UBT inauguron Fushën Eksperimentale të Bimëve Aromatike dhe Mjekësore në Valias

UBT inauguron Fushën Eksperimentale të Bimëve Aromatike dhe Mjekësore në Valias

 

Universiteti Bujqësor i Tiranës zhvilloi sot ceremoninë e inaugurimit të Fushës Eksperimentale të Bimëve Aromatike dhe Mjekësore në Valias. Ngritja e kësaj fushe është mundësuar nëpërmjet projektit ‘’Forcimi i burimeve njerëzore dhe kapaciteteve institucionale për zbatimin e Protokollit të Nagoyas’’, (Global ABS), financuar nga GEF dhe zbatuar nga PNUD në bashkëpunim me ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit.

Ferma Eksperimentale Didaktike e UBT-së në Valias, është e para e këtij lloji në vendin tonë dhe synon të ndihmojë në ngritjen dhe forcimin e kapaciteteve të stafit akademik dhe studentëve të UBT-së, duke krijuar mundësi për zhvillimin e veprimtarive kërkimore shkencore, të sigurojë aftësi praktike teknike dhe mbështetje për mësimdhënie nga stafi akademik dhe të sigurojë përvojë për studentët.

Në ceremoni morën pjesë; Rektori i UBT-së, zëvendësdrejtori i UNDP-së në vendin tonë z.Nuno Queiros, përqaqësues të ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, përfaqësues të biznesit, kompanive e oranizatave të ndryshme shqiptare dhe të huaja, dekanë e pedagogë/e nga Universiteti Bujqësor, specialist/e të fushës, studentë e të tjerë.

Në fjalën e hapjes, Prof.Dr. Fatbardh Sallaku në cilësinë e rektorit të UBT-së, duke e cilësuar bujqësinë si një ndër sektorët më të rëndësishëm ekonomikë në vend, theksoi se Fusha Eksperimentale është një aset i rëndësishëm jo vetëm për UBT-në por edhe aktorë të tjerë si donator, biznese e organizma shqiptarë dhe të huaj. z. Sallaku u bëri thirrje të pranishmëve, kryesisht donatorëve si GIZ, FAO, PNUD, SNV etj, por jo vetëm, që të vazhdojnë të kontribuojnë financiarisht për të tilla projekte kaq inovative dhe të rëndësishme si një e mirë e përbashkët e komunitetit. Sipas tij, ngritja e një fushe të tillë tregon për përpjekjet e vazhdueshme të UBT-së, për angazhimin serioz dhe objektivat po aq ambicioze të Universitetit Bujqësor, në konkretizimin e ideve dikur në letër, por tashmë të bëra realitet. “UBT- tha Prof. Sallaku – ka qenë dhe do të jetë gjthmonë një partner shumë i mirë bashkëpunimi dhe dinjitoz jo vetëm në fushën shkencore por edhe në zbatimin e projekteve me synim zhvillimin ekonomik’’. Në këtë kuadër ai siguroi pjesëmarrësit, donatorët dhe përfaqësues të tjerë të biznesit, se investimet e tyre zbatohen në mënyrën më efektive dhe të sigurtë për të mirat komunitare. Ndër të tjera ai siguroi të pranishmit se Universiteti Bujqësor i ka kapacitetet për të krijuar ura komunikimi të suksesshme me partnerë të ndryshëm në kuadër të një bashkëpunimi të frytshëm.

Puna e mirë për ngritjen e kësaj fushe eksperimentale, pasioni dhe përkushtimi i secilit që punon në të, u vu në dukje edhe nga zëvendëspërfaqësuesi i PNUD në Shqipëri, z. Nuno Queiros. Në fjalën e tij, z. Queiros garantoi angazhim dhe përkushtim edhe më të madh në të ardhmen për të mbështetur UBT-në në të tilla nisma dhe jo vetëm.

‘’Jam i lumtur që për herë të parë shoh se është e mundur të krijojmë mekanzima për dy elementë siç janë; miratimi i informuar paraprak dhe kushtet e dakordësuara në mënyrë reciproke, ndërmjet ofruesve dhe përdoruesve të burimeve gjenetike në nivel vendor. Kjo bën të mundur që komunitetet vendore të cilët ofrojnë burime gjenetike në nivel vendor, të kenë kuadrin e duhur ligjor për të patur përfitime’’-tha përfaqësuesi i PNUD. z. Queiros theksoi se ndarja e drejtë dhe e barabartë e përfitimeve ndërmjet përdoruesve dhe ofruesve të burimeve gjenetike, do të krijojë mundësi ekonomike duke promovuar kërkimin dhe zhvillimin, siç ishte rasti i Fushës Eksperimentale, por edhe në bioteknologji,e në këtë mënyrë do të japë edhe një kontribut drejtpërdrejtë në arritjen e objektivave të qëndrueshëm. Zëvendëdrejtori I PNUD shtoi se investimi në një të ardhme të qëndrueshme, fillon tek arsimi. Për këtë arsye ai vlerësoi faktin që ky organizëm bashkëpunon me UBT-në për të mbështetur stafin, por edhe studentët pasi janë e ardhmja e këtij vendi.

‘’Ngritja për herë të parë e kësaj fushe eksperimentale të bimëve aromatike dhe mjekësore, na ndihmon që të rrisim aftësitë teknike dhe të mbështesim stafin akademik me përdorime në natyrë dhe u jep studentëve mundësi praktike mbi atë se çfarë kanë mësuar’’- tha z. Queiros.

Pjesë e ceremonisë së inaugurimit të Fushës Eksperimentale ishin dhe përfaqësues të ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, si një nga institucionet që kanë mundësuar ngritjen e kësaj fushe. Klodiana Marika, drejtore e programeve të zhvillimit të mjedisit, ndërsa falenderoi Universitetin Bujqësor të Tiranës dhe PNUD-in për punën e bërë deri tani, tha se ngritja e një fushe të tillë do të shërbeje si një mbështetje, si një shembull që të gjitha ligjet e politikat që bëhen në këtë drejtim, për zbatimin e protokollit të Nagoyos, të gjejnë terrenin e tyre dhe më pas të replikohet. Duke falenderuar UBT-në për bashkëpunimin, znj. Marika e përfundoi fjalën e saj me shpresën që të bëhen përpjekje të vazhdueshme që fusha e mjedisit të marrë përparësi edhe në kurrikula, duke u specifikuar edhe më tepër me qëllim që ata njerëz të cilët dalin në të ardhmen nga këto universitete, të ndihmojnë në mbrojtjen e mjedisit dhe në të gjitha fushat e jetës.

Nuk mungoi në ceremoninë e inaugurimit të Fushës Eksperimentale të Bimëve Aromatike dhe Mjekësore mbështetja e menjëhershme dhënë nga partnerë të biznesit vendas, të tillë si z. Xhevit Hysenaj, Administrator i kompanisë “Albkalustyan” dhe kryetari i EPCA (Shoqata e Kultivimeve të bimëve Eterovajore, prodhuesve dhe eksportuesve të esencave të tyre) dhe z. Filip Gjoka, Administrator i kompanisë Gjoka sh.p.k. dhe Kryetar i Shoqatës së Bimëve Mjekësore dhe Aromatike të Shqiperisë (AMAP), të cilët shprehën gatishmërinë për të vijuar bashkëpunimin me UBT-në.