CEREMONIA E DIPLOMIMIT TË STUDENTËVE TË UNIVERSITETIT BUJQËSOR TË TIRANËS

Në datë 14 Nëntor 2019, Universiteti Bujqësor i Tiranës (UBT) zhvilloi në Pallatin e Sporteve “Asllan Rusi” ceremoninë e diplomimit të studentëve të programit “Bachelor” dhe “Master” për vitin akademik 2018 – 2019. Gjithsej nga UBT u diplomuan 1922 studentë. Në këtë event morën pjesë Zv. Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural z. Dhimitër Kote, Zv. Ministri i Arsimit, Sportit dhe Rinisë z. Redi Shtino, Nënkryetari i Bashkisë Tiranë z. Andi Seferi, si dhe përfaqësues të universiteteve të ndryshme dhe të ftuar të tjerë nga bota akademike në vend.

Në fjalën e tij, Rektori i UBT-së Prof. Dr. Bari Musabelliu uroi studentët për mbylljen me sukses të ciklit të parë dhe të dytë të studimeve, duke theksuar se ky përbën një hap shumë të rëndësishëm për të ardhmen e tyre. Prof. Dr. Musabelliu solli në vëmendje se UBT zë një vend të rëndësishëm dhe ka një rol të veçantë në sistemin arsimor, duke qënë universiteti me ekperiencën më të gjatë në fushën e arsimit të lartë në vend dhe me profilin e tij unik. Në frymën e ditës së diplomimit Prof. Dr. Musabelliu renditi arsyet se përse një student sot duhet të zgjedhë të studiojë në UBT.

Zv. Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural z. Dhimitër Kote, në fjalën e tij përshëndetëse iu drejtua të pranishmëve e vaçanërisht studentëve, duke theksuar rolin e sektorit të bujqësisë në zhvillimin ekonomik të vendit. Kjo e bën edhe më të rëndësishëm misionin e përgatitjes së specialistëve në këtë fushë. Kthimi i vëmëndjes drejt këtij sektori me nevojën për t’i shërbyer sa më mirë atij por dhe gjithë shoqërisë e bën më të fortë rolin e UBT-së.

Gjatë ceremonisë fjalën përshëndetëse e mori Zv. Ministri i Arsimit, Sportit dhe Rinisë z. Redi Shtino, i cili përshëndeti të gjithë pjesëmarrësit duke vënë theksin në rëndësinë që ka dita e diplomimit, jo vetëm si ditë përmbyllëse e një cikli studimi por si nisje e rrugëtimit të karrierës së studentëve. Ai solli në vëmëndje të të pranishmëve se kjo ditë kurorzon përpjekjet disavjeçare të studentëve, stafit pedagogjik por edhe familjarëve për t’u aftësuar për tregun e punës dhe për t’i shërbyer më mirë progresit të vendit.

Gjithashtu, i pranishëm në ceremoninë e diplomimit ishte edhe Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës z. Andi Seferi, i cili përshëndeti ceremoninë e diplomimit të studentëve të UBT-së. Ai theksoi se tashmë si pjesëmarrës në vazhdimësi në këtë ditë feste për studentët, stafin dhe prindrit, ndjehej i privilegjuar të ishte i pranishëm në ndarjen e emocioneve me ta në këtë ditë përmbylljeje të një rrugëtimi të gjatë.

Në rolin e të zgjedhurve të studentëve, fjalën e mori përfaqësuesi i tyre në Bordin e Administrimit të UBT-së z. Marin Mema. Ai përshëndeti të dipliomuarit dhe vuri theksin në nevojën për t’i parë studentët të bashkuar në përballjen e sfidave jo vetëm në auditore por dhe jashtë tyre.

Ashtu siç është pjesë e traditës fjalën përmbyllëse e bënë studentët me përfaqësuesin e tyre në Senat, studentin Azgan Berbati. Ai përshëndeti të diplomuarit duke uruar se rrugëtimi i tyre në kërkim të dijes nuk mund dhe nuk duhet të përmbyllet këtu, por do duhet të vazhdojë gjatë gjithë jetës.

Ceremonia vijoi me fjalët përshëndetëse të dekaneve të 5 fakulteteve të UBT-së, të cilët përgëzuan studentët për finalizimin e studimeve të tyre në ciklet e ndryshme të studimit. Këto studime do të mundësojnë përballjen e sfidave të së ardhmes, për t’i bërë qytetarë të devotshëm dhe të dobishëm për shoqërinë, si dhe profesionistë të aftë për t’i shërbyer vendit. Ata theksuan se dyert e UBT-së do të jenë gjithmonë të hapura për bashkëpunime të frytshëm në të ardhmen. Kontributi i tyre si specialistë do të jetë jo vetëm i mirëpritur por edhe i nevojshëm për t’i paraprirë me sukses sfidat me të cilat universiteti përballet.

Ceremonia e diplomimit u mbyll me vlerësimin e studentëve ekselente, ndarjen e diplomave dhe çastin kulmor të hedhjes së kapeleve, si një gjest simbolik i përfundimit të një kapitulli të rëndësishëm në jetën e studentëve.