Hapet programi i studimit në Master Ekzekutiv “Planifikim dhe zhvillim ekonomik territorial i zonave rurale” në Universitetin Bujqësor të Tiranës

 

U zhvillua sot ceremonia për hapjen e studimeve në Masterin Ekzekutiv në “Planifikim dhe zhvillim ekonomik territorial i zonave rurale” pranë Fakultetit të Ekonomisë dhe Agrobiznesit të UBT-së.

Në takimin e rastit morën pjesë Rektori i UBT Prof. Dr. Fatbardh Sallaku, Rektori i Universitetit ‘’Fan S. Noli’’ Korçë (UNIKO) Prof. Dhimitri Bello, Dekani i Fakultetit të Ekonomisë, Biznesit dhe Zhvillimit të Universitetit Evropian të Tiranës (UET) Prof. Asoc. Dr. Elvin Meka, Dekani i Fakultetit të Ekonomisë dhe Agrobiznesit Prof. Dr. Remzi Keco si edhe koordinatorja e projektit ‘’Erasmus + Smart Al’’ znj. Magali Maire nga CIHEAM-Iam Montpellier Francë, pedagogë dhe studentë.

Rektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës, theksoi rëndësinë strategjike për UBT-në të këtij programi studimi, i pari i llojit të tij në arsimin e lartë në Shqipëri, që tregon edhe njëherë kërkesën e UBT-së për të qenë një institucion i arsimit të lartë që synon inovacionin dhe ekselencën.

Të ftuarit nga UNIKO dhe UET theksuan rëndësinë e bashkëpunimit universitar midis IAL-ve dhe rëndësinë e këtij programi studimi si një udhërrëfyes për programe të ngjashme në institucionet e tyre.

Dekani i FEA-s, Prof. Dr. Remzi Keco, nënvizoi faktin se ky program studimi është një arritje e rëndësishme për FEA-n sepse ofron eksperiencën më pozitive në fushën e administrimit të territorit në nivel evropian me pjesëmarrjen e 4 universiteteve evropiane nga Franca, Gjermania dhe Greqia.

Koordinatorja e projektit ‘’SmartAl’’ që ka mbështetur ndërtimin e këtij programi studimi, znj. Magali Maire, theksoi edhe një herë risitë metodologjike dhe urat e bashkëpunimit akademik të cilat mundësuan ndërtimin e këtij masteri.

Ndërkaq përgjegjësi i departamentit Prof. Asoc. Dr. Fatmir Guri, bëri një prezantim të shkurtër të moduleve dhe organizimit të tyre.

Masteri ekzekutiv ‘’Planifikim dhe zhvillim ekonomik territorial i zonave rurale”, është i organizuar në dy vite dhe 11 module dhe i drejtohet eskpertëve të administrimit të territorit në nivel qendror dhe lokal. Ai është një program i ciklit të tretë. Në vitin e parë të aplikimit, modulet e masterit do të zhvillohen nga pedagogë evropianë të mbështetur nga pedagogë shqiptare.