar.  Nga FMV janë diplomuar rreth 4000  mjek veteriner dhe deri në vitin 1994 pranë këtij fakulteti janë diplomuar dhe 2500 specialist Zooteknik. Vlen për tu përmendur fakti që pas viteve 90 në Fakultetin e Mjekësisë Veterinare janë diplomuar nga trojet Shqiptare 166 mjekë veteriner.

Shumica e Fakulteteve të Europës po mundohen të zbatojnë platforma të plota dhe koherente që synojnë në akreditimin e tyre në sistemin arsimor Europian dhe njohjen e plotë të diplomave të tyre. Pikërisht ky është dhe synimi ynë kryesor për ta lidhur Fakultetin tonë  me sistemin e  Edukimit veterinar që në vendet e Bashkimit Europian është pjesë e një netëork-u të gjërë që përfshin si vendet e zhvilluara dhe ato në zhvillim.

Vizioni ynë për zhvillimin e Fakultetit të Mjekësisë Veterinare bashkohet me vizionin Europian që e kupton edukimin veterinar si një proces në vazhdim, që nuk mbaron asnjeherë në momentin e përfundimit të studimeve dhe synon që të ndërtohet mbi tre pedana kryesore të cilat janë:

  • Rritja e nivelit të mësimdhënies.
  • Fuqizimi i punës kërkimore shkencore
  • Edukimi i vazhdueshëm veterinar

Këto tre sfida kërkojnë një bashkëpunim të plotë ndërmjet stafit pedagogjik, studentëve, autoriteteve drejtuese, Ministrisë së Arsimit, MBUMK,  Dhomës së veterinerëve si dhe të gjithë institucioneve shteterore dhe private që kanë sadopak lidhje me ketë Fakultet.

Ndonëse prej vitesh stafi pedagogjik ka bërë përpjekje të vazhdueshme individuale dhe kolektive për të ngritur si nivelin e mësimit ashtu dhe të njohurive që i jepen studentëve, mbetet shumë për të bërë sidomos  në këto momente kur përvojat e mësimdhënies në botë po përsosen vazhdimisht. Për shkak të një mangësie të vazhdueshme që ndjehet në edukimin veterinar për krijimin e një profili klinik tek studentët, mbetet detyrë e jona fuqizimi i praktikave klinike dhe lidhja e Fakultetit me praktikën e gjërë veterinare ku studentët të kenë mundësi të marin pjesë aktive në të gjitha fushat aplikimit veterinar.