FJALIMI I REKTORIT TË UNIVERSITETIT BUJQËSOR TË TIRANËS, PROF. DR. FATBARDH SALLAKU

Të nderuar zonja dhe zotërinj dhe Senatorë,

Të nderuar zotërinj Dekanë të porsazgjedhur,

I nderuar zoti Administrator,

Të nderuar anëtarë të Bordit të Administrimit,

Të nderuar zv./Rektorë,

I nderuar Prof. Musabelliu, ish rektor

Të nderuar pjesëmarrës

Mirëmëngjes dhe faleminderit shumë për praninë sot në këtë takim të parë të Senatit Akademik të UBT-së, ku merr udhë rrugëtimi i ekipit të ri drejtues për katër vitet e ardhëshme.

Unë së pari do të doja të shpreh falënderimet e mia të përzemërta për të gjithë kolegët dhe studentët për mbështetjen e tyre, për të më besuar drejtimin e UBT-së.

Jam shumë i nderuar që do të kem mundësinë të shërbej për këtë Universitet, si një ndër Institucionet më prestigjoze të arsimit të lartë në vend.

Unë besoj dhe Ju siguroj që e ardhmja do të udhëhiqet nga një marrëdhënie besimi dhe mirëkuptimi ndërmjet autoritetetit të Rektorit, strukturave drejtuese të rektoratit, Senatit akademik, Administratorit dhe Bordit të Administrimit, strukturave të zgjedhura në çdo fakultet, si dhe strukturave të ndryshme të qeverisjes qendrore dhe vendore, të cilat unë i konsideroj vendimtare për arritjen e objektivave që ne i kemi vendosur vetes.

Përshëndes Prof. Musabelliun, dhe shfrytëzoj rastin ta përgëzoj dhe falenderoj për punën e palodhur dhe shume pasionante në drejtimin dhe fuqizimin e rolit të Universitetit Bujqësor në 4 vitet e shkuara.

Përshëndes dhe vlerësoj shumë praninë e anëtarëve të Bordit, me të cilët shpresoj që bashkëpunimi dhe mirëkuptimi të vazhdojë siç ka qenë edhe në vitet e shkuara.

Falenderim i veçantë shkon për Administratorin e Universitetit z. Tërthorja dhe ekipin e tij për punën e bërë deri më sot dhe për sfidat që do të na presin për katër vitet e ardhëshme.

Përshendes dhe falenderoj 3 zv/Rektorët (Prof. Kapaj, Prof. Lika, Prof. Ibraliu), që ju përgjigjën pozitivisht ftesës sime për të qenë 3 ndihmësit e mi më të ngushtë gjatë katër viteve në pozicionet e zv/rektorit të UBT-së.

Shfrytëzoj rastin të falenderoj të gjithë ata që mbarojnë funksionet e tyre, ekipin e rektorit dhe të gjithë strukturën mbështetëse të rektoratit dhe fakulteteve të cilat kanë shërbyer për katër vitet e shkuara.

Unë konstatoj me kënaqësi që në katër vitet që kaluam, ky universitet pavarësisht ndonjë problematikë të ndeshur, përsëri ka shënuar rritje në çdo drejtim, sidomos në konsolidimin dhe diversifikimin e programeve mësimore, përmirësimin e infrastrukturës së brendëshme dhe të jashtme, etj.

Ajo që une doja të thoja në këtë fjalë të shkurtër timen sot, është fakti që ne jemi të vetëdijshëm që sfida afatmesme dhe afatgjatë e universiteteve në Shqipëri dhe e Universitetit Bujqësor në veçanti do të jetë mbijetesa, në një konkurencë të vazhdueshme, në kushtet e reduktimit të numrit të studentëve.

Për këtë qëllim:

  • Ne do të bëjmë çmos që në çdo dokumet apo plan që do të hartojmë për drejtimin e UBT-së, në katër vitet e ardhëshme të kemi si qëllim sigurimin e të ardhmes së qendrueshme dhe afatgjatë të Universitetit në kontekstin e projeksionit të zhvillimeve social-ekonomike të vendit drejt viteve 2030.
  • Ne duhet të jemi të vetëdijshëm që UBT duhet dhe mundet të ketë të ardhme të sigurtë vetëm duke demonstruar “se është i dobishëm për shoqërinë”, duke përforcuar rolin që luan në fusha me interes të gjerë publik, duke ofruar edukim cilësor për studentët dhe duke adresuar për zgjidhje problematikat që ka vendi nëpërmjet kërkimit shkencor.
  • Ne duhet të kemi parasysh që UBT duhet dhe mund të zhvillohet si një universitet me standarde europiane paralelisht me europianizimin e shoqërisë shqiptare duke u mbështetur tek tradita, burimet njerëzore, vlerat dhe potencialet që zotëron.
  • Në themel të politikës mbështetëse për katër vitet e ardhëshme do të jetë respektimi i lirisë akademike të profesoriatit në njësinë bazë.
  • Prioritet do të ketë mbështetja e stafit akademik duke krijuar kushte optimale për zhvillimin e karrierës dhe promovimin akademik si çelësi që përcakton nivelin e edukimit dhe arritjet në fushën e kërkimit shkencor.
  • Sigurimi i fondeve të nevojshme do të bëhet duke rritur efikasitetin e përdorimit të tyre si dhe duke zgjeruar dhe diversifikuar mbështetjen financiare nga partnerë publikë dhe privatë.
  • Zyra e Programeve dhe Projekteve do të ndërmarrë “një politikë agresive” për diversifikimin e burimeve të financimit me fonde nga programet dhe donatorët e jashtëm, nëpërmjet motivimit të stafit.
  • Brenda një periudhe të shkurter do të hapet dhe regjistrohet portali i UBT-së “Green World, i cili do të jetë një kanal komunikimi bashkëkohor dhe multidimensional duke rritur kontributin dhe bërë prezent UBT-në, në publik.
  • Ferma Didaktike Eksperimentale do të zhvillohet si një model i bujqësisë së qendrueshme dhe fitimprurës rreth një poli agroturistik në dobi të universitetit dhe investitorëve duke ruajtur aksesin dhe funksionet për stafin akademik dhe studentët.

Fokusi për periudhën e tanishme

Procesi mësimor:

  1. Mbyllja sa më e mirë dhe me sa më pak probleme e procesit mësimor me fokus kryesor sigurinë e studentëve, stafit akademik dhe administrativ;
  2. Ndjekje dhe kujdes maksimal në drejtim të regjistrimit të studentëve të rinj si dhe promovim sa më i madh i UBT-së në media:
  3. Përgatitja për unifikimin e përdorimit të platformës online të mësimit për ti paraprirë fillimit të vitit të ri akademik.

Aktiviteti Shkencor

  1. Negociata intensive për zgjidhjen përfundimtare të programit të Doktoratës.
  2. Formalizim i zyrës së projekteve
  3. Performanca akademike

 

Marrëdhëniet me publikun

  1. Ngritja e marrëdhënieve me publikun në nivel Drejtorie
  2. Hapja dhe regjistrimi i portalit të UBT-së “Green World”
  3. Fillimi i punës për organizimin e Konferencës së Donatorëve

 

Të nderuar zonja dhe zotërinj!

Kolegët dhe studentët na kanë besuar të drejtojmë për katër vitet e ardhëshme një ndër universitetet më të mira në vend dhe detyra jonë është që pas 4 vitesh të kalojme këtë që kemi marrë sot në një gjendje edhe më të mirë sesa ishte kur e morëm.

Por kjo do të arrihet vetëm nëse kemi burime njerëzore të angazhuara dhe të përfshira në të gjitha nivelet dhe funksionet.

Padyshim, këto sfida dhe përqendrimi i njohurive në zhvillimin e shoqërisë moderne kërkojnë përgjigje koherente nga i gjithe stafi i UBT-së në drejtim të mësimdhënies, kërkimit shkencor dhe vlerës së njohurive.

Universiteti Bujqesor i Tiranes duhet të marrë përsipër vetë misionin për t’i shërbyer sektorit bujqesor dhe rural në vend, duke kontribuar në ekonominë e vendit dhe duke bërë mirë për të gjithë konsumatorët shqiptar.

Për ta bërë ketë, UBT duhet të ndryshoje konceptimin e tij të funksionimit, të integrojë veten në vend dhe të bëhet i dobishëm përballë shoqërisë.

Nën përkrahjen e komunitetit akademik, si dhe përmes përpjekjeve të bashkërenduara të të gjithë studentëve dhe pedagogëve, ne do të përpiqemi ta shndërrojmë UBT-në në një institucion të përsosmërisë: Ai për të cilin ne dhe të gjithë njerëzit të ndjehen krenarë, për të cilët studentët dëshirojnë të studiojnë, dhe studiuesit dhe kërkuesit më të mirë dëshirojnë të punojnë.

Ne jemi të vetëdijshëm për përgjegjësinë e madhe, por shpresoj shumë të mos jemi vetëm. Të gjithë do të thirren për të kontribuar në këtë qëllim! Të gjithë do të kenë vendin dhe rolin e tyre në një UBT më të fortë dhe gjithëpërfshirëse!

Problemi kryesor për të arritur të gjitha këto, është që ne duhet të besojmë dhe marrim vendime dhe unë ju them Juve sot, që ne jemi këtu për të besuar dhe duhet të jemi shumë optimist për të ardhen e UBT-së.

Në këtë mënyrë do të ftoja çdo koleg këtu në këte sallë dhe jashtë saj, që të jetë sa më optimist dhe jo pesimist, pasi optimisti sheh trëndafilin, jo gjembat, ndërsa pesimisti ua ngul sytë gjembave dhe harron ta shijojë trëndafilin”.

Unë mendoj që UBT nuk është një universitet i përsosur, por besoj se është një universitet thellësisht i rëndësishëm. Dhe unë bashkë me ekipin tim, zotohemi të bëjmë çmos në emër të tij – për nder të së kaluarës së tij, në detyrim të së tashmes që po kalon ky universitet, dhe veçanërisht në pritje të së ardhmes së tij të shkëlqyer.

Edhe njëhere më lejoni t’Ju uroj çdo njërit nga ju këtu në këtë sallë, shumë suksese në punën tuaj dhe shpresoj shumë në kontributin dhe bashkëpunimin tuaj për 4 vitet e ardhëshme, duke përmbushur në këtë mënyrë pritshmëritë e çdo kolegu dhe studenti që ju ka votuar.

 

Faleminderit dhe shumë suksese.