Për herë të parë në Shqipëri këtë vit akademik diplomohen në UBT studentë në “Arkitekturë peisazhi”

Për herë të parë në historinë e Shqipërisë, këtë vit akademik do të diplomohen arkitektë peisazhi në nivelin bachelor. Një gjë e tillë mundësohet në Universitetin Bujqësor të Tiranës dhe diplomimi i tyre do të realizohet me projekte origjinale. UBT prej vitesh punon për të ngritur infrastrukturën e nevojshme për mbështetjen e këtij programi në të dy nivelet e studimit.

Prej disa ditësh studentët e vitit të tretë të degës së arkitekturë peizazhit në Universitetin Bujqësor të Tiranës kanë nisur praktikën profesionale. Kështu, ferma didaktike e UBT-së, kampusi i universitetit dhe “Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit” në Bashkinë e Tiranës janë vendet kryesore ku kryhet praktika. Fillimi i praktikës së këtyre studentëve por edhe rikthimi në auditore i studentëve të tjerë të këtij kampusi me 5 fakultete mjaft të rëndësishme ka pa diskutim mbështetjen e rektoratit dhe të gjithë stafit akademik të cilët u urojnë atyre suksese në karrierën profesionale por edhe në përpjekjet e pandërprera të rritjes së nivelit të arsimimit.

Sot mijëra studentë të UBT, të regjistruar në 5 fakultetet e tij, nisën mësimin në auditoret e këtij universiteti. Pas ndërprerjes disamujore të mësimit dhe frekuentimit online të tij, për shkak të pandemisë së COVID 19, studentë e pedagogë/e do të mund ta përfundojnë këtë vit akademik duke mbushur sallat e fakulteteve për kohën e mbetur në dispozicion. Më herët Rektorati i universitetit kërkoi marrjen e masave nga të gjitha fakultetet e UBT-së për të zhvilluar orë konsultimi dhe provimet në auditor për ciklin e parë Bachelor dhe ciklin e dytë Master, duke filluar nga data 31 maj 2021 dhe deri në fund të semestrit.

Sipas urdhrit të Rektorit është kërkuar që të gjithë pedagogët të fokusohen në përfundimin e ciklit teorik të moduleve gjatë kohës së mbetur të zhvillimit të mësimit online, në mënyrë që gjatë orëve në auditor të zhvillohen praktika, seminare, punë laboratorike dhe konsultime. Pavarësisht të gjitha masave të ndërmarra nga Rektorati, është parashikuar gjithashtu edhe respektimi i të gjitha akteve rregullatore lidhur me masat dhe protokollet higjeno-sanitare për parandalimin e përhapjes së COVID 19, duke iu referuar edhe ndryshimeve të parashikuara së fundmi nga autoritetet shtetërore për këtë çështje, në mënyrë që të garantohet mbyllja me sukses e vitit akademik 2020-2021.