GIZ Albania dhe ekspertët mikrobiologë gjermanë vizitë në UBT për laboratorin e SARS CoV-2

Në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Universitetit Bujqësor të Tiranësdhe GIZ Albania për ngritjen dhe ndërtimin e një laboratori të mirë pajisur në ambientet e UBT-së dhe që do të mundësojë kryerjen e një sërë analizash dhe projektesh shkencore për/rreth SarsCoV-2, përfaqësues të GIZ prezantuan sot disa nga aspektet kryesore të projektit. Bëhet fjalë për projektin “COVID 19- Sistemi i paralajmërimit të hershëm (në kohë)’’, marrëveshja për të cilin u finalizua pak javë më pare mes palëve.

Dr. Gabriele Lames- Menaxhere e Programit për Ujin në GIZ, tha se gjatë pandemisë së COVID 19 janë vënë re një sere problematikash në menaxhimin e situates dhe në veçanti në detektimin e vatrave (në vendet me ujëra të ndotura kryesisht por jo vetëm) që mund të ndikojnë në përhapjen e virusit dhe se për këtë arsye nevojitet më shumë punë për të garantuar cilësi dhe efikasitet në gjetjet që do të mundësohen nga analizat e kryera në ujërat e ndotura.

GIZ Albania falë edhe marrëveshjes së nënshkruar mes palëve do të mundësojë ndërtimin dhe pajisjen me aparatura të një cilësie të lartë në UBT si dhe sigurimin e ekspertizës më të mire nga Gjermania.

Prof.Dr. Andreas Tiehen, pergjegjësi i departamentit të bioteknologjisë mjedisore dhe biologjisë molekualare në TZË: DVGË-Technologiezentrum Ëasser së bashku me mikrobiologen Claudia Stange, prezantuan me detaje projektin dhe rezultatet e arritura pas implementimit dhe zbatimit të tij në Karlsruhe, Gjermani. Ata prezantuan në mënyrë të detajuar të gjithë projektin e zbatuar në detektimin e virusit Sars COVID, protokollet laboratorike, identifikimin e hot spot-eve, etj

Ndërkaq edhe zv/rektorja për Shkencën dhe Projektet në UBT, Prof. As. Dr. Erinda Lika falenderoi përfaqësuesit e GIZ dhe ekspertët e ardhur nga Gjermania për kontributin e tyre të çmuar në këtë projekt dhe në emër të institucionit ajo garantoi zbatueshmërinë e projektit në nivelet më të larta dhe impenjimin maksimal të stafit të UBT për të finalizuar me sukses këtë projekt me rëndësi kombëtare.

Pas diskutimeve mes palëve, vizita e përfaqësuesve të GIZ Albania dhe ekspertëve gjermanë vijoi në Laboratorin e Agromjedisit dhe Ekologjisë në UBT ndërsa u njohën edhe me ambientet ku do të ndërtohet laboratori i ri për SARS CoV-2.

Sistemi i paralajmërimit në kohë të COVID 19 do të përgatitet nga Universiteti Bujqësor i Tiranës dhe do të shërbejë për detektimin e përhapjes së viruseve apo si një indikator i baktereve në ujërat e ndotura. Ky hulumtim do të shërbejë për të informuar institucionet publike që të ndërmarrin masat e duhura për të parandaluar përhapjen e sëmundjeve në kohë reale. Universiteti Bujqësor i Tiranës do të jetë i pari institucion kërkimor universitar në rajon i cili do të ketë një laborator dedikuar sistemit të paralajmërimit të COVID 19.

Përfaqësuesit e GIZ Albania u pritën nga zv/rektorja për Shkencën dhe Projektet, Prof. Asoc. Dr. Erinda Lika; zv/rektori për Mësimin, Prof. Asoc. Dr. Ilir Kapaj; zv/rektori për Marrëdhëniet me Institucionet dhe Publikun, Prof. Dr. Alban Ibraliu; dekani i FBM, Prof. Dr. Ilir Kristo dhe Prof. Dr. Seit Shallari.

Ky projekt është financuar nga Ministria Federale për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (BMZ) nëpërmjet GIZ Albania.