UBT organizon Ditë Fushore pranë FDE, Valias

Universiteti Bujqësor i Tiranës, Fakulteti i Bujqësisë e Mjedisit organizoi pak ditë më parë në ambientet e Fermës Didaktike Eksperimentale në Valias, Tiranë, Ditën Fushore me temë “Praktikat e mira bujqësore”. Organizuar dhe ideuar si një aktivitet demostrues, kreativ, informues dhe mbi të gjitha mjaft praktik për specialistë të fushës, profesorë e pedagogë, studentë, agronomë, fermerë, blegtorë e të tjerë, ‘’Dita Fushore’’ mblodhi në terren shumë të pranishëm të cilët ndanë mes tyre opinionet apo eksperiencat respektive ndër vite, duke respektuar rigorozisht protokollet e përcaktuara anti-Covid 19, ndonëse në ambient të hapur.

 

Aktiviteti, një vlerë e shtuar e UBT-së, institucion i arsimit të lartë në Shqipëri që u rendit në vendin e parë për cilësinë e mësimit dhe shërbimit ndaj studentëve edhe gjatë mësimit online si dhe për përgatitjen dhe gatishmërinë e pedagogëve, sipas sondazhit të kryer nga Qëndresa Qytetare për tremujorin e parë të vitit akademik 2020-2021, tregon edhe një herë ambiciet e këtij universiteti për t’a ngritur më lart misionin e tij, për të konkretizuar praktikat që ofron në degë të ndryshme të studimit në të, për t’u ardhur në ndihmë jo vetëm studentëve/eve por edhe dhjetëra sektorëve në bujqësi e gjithësekujt që operon në të, për të rritur standartin e shërbimeve dhe produktivitetin, për  të shërbyer si një qendër kombëtare ekselence jo vetëm në mësimdhnëie por edhe në kërkime shkencore, etj. Në sajë të këtyre aktiviteteve, UBT synon të jetë sa më pranë jo vetëm mësimdhënies sa më cilësore dhe praktikave të mira për studentët, por gjithashtu për të qenë një organizëm në funksion të ekonomisë rurale dhe zhvillimit të bujqësisë.

 

Gjatë aktivitetetit u prezantuan dhe u demostruan mjete pune dhe mënyrat e duhura për proceset e mëposhtme: plehërimi dimëror; krasitja e pemëve frutore dhe ullirit si dhe mënyrat e mbrojtjes së bimëve dhe luftimit të dëmtuesve.

 

Ferma Didaktike Eksperimentale ofroi një sërë këshillash blegtorale dhe aktivitetesh interesante  në ambientet e saj përgjatë “Ditës Fushore”, të tilla si procesi i përzierjes dhe përgatitjes të ushqimit për gjedhët dhe jo vetëm. Ky proces u konkretizua nëpërmjet makinerive të posaçme, siç ishte në rastin konkret, mikseri. Në të, u përgatit nga ekspertë të fushës, ushqimi i thatë me elementë si: kashtë e thatë, tërshërë, jonxhë e thatë, njomishte, etj.

Në parcelat e mbjella me një sërë kultivarësh të ullirit, Prof. Dr. Fadil Thomaj demostroi modele të mira të mënyrave të ndryshme të krasitjes në pemën e ullirit.

UBT nëpërmjet kësaj ferme, siguron për punonjësit, studentët e vizitorë të ndryshëm edhe larmishmëri pajisjesh e mjetesh pune, mjaft të domosdoshme në bujqësi.

Në aktivitetin e zhvilluar në Fermën Didaktike Eksperimentale (FDE) morën pjesë; Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku, dekani i Fakultetit të Bujqësisë dhe Mjedisit, Prof. Dr. Ilir Kristo, zv/rektori për mësimin në UBT, Prof. Asoc. Dr. Ilir Kapaj, administratori i UBT-së, Edmond Tërthorja, drejtori i Fermës Didaktike Eksperimentale, Ali Rasha, pedagogë e të tjerë.

 

Cfarë është FDE?

Ferma Didaktike Eksperimentale (FDE) është njësia e zbatimit praktik të njohurive teorike të mara në të gjitha programet e studimit që ofrohen në UBT me vendndodhje në Valias. Ajo është në funksion të të gjitha njësive kryesore të Universitetit Bujqësor të Tiranës për zhvillimin e praktikave mësimore, profesionale, temave të diplomave të studentëve dhe kërkimit shkencor në funksion të programeve të doktorraturës. FDE është baza e zhvillimit të eksperimenteve shkencore dhe aplikimit të teknologjive bashkëkohore në fushën e shkencave bujqësore. FDE është njësi në varësi të Rektoratit të Universitetit Bujqësor të Tiranës.