Shkencat pyjore, dega e së tashmes dhe e së ardhmes

Dëmtimi masiv i hapësirave pyjore dhe nevoja imediate për specialistë në sektorin e pyjeve dhe të inxhinierëve pyjorë në territor për të parandaluar problematikat e shumta të këtij sektori, ishin disa nga temat e diskutuara në emisionin “Auditor Arsimi” në RTSH pak ditë më parë.
Ekspertë nga Universiteti Bujqësor i Tiranës, si Rektori i këtij institucioni, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku, përfaqësues të Fakultetit të Shkencave Pyjore si Dekani i tij, Prof. Asoc. Leonidha Peri dhe shefi i departamentit të pyjeve, Prof. Dr. Vath Tabaku dhanë opionionet e tyre në lidhje me një sërë problematikash. Sektori pyjor është gjithashtu një nga prioritetet e politikave qeveritare në këtë aspekt.
Profesorët e UBT-së e vunë theksin gjithashtu edhe tek reformimi i kurrikulave në institucionet arsimore në vend, të cilat kanë pësuar jo pak ndryshime për shkak të nevojave të tregut dhe efekteve ekonomike e sociale të ndodhura kohët e fundit. Universiteti Bujqësor i Tiranës si më i madhi në vend, ofron për studentët programe studimore në dhjetëra degë të rëndësishme në disa sektorë të jetës, ndaj dhe përfsaqësuesit e UBT-së, prezantuan disa prej tyre, të cilësuara pse jo, si degë të së nesërmes. Kështu, ata u ndalën tek domosdoshmëria dhe kërkesa e madhe e tregut për ekspertë në sektorin e pylltarisë dhe shkencat pyjore.
Ndër të tjera u diskutua edhe për një problematikë të madhe që ka prekur vendin tonë kryesisht pas viteve 90, siç është prerja e paligjshme e pyjeve. Si pasojë e këtyre veprimeve, reshjet e periudhës dimërore shkaktuan edhe përmbytje masive në Shqipëri. Sipas profesorëve, 45% e faktorëve që ndikuan në këtë situatë, ishte edhe prerja e pyjeve në këto zona.