FSHP dhe FBM organizojnë takim për njohjen e institucioneve të Bashkisë Tiranë tek studentët

FSHP dhe FBM në UBT në bashkëpunim me Zyrën e Këshillimit të Karrierës në Bashkinë e Tiranës zhvilluan sot takimin me temë “Një ditë në universitet’’ i cili kishte për qëllim prezantimin e institucioneve të Bashkisë Tiranë tek studentët, objektivave dhe shërbimeve që ato ofrojnë. Bashkëpunimin me Bashkinë e Tiranës e vlerësoi në fjalën e përshëndetjes edhe Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku i cili artikuloi edhe rëndësinë që kanë në veçanti degë të tilla si inxhinieria pyjore, menaxhim mjedisi, urbanistika, arkitektura e peisazhit, hortikultura, kopshtaria e shumë të tjera, sektorë që ndërlidhen drejtpërsërdrejti me një sërë shërbimesh të ofruara në bashkinë më të madhe në vend.

Dekani i FSHP, Prof. Dr. Leonidha Peri  dhe drejtues të këtij institucioni arsimor e cilësuan këtë takim mjaft të rëndësishëm dhe në të mirë të studentëve të cilët patën rastin të njihen më nga afër me hapësirat orientuese dhe mundësitë e punësimit që ofron bashkia më e madhe në vend.  Studentë të shumtë të Fakultetit të Shkencave Pyjore u njohën dhe u prezantuan me punën dhe shërbimet që ofrojnë një sërë sektorësh e departamentesh në Bashkinë Tiranë dhe që në të ardhmen e afërt mund të jenë jo vetëm vend i zhvillimit të praktikave të tyre por edhe i punësimit. Fakulteti i Shkencave Pyjore i cili synon të realizojë edukimin profesional e shkencor të studentëve të tij në nivelin më të lartë cilësor, synon gjithashtu që nëpërmjet të tilla eventeve t’u krijojë studentëve mundësi kontakti të drejtpërdrejta me punëdhënës në mënyrë që të njihen akoma më mirë me nevojat e tregut të punës.

Ndër të tjera studentët u njohën me shërbimet që ofron Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve Sociale në Bashkinë Tiranë, Drejtoria e Përgjithshme e Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit, ajo e Pastrimit dhe Gjelbërimit, Drejtoria Teknike dhe Transportit, Drejtoria e Përgjithshme e Objekteve Publike si dhe me Zyrën e Këshillimit të Karrierës në këtë bashki.

Përfaqësuesit e Bashkisë Tiranë bënë më dije se janë gati të presin studentët për t’u paraqitur në zyrat përkatëse, të dorëzojnë cv-të dhe letër motivimet, të regjistrohen në sistem dhe më pas drejtoritë përkatëse do të bëjnë alokimet në sektorët e tyre. Ndërkaq të dy institucionet po pregatiten për nënshkrimin e një marrëveshjeje konkrete.

Palët e pranishme në takim garantuan njëri-tjetrin për bashkëpunime të mëtejshme si dhe mbështetje për studentët e FSHP dhe FMV në UBT me dëshirën e mirë për të gjeneruar cilësi, profesionistë dhe shërbime më të mira komunitare.