UBT zgjeron bashkëpunimin me bizneset

Në kuadër të zhvillimit të panairit të punës “Ditë e hapur” organizuar në ambientet e kampusi t të UBT-së, u  zhvillua edhe takimi mjaft interesant ndërmjet përfaqësuesve të UBT-së dhe të bizneseve të ndryshme pjesëmarrëse në panair. Qëllimi i takimit ishte për të njohur bizneset më nga afër dhe më konkretisht më idetë dhe strategjitë konceptuale të universitetit në lidhje me bashkëpunimin e mundshëm dhe sa më të frytshëm me to në të ardhmen, por edhe për të dëgjuar prej përfaqësuesve të bizneseve, sugjerimet apo propozimet konkrete të tyre në këtë aspekt. Zëvëndësrektori për Marrëdhëniet më Institucionet dhe Publikun në UBT, Alban Ibraliu foli për një qasje të re të UBT-së në marrëdhënie me bizneset, për të cilët tha se janë partnerët më të qëndrueshëm për universitetin. Ai shtoi se suksesi i këtij universiteti varet ndër të tjera edhe nga marrëdhënia e krijuar me bizneset, nga urat e komunikimit të ndërtuara me to. Ibraliu theksoi se nevojitet një sinergji e përbashkët mes UBT-së dhe bizneseve për të marrë e për të dhënë mes palëve, për të patur më shumë efikasitet dhe sukses të dyanshëm.

Edhe një herë në fjalën e tij zëvendësrektori Ibraliu vuri theksin në faktin se UBT do të ofrojë marrëveshje të qëndrueshme me çdo biznes dhe se në UBT, këta të fundit do të gjejnë hapësirat e nevojshme dhe mbështetje maksimale për çdo mundësi, inisiativë apo ide që lidhet me sfidat e biznesit apo edhe për promovimin e shërbimeve në të ardhmen. Ndërsa garantoi se UBT do të jetë i pranishëm në çdo biznes të mundshëm për të krijuar ‘’ura’’ të reja komunikimi për një qasje të re dhe një frymë më të madhe bashkëpunuese me bizneset, Ibraliu tha se kjo lloj marrëdhënieje do të konkretizohet në terma konkrektë në të mirë të të dy palëve.

Për përfaqësuesit e ndryshëm të bizneseve u prezantua edhë një material  informues në lidhje me një panoramë të përgjithshme të asaj që ofron UBT sot, por edhe prej dekadash, për kapacitetet dhe resurset e shumta tek të cilat mund të mbështetet çdo biznes, për qasjen bashkëpunuese dhe strategjitë e mirëmenduara për të ardhmen dhe funksionalitetin sa më të mirë të këtij universiteti, për aspiratat që institucioni ka e të tjera.  Edhe në këtë aspekt, zv/rektori Ibraliu theksoi sërish se një universitet i shkencave të aplikuara siç është UBT, nuk mund të ketë sukses të plotë pa një dritare komunikimi me bizneset.

Gjatë materialit informues u prezantua gjithashtu edhe portali UBgreen.al, një iniciativë e Universitetit Bujqësor të Tiranës dhe si një media online krejtësisht e besueshme për informacionet që përcjell. Ibraliu garantoi se kjo media do të shërbejë si një dritare ku çdo biznes mund të promovojë produktin apo shërbimin që ofron po gjithashtu çdo biznes specifik,  mund të marrë ekspertizën e kërkuar apo të munguar për tema specifike në sektorë të ndryshëm.

Me moton “Partneritet me bizneset dhe në shërbim të bizneseve’’ përfaqësuesit e UBT-së në këtë takim që ngjalli mjaft interes, garantuan bizneset se UBT do të jetë gjithmonë një partner tek i cili mund të mbështeten në çdo formë bashkëpunimi.

Nuk munguan edhe sugjerimet e përfaqësuesve të bizneseve në lidhje me bashkëpunimet e mundshme, sektorët apo format  e mëtejshme të bashkëpunimeve duke përfshirë pa diskutim studentët, zhvillimin e praktikave të ndryshme profesionale, punësime aty ku ka hapësira dhe potenciale të mundshme, kontribut në dhënien e ekspertizave e të tjera.