Rama: UBT është një nga pikat më strategjike ku projektohet zhvillimi i vendit, ku jepet dija për një sektor që do të shkojë duke u zhvilluar.

Për mbështetjen e fermerëve me naftë pa akcizë, pa taksë karboni, pa taksë qarkullimi për punimet e mekanizuara në bujqësi, ku kanë përfituar rreth 20 000 fermerë nga e gjithë Shqipëria, për planet e qeverisë për sektorin e bujqësisë por me vëmendje edhe tek zhvillimet tek UBT, foli në ambientet e këtij universiteti, Kryeministri Rama në një takim ku ishin të pranishëm përveç stafit akademik të UBT-së, përfaqësuesve të MBZHR apo institucioneve në varësi, student/ë të UBT-së edhe fermerë nga vende të ndryshme të Shqipërisë.

Në fjalën e tij duke u përqëndruar tek universiteti ai shtoi se do të bëhen përpjekje për të rritur interesin e të rinjve për Universitetin Bujqësor i Tiranës, i cili deri më sot sipas tij, është parë me paragjykim.

‘’Besoj shumë që UBT është një nga pikat më strategjike ku projektohet zhvillimi i vendit, ku jepet dija për një sektor që do të shkojë duke u zhvilluar.

Për çdo vajzë dhe djalë që vjen në këtë universitet, ka mundësinë t’i krijojë vetes një fuqi të mjaftueshme për të hyrë në një treg që bëhet gjithmonë e më dinamik. Ka paragjykim për këtë universitet dhe për degë të caktuara, por nëse arrijmë të përçojmë mesazhin dhe përmbajtjen e mesazhit në lidhje me të kundërtën, ky interes do të rritet-theksoi Rama.

Ndërkaq Rektori i UBT-së në fjalën e mirëseardhjes shprehu falenderimet përkatëse që kreu i qeverisë bashkë me anëtarë të tjerë të qeverisë dhe jo vetëm, zgjodhën ambientet e universitetit për të shpalosur edhe një herë ecurinë e masave mbështëtëse për fermerët shqiptarë dhe për të prezantuar edhe disa nga politikat bujqësore në vend.

Prof. Dr. Fatbardh Sallaku tha se nga kjo skemë ndihmëse ka përfituar edhe vetë UBT duke e implementuar atë në fermën e universitetit.

Ai theksoi se promovimi i të tilla eventeve përsa i përket sektorit të bujqësisë,  është në dobi edhe të vetë universitetit pasi sa më shumë të promovohen ato, aq më shumë të rinj do të kenë interes për të zgjedhur të studiojnë në UBT.

Më tej Rektori i UBT-së foli për gatishmërinë e tij dhe atë institucionale për t’i ofruar strukturave të MBZHR të gjitha kapacitetet dhe potencialet që ka ky universitet për të gjitha shërbimet e nevojshme që ministria mund të kërkojë për të mirën e përbashkët.

Në emër të UBT-së, Prof. Sallaku theksoi se ky IAL është i gatshëm të ofrojë kontributin e tij në një sërë sektorësh të tillë si studimi agronomik i tokave, ngritjen e sistemit të regjistrave të fermave e të tjera. Ai përmendi edhe Bankën e Resurseve Gjenetike si një aset mjaft i rëndësishëm që mund t’i shërbejë një sërë programeve ndihmëse apo politikave të ndryshme të MBZHR. Të gjitha këto-shtoi Rektori i UBT-së, janë kontribute që i nevojiten jo vetëm palëve të përfshira, por edhe vetë ekonomisë së vendit dhe aspiratave integruese të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.