Fjala nga Rektori UBT-së, z. Fatbardh Sallaku me rastin e inaugurimit të Fushës Eksperimentale të Bimëve Mjekësore dhe Aromatike

 

Mirëmëngjesi të gjithëve.

 

Faleminderit që keni gjetur kohën për të qenë të pranishëm në këtë ceremoni inaugurimi, demostrim simbolik do ta quaja unë, por që demostron edhe një herë rolin që UBT ka në shumë sektorë, por veçanërisht edhe në një ndër sektorët më të rëndësishëm të zhvillimit ekonomik të vendit, siç është bujqësia.

I nderuar z.Quieres, përfaqësues i PNUD në Shqipëri , të nderuar profesorë e kolegë, më lejoni që ta vijoj fjalimin tim duke falenderuar e përshëndetur ata që i kemi patur miq, por që do t’i kemi edhe më shumë miq në të ardhmen, duke nisur nga z. Gjoka, president i kompanisë Filipi&Co, z.Hysenaj, administrator i kompanisë AlbKalustyan, znj. Qosja përfaqësuese e kompanisë GJEDRA Ltd, znj. Shehu e kompanisë ARONIA Company, z.RRapaj përfaqësues i KASH-it, donatorët e pranishëm e secilin prej jush. Ju falenderoj shumë për praninë tuaj sot.

Dua të ndaj me ju disa mendime dhe uroj që aktiviteti i sotëm të shërbejë më tepër si një takim njohës. Unë u njoha me hollësitë dhe ecurinë e kësaj nisme nga organizatorët të cilët i falenderoj shumë, duke nisur me Prof. Alban Ibraliun, kontributin e të cilit e vlerësoj shumë, gjithashtu edhe PNUD-in nëpërmjet përfaqësuesit të tij, për kontributin e dhënë në ngritjen e kësaj fushe. Me këtë rast dua të ftoj dhe shpresoj shumë që përfaqësues të kompanive dhe donatorë të ndryshëm që ndodhen këtu, sidomos nga GIZ dhe FAO, të mbështesin financiarisht të tilla projekte që janë në të mirë të të gjithëve. Jemi në fund të vitit kalendarik dhe kjo është një periudhë ku zakonisht projektohet buxheti për vitin e ardhshëm, ndaj u bëj thirrje donatorëve si FAO, PNUD, GIZ e të tjerët, të mendojnë më tepër për të rritur mbështetjen e tyre.

Këto janë pin-et (gjilpërat me kokë) për të cilat UBT ju siguron -se i përdor në mënyrë shumë efektive dhe i promovon po aq mirë.

Kjo Fushë Eksperimentale, e cila është një fushë demonstrative që tregon se UBT po vendoset më së miri në shinat e veta.

Unë jam rektor prej 2 muajsh dhe ju siguroj që UBT ashtu si gjithmonë, ka qenë një partner shumë i mirë , dinjitoz dhe do të vazhdojë të jetë i tillë edhe në të ardhmen.

Një ndër aktivitetet kryesore përveç kërkimit shkencor dhe mësimdhënies, është edhe ndërtimi i kësaj fushe. Kjo do të jetë edhe në shërbimin tuaj, zotërinj të biznesit. Në këtë kuadër dua të falenderoj edhe administratorin për kontributin e dhënë dhe me të cilin kemi gjetur gjuhën e përbashkët. Po aq i rëndësishëm për të ardhmen e afërt të universitetit, do të jetë edhe krijimi online i një portali specifik që do të jetë një kolonë mjaft aktive në fushën e marëdhënieve me publikun, institucionet si dhe me të gjithë aktorët në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural. Shumë shpejt brenda muajit dhjetor, ky portal do të mund të jetë totalisht i dedikuar për ju zotërinj të biznesit dhe ju mund të promovoni produktet tuaja me një faturë fare simbolike. Kështu, ju do të gjeni një institucion i cili do t’ju promovojë dhe do t’ju sigurojë vërtetë një bashkëpunim të shkëlqyer.

Miqtë e mi, unë jam shumë i ndërgjegjshëm në lidhje me marëdhëniet mes partnerëve pasi kam punuar vetë në fusha të ndryshme të projekteve, të ekspertizave, ndaj e di shumë mirë se çfarë do të thotë të punosh me partnerë por nga ana tjetër duhet të dini që UBT është një makineri e rëndë, ndaj kërkon bashkëpunim. Unë jam shumë i sigurtë që ndaj edhe mendimin tuaj në këtë rast, se ndihma dhe bashkëpunimi reciprok dhe të paturit krah edhe logon e UBT-së, vetëm do t’ju bëjë mirë në të gjithë aktivitetin tuaj të ardhshëm.

Unë nuk po ndalem për të folur gjatë për rëndësinë e sektorit sepse çdonjëri prej jush këtu e di shumë mirë rëndësinë e sektorit të Bimëve Aromatike dhe Mjekësore, çfarë roli ato kanë në ekonomi dhe peshën që kanë në eksport. Ky sektor nuk është prekur pothuajse fare nga pandemia, përkundrazi është një sektor i cili vetëm do të promovohet dhe më vjen mirë që kjo qelizë e vogël këtu, tregon për përfshirjen e UBT-së, angazhimin e saj serioz. Deri dje të tilla projekte kanë qenë në letra, sot është gjithçka reale. Ju mund ta shikoni se si ne e ndërtuam këtë fushë në mënyrë që edhe ju ta shfrytëzoni atë, mund të vini dhe të bëni demostrim të praktikave tuaja, mund të përdorni asetet e UBT-së për të bërë provat sezonale por nga ana tjetër mund të merrni linjat për t’i shumëfishuar e kështu me radhë. Kjo është në të mirën e të gjithëve.

Një avantazh tjetër i këtij projekti është se ulim të paktën presionin ndaj burimeve natyrore, ulim presionin ndaj sulmit apo ndaj tendencës për bimët në gjendje të egër duke mundësuar kultivimin e tyre.

Unë ju garantoj se dera e UBT-së dhe Fakultetit të Bujqësisë do të jetë gjithmonë e hapur. Më vjen mirë që kam në krah edhe Prof. Ilir Kriston i cili ka një karrierë dhe eksperiencë të gjatë në sektorin përkatës dhe ai do të jetë gjithashtu një mbështetje e madhe. Po ashtu, departamenti i prodhimit bimor apo ai i agronomisë i kanë cilësitë e duhura dhe mbështetja e tyre do të jetë e pakursyer.

Miqtë e mi, ne jemi të gjithë në të njëjtin drejtim, të punojmë për të mirën e përbashkët.

Të nderuar miq, qasja e UBT-së është ‘’win-win” , pra në çdo marëveshje në të cilën bëhemi pjesë, të dyja palët janë fituese. Kërkojmë mirëkuptim dhe për fazën e parë çdo palë le të japë dicka më shumë nga vetja siç ka dhënë edhe kompania AGROKORAN që ka marrë zbatimin e projektit të cilën e falenderoj shumë.

 

Faleminderit të gjithëve miq dhe ju uroj shëndet.