VIZITË E DELEGACIONIT NGA UNIVERSITETI BUJQËSOR I KINËS NË UNIVERSITETIN BUJQËSOR TË TIRANËS

Në datë 18.11.2019 Universiteti Bujqësor i Tiranës (UBT) u vizitua nga një delegacion nga Universiteti Bujqësor i Kinës (CAU). Kjo vizitë u organizua në kuadër të nismës “Një brez, një rrugë”. Mbështetur në këtë nisëm, Kolegji i Hortikulturës në CAU ka planifikuar të fillojë “Projektin e Shkëmbimit të Studentëve” me UBT. Ky projekt do të mbështesë studentë dhe të diplomuar në fushën e Hortikulturës nga CAU dhe UBT për të bërë një vizitë të shkurtër akademike në universitetet përkatëse jashtë vendit. Projekti është planifikuar të fillojë vitin e ardhshëm.

Për këtë qëllim, Zv/Dekania e Kolegjit të Hortikulturës në CAU, Prof. Zhang Xiaolan së bashku me 6 profesorë të këtij Kolegji vizituan UBT për të diskutuar mbi këtë projekt, si dhe për të shkëmbyer zhvillimet më të fundit në shkencën e Hortikulturës me anëtarë të stafit dhe studentë të Fakultetit të Bujqësisë dhe Mjedisit (FBM).

Vizita u realizua në mjediset e UBT. Delegacioni fillimisht u prit nga Rektori i UBT-së Prof. Dr. Bari Musabelliu. Prof. Musabelliu siguroi mbështetjen e plotë të UBT-së për këtë projekt duke shprehur gjithashtu bindjen se ky projekt do të sjellë përfitime në fushën e kërkimit shkencor për UBT.

Profesorët e ardhur nga CAU mbajtën disa leksione të fushës së hortikulturës me studentë të FBM. Temat e trajtuar ishin:

  1. Rrjeti rregullues i gjenit të variacionit të gjatësisë së frutave tek kastraveci, nga Prof. Zhang Xiaolan.
  2. Baza molekulare biologjike e përmirësimit gjenetik të kastravecit, nga Prof. Asoc. Liu Xingwang.
  3. Rrugët biologjike për ndryshimet e tokës në prodhimin e perimeve të mbrojtura, nga Asistent Prof. Xie Yue.

Në vijim të vizitës, delegacioni i CAU takoi stafin drejtues të FBM, ku u diskutuan më nga afër detajet për zhvillimin e “Projektit mbi Shkëmbimin e Studentëve”. Fillimisht, Dekani i FBM Prof. Dr. Fatbardh Sallaku bëri një prezantim të fakultetit, departamenteve dhe fushave të studimit që ky fakultet mbulon. Ai ritheksoi angazhimin dhe bashkëpunimin e plotë të stafit të FBM dhe pjesëmarrjen e studentëve në këtë projekt, duke qenë i bindur se ky bashkëpunim do të jetë i frutshëm dhe se do të sjell përfitime në fushën e kërkimit shkencornë të ardhmen.