Dita e financës rurale – një ditë mësimi ndryshe

Takim i studentëve të Fakultetit të Ekonomisë dhe Agrobiznesit me FED invest dhe Agro Biznes Asistencë

Më datë 7 Qershor 2021, u zhvillua takimi midis studentëve të vitit të dytë që ndjekin programin “Financë – Kontabilitet”, Fakulteti i Ekonomisë dhe Agrobiznesit (FEA), Universiteti Bujqësor i Tiranës (UBT) dhe drejtuesve të FED invest dhe Agro Biznes Asistencë (ABA). Ky takim u realizua në kuadër të një tradite të përvitshme, me iniciativën e Prof. Dr. Magdalena Bregasi, me tematikë “Dita e financës rurale – një ditë mësimi ndryshe”.

Në takimin e sotëm, i cili vjen pas një shkëputje të gjatë nga mësimi në auditor, studentët ndoqën me vëmendje prezantimin e z. Perlat Sulaj, CEO FED invest dhe z. Behar Gjoni, Administrator i ABA mbi shërbimet financiare dhe jo financiare për fermerët. Në hapjen e takimit, studentët u përshëndetën nga fjala e dekanit të FEA-s Prof. Dr. Remzi Keco.

FED invest përfaqëson një prej institucioneve të tregut financiar në vend, misioni i së cilës është të ofrojë një gamë të gjerë produktesh dhe shërbimesh financiare, veçanërisht për popullsinë që jeton në zonat rurale, me qëllim rritjen e përfshirjes financiare dhe reduktimin e përgjithshëm të varfërisë.

Qendra ABA dhe platforma e saj (www.abaonline.al) është krijuar si një iniciativë e FED invest në bashkëpunim me Agjencine Japoneze të Bashkëpunimit Ndërkombëtar, për të ofruar shërbime jo financiare tek fermerët dhe të gjithë aktorët në sektorin e bujqësisë në Shqipëri me qëllim informimin e fermerëve për teknologjitë dhe risitë për prodhimet bujqësore dhe blegtorale, çmimet të tregut të prodhimeve, përmes krijimit të një platforme interaktive ku shkëmbehen mendime të fermerëve dhe ekspertëve.