Ambasadorja e Greqisë në vendin tonë viziton UBT-në

Rektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku priti më datë 21.01.2021 në një takim në ambientet e këtij universiteti, Ambasadoren e Greqisë në Shqipëri, znj. Sophia Philippidou. Tema e përgjithshme e takimit ishte “Perspektivat për bashkëpunimin”.

Shefja e diplomacisë greke në vendin tonë shoqërohej nga Sarandis Moschovis, Këshilltar për Çështjet Ekonomike dhe Tregtare, ndërsa në takim ishin të pranishëm gjithashtu zv/rektori për mësimin në UBT, Prof. Asoc. Dr. Ilir Kapaj, zv/rektorja e UBT-së për shkencën dhe projektet, Prof. Asoc. Dr. Erinda Lika, administratori i UBT-së, Edmond Tërthorja si dhe shefja e zyrës së marëdhënieve me jashtë në këtë universitet, Elsa Zela.

Prof. Sallaku duke falenderuar përfaqësuesit e ambasadës greke për vizitën në Rektorat, i njohu ata shkurtimisht me profilin e këtij universiteti, arritjet dhe sukseset e tij, kapacitetet dhe ambiciet për ta çuar në të tjera nivele edhe më të larta këtë institucion të rëndësishëm të arsimit të lartë jo vetëm në vend por edhe përtej kufijve. Në këtë kuadër, Prof. Sallaku shprehu gatishmërinë dhe disponibilitetin e tij por edhe të stafit akademik, për të zhvilluar projekte të reja bashkëpunimi me vendin fqinj, duke përmendur në veçanti universitetet e ngjashme në Greqi. Ai theksoi faktin se UBT si një institucion arsimor i fokusuar maksimalisht në mësimdhënie cilësore e në kërkim shkencor, ndaj si i tillë duhet të zhvillojë sa më shumë projekte bashkëpunimi për të rritur edhe më tej standartet profesionale, për të mundësuar punën kërkimore, për t’u krijuar studenteve/ëve mundësi studimi dhe praktikash apo të shkëmbimit të eksperiencave sa më të larmishme jashtë vendit etj.

Aktualisht Universiteti Bujqësor i Tiranës ka në funksion marrëveshje me 4 nga universitetet greke ndërsa të dyja palët në takim, shprehën vullnetin e përbashkët për të mundësuar dhe realizuar të tjera marëveshje bashkëpunimi në të ardhmen.

Rektori i UBT-së paraprakisht prezantoi dy ide bashkëpunimi të cilat mund të thellohen në të ardhmen si një e mirë e përbashkët ndërmjet universiteteve dhe dy vendeve respektive: bashkëpunim të ngushtë përsa i përket shkëmbimit të eksperiencave për studentët dhe pedagogët dhe themelimin e një aktiviteti të përbashkët, një organizim i cili mund të përmbajë një sërë aktivitetesh që lidhen me sektorin e bujqësisë, çështjet e mjedisit, të veterinarisë etj, si një formë e ndërsjellë e bashkëpunimit të përbashkët dhe ku UBT mund të vërë në dispozicion të gjitha kapacitetet.

Ndërkaq, Rektori i UBT-së kërkoi mbështetje financiare për studentët e Phd si dhe stafin akademik për t’u mundësuar përgatitje sa më efikase. Propozimet e Prof. Sallakut u mirëpritën nga përfaqësuesit e ambasadës së Greqisë në Shqipëri të cilët thanë se është e rëndësishme të gjenden partnerë bashkëpunimi në vendin fqinj për të konkretizuar idetë e paraqitura.

Në vijim të takimit, Këshilltari për Çështjet Ekonomike dhe Tregtare, Sarandis Moschovis, përmendi disa nga pika të rëndësishme që ndërlidhen me sektorin e bujqësisë për të cilat mund të kontribuojnë të tilla si: programet për kërkimin dhe teknologjinë; seminare të veçanta për studentë; çertifikime të ndryshme në sektorin e bujqësisë jashtë vendit; fusha të marketingut; treguesit gjeografikë që janë të rëndësishëm për eksportin e të tjera.

Në mbështetje të elementëve të sipërpërmendur, Prof. Ilir Kapaj theksoi faktin se vendi ynë ka treguar për cilësitë e produkteve vendase edhe në tregjet e huaja si ato europiane por edhe në atë amerikan. Ai tha se pikërisht disa nga këto produkte (siç është psh mjalti i prodhuar në veri të vendit) kanë shënjuar eksperienca pozitive në tregjet e huaja.
Ndërsa zv/rektorja, Prof. Asoc. Dr. Erinda Lika shtoi ndër të tjera se shkolla verore mund të jetë një ide e mirë që u vjen në ndihmë studentëve të të dy vendeve dhe që mund të konkretizohet në marëveshjet e bashkëpunimit mes dy shteteve.

Edhe një herë Prof. Sallaku theksoi faktin se universiteti ka nevojë për të siguruar fonde shtesë për të asistuar studentët, për stafin akademik, mësimdhënien, punën kërkimore e shkencore etj.

Prof. Dr. Fatbardh Sallaku si dhe mikpritësit e këtij takimit, në tërësi diskutuan me shefen e diplomacisë greke në vendin tonë mbi temat dhe propozimet e mëposhtme:

  • Riaktivizimin e marrëveshjeve të dakortësuara ndërmjet UBT dhe universiteteve greke me qëllim jetësimin dhë vënien në funksion të tyre;
  • Propozim-idenë për mbështetjen e 2 studentëve të doktoraturës në fushën e mjekësisë veterinare në modelin ‘’sandëich’’ dhe ‘’co-tutele’’ për të analizuar çështje me interes të përbashkët ndërkufitar;
  • Organizimin e një aktiviteti të përbashkët në bashkëpunim me Universitetin e Selanikut dhe atë të Korcës;
  • Organizim të shkollave verore në çështje të ndryshme që lidhen me sigurinë ushqimore, turizmin rural, mbrojtjen e mjedisit, etj.;
  • Mundësi për shkëmbim eksperiencash për stafin akademik dhe studentët në kuadër të projekteve Erasmus, Intereg, apo të marëdhënieve bilaterale;
  • Adaptim të eksperiencës së Shkollës Amerikane në Selanik si model për fermën e UBT-së, FDE.

Në fund të Rektori foli për kapacitetet që ka universiteti për të kontribuuar në ekspertizë, në trajnime, për të dhënë ndihmë të specializuar e të tjera, dhe këtë e demostron me përkushtim përballë instancave qeverisëse, donatorëve e kujtdo por sipas tij, ky institucion shumë i rëndësishëm arsimor dhe i vetëm në llojin e tij në vend, ka nevojë për mbështetje edhe më të madhe financiare.