FAKULTETI I EKONOMISË DHE AGROBIZNESIT

Fakulteti i Ekonomisë dhe Agrobiznesit (FEA) është një ndër fakultetet më të rëndësishme të Universitetit Bujqësor të Tiranës (UBT). Ai zë fill që nga viti 1971, me emërtimin Fakulteti i Ekonomisë Agrare dhe funksionoi si i tillë deri në vitin 1994, periudhë e cila përkon me ristrukturimin tërësor të UBT-së. Për pasojë Fakulteti i Ekonomisë Agrare u bë pjesë e Fakultetit të Bujqësisë me dy departamente përkatëse, Departamenti i “Drejtimit të Fermave dhe Agrobiznesit” dhe Departamenti i “Ekonomisë dhe Politikave Agrare”.

Ristrukturimi, i cili filloi në vitin 1994 dhe përfundoi në vitin 1998, u realizua me konsulencën e projektit SARA (American Support for Agricultural Restructuring in Albania) dhe kishte si objektiv themelor përgjigjen ndaj kërkesave të reja që do të ofronte zhvillimi i bujqësisë dhe i sistemit të agrobiznesit në tërësi.

Në vitin 2007, si pasojë e riorganizimit të Fakultetit të Bujqësisë, u krijua FEA, i cili ka aktualisht gjashtë departamente, Departamenti “Drejtim Agrobiznesit”, Departamenti “Ekonomisë dhe Politikave të Zhvillimit Rural”, Departamenti “Financë Kontabilitet”, Departamenti “Matematikë dhe Informatikë”, Departamenti “Menaxhim i Turizmit Rural” dhe Departamenti “Gjuhëve të Huaja”.

FEA është njesia kryesore më e madhe në UBT, me rreth 3000 studentë, 93 anëtarë të stafit akademik dhe 17 anëtarë të stafit ndihmës akademik, si dhe ofron aktualisht 16 diploma në të tre ciklet e studimit. FEA në përbërjen e tij përfaqëson njësinë më të rëndësishme të kërkimit dhe ekspertizës në fushën e ekonomisë dhe agrobiznesit. Ai ka në fokus jo vetëm edukimin shkencor e profesional të studentëve por edhe konsulencen dhe gjenerimin e ideve për zhvillimin e ekonomisë me orientim bujqësinë.