Fjalimi i z. Nuno Querios, zv Përfaqësues i Përhershëm i UNDP në Shqipëri

 

Mirëmëngjesi të gjithëve.

 

Më lejoni të falenderoj Rektorin për ftesën por edhe të falenderoj kolegët nga FAO. Është gjithmonë kënaqësi që shoh kolegë nga njësitë e tjera të kombeve të bashkuara këtu, kolegë nga GIZ dhe më lejoni të falenderoj të gjithë kolegët e ekipit tim të cilët kanë qenë krah meje dhe më kanë ndihmuar gjatë gjithë kësaj kohe.

Jam shumë i lumtur që jam këtu sot jo vetëm për arsyen primare, pra për atë për cilën kemi ardhur, por edhe sepse festojmë 10-vjetorin e protokollit të Nagoyas. Është bukur të shohësh pasionin dhe përkushtimin e të gjithëve që punojnë në këtë fushë unike.

Angazhimi ynë jo vetëm në këtë fushë por edhe në fushën e biznesit, pra për të çuar një hap më tej këtë projekt siç e përmendi edhe Rektori, përkushtimi dhe puna jonë do të jenë maksimale për t’ju mbështetur në të ardhmen.

Jam i lumtur që për herë të parë shoh se është e mundur të ngrejmë apo të krijojmë mekanizma për dy elementë siç janë; miratimi i informuar paraprak dhe kushtet e dakordësuara në mënyrë reciproke, ndërmjet ofruesve dhe përdoruesve të burimeve gjenetike në nivel vendor.

Kjo bën të mundur që komunitetet vendore të cilët ofrojnë burime gjenetike në nivel vendor, të kenë kuadrin e duhur ligjor për të patur përfitimet përkatëse.

I gjithë ky proces, e gjithë kjo punë, gjithashtu edhe baza ligjore bëjnë të mundur që të identifikojë dhe ta bëjë sa më funksional dhe operacional një rrjet të mekanizmave apo institucioneve të përshtatshme për implementimin e protokollit të Nagoyas.

Ne si UNDP dhe unë besoj se mund të flas edhe në emër të kolegëve të tjerë këtu, jemi shumë të gëzuar dhe të kënaqur që kemi mundësinë të asistojmë qeverinë në zhvillimin dhe forcimin e sistemit të tyre kombëtar të ndarjes së përfitimit të aksesit dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë.

Në vijim do të doja të ritheksoja që ndarja e drejtë dhe e barabartë e përfitimeve ndërmjet përdoruesve dhe ofruesve të burimeve gjenetike do të krijojë mundësi ekonomike duke promovuar kërkimin dhe zhvillimin, pra ngjashëm me aktivitetin e ditës së sotme, por edhe në bioteknologji, në këtë mënyrë do të japë edhe një kontribut të drejtpërdrejtë në arritjen e objektivave të qëndrueshëm.

Do doja të trajtoja dy çështje të fundit; e para, ne besojmë fort se investimi në një të ardhme të qëndrueshme fillon tek arsimi, dhe për këtë arsye e përmenda më herët dhe e ritheksoj se jemi shumë të lumtur që kemi mundësi të bashkëpunojmë me UBT-në për të mbështetur stafin, por më lejoni t’ju them, z. Rektor se duhet të mbështesim edhe studentët sepse janë e ardhmja e këtij vendi.

Duhet të lejojmë tërësinë e mendjeve të tyre brilante që të kërkojnë e punojnë për zhvillime shkencore.  Në këtë kuadër kemi mbështetur edhe Bankën e Geneve për zhvillimin e bazës së të dhënave të burimeve gjenetike dhe identifikimin e specieve bimore të cilat kanë një potencial të madh për bioperspektivën.

Ngritja për herë të parë e kësaj Fushe Eksperimentale të Bimëve Aromatike dhe Mjekësore, na ndihmon që të rrisim aftësitë teknike dhe të mbështesim stafin akademik me përdorime në natyrë dhe u jep studentëve mundësi praktike mbi atë se çfarë kanë mësuar.

Dhe sërish, siç e përmendet dhe ju z. Rektor, kjo i jep mundësi sektorit të kërkimit dhe sektorit akademik që të jetë më pranë biznesit, në mënyrë që të bashkëpunojnë edhe më shumë në të ardhmen për të patur rezultate sa më të qëndrueshme.

Çështja e fundit që doja ta trajtoj, ka të bëjë me situatën jo ideale në të cilën ndodhemi e që lidhet me pandeminë COVID 19, por është e rëndësishme dhe interesante të kuptojmë se si pandemia na ndihmon ose na kujton rëndësinë e burimeve gjenetike për sigurinë ushqimore, për shëndetin publik, për ruajtjen e biodiversitetit dhe për përshtatjen e ndryshimeve klimatike.

Personalisht nuk e dija këtë fakt para se të vija këtu por pothuajse gjysma e barnave në fazë klinike të cilat testohen për COVID 19, janë barna të cilat e kanë origjinën e tyre nga bimët.

Dhe sigurisht me këtë nuk dua që të them se kura për këtë sëmundje gjendet këtu, por jam i bindur se Shqipëria do të zhvillojë dhe do të ecë edhe më tej fuqishëm në prodhimin, zhvillimin dhe tregtimin e produkteve që vijnë nga bimët aromatike dhe medicinale dhe rrjedhimisht do të ketë një potencial të jashtëzakonshëm për të kontribuuar më pas në rritjen ekonomike dhe përmirësimin e jetesës.

 

Faleminderit shumë të gjithëve.