Ambasadori austriak në Shqipëri, vizitë kortezie në Universitetin Bujqësor të Tiranës

Dr. Christian Steiner, ambasadori i Austrisë në vendin tonë u mirëprit në ambientet e Universitetit Bujqësor të Tiranës nga Rektori i këtij institucioni Prof. Dr. Fatbardh Sallaku dhe stafi i tij i ngushtë.

Vizita e kreut të diplomacisë austriake në Shqipëri në UBT i paraprin vizitës që do të zhvillojnë përfaqësues të Universitetit prestigjoz BOKU, Vjene, në fillim të muajit shtatorit në Universitetin Bujqësor të Tiranës dhe pason takimet dhe diskutimet e frytshme të zhvilluara më herët në Vjenë midis drejtuesve të UBT-së, atyre të universitetit “BOKU’’ dhe përfaqësuesve të lartë të qeverive respektive.

Gjatë bisedës me drejtuesit e universitetit, ambasadori Steiner e cilësoi të rëndësishme vizitën e tij në UBT ndërsa vlerësoi bashkëpunimin që UBT ka dhe do të vijojë të ketë me ndërkombëtarët dhe në veçanti me universitetet e huaja mjaft të njohura siç është ai i BOKU.

“Si përfaqësues i qeverisë Austriake, jam i lumtur për këtë lloj bashkëpunimi midis universiteteve dhe roli ynë është për të lehtësuar sa më shumë këtë proces’’- theksoi ambasadori austriak ndërsa shprehu interes për planet dhe objektivat që ka UBT në lidhje me bashkëpunimin me universitetin “BOKU’’ apo edhe shkolla të tjera në Austri.

Gjithashtu ai përgëzoi drejtuesit e UBT-së për përpjekjet e vazhdueshme intensive për evoluimin dhe dëshirën për të progresuar këtë institucion dhe për të zgjeruar edhe më tej bashkëpunimin e mëtejshëm me fakultete të ndryshme.

Edhe Rektori i UBT-së ndërsa prezantoi shkurtimisht institucionin që ai drejton, vlerësoi ndër të tjera rolin e qeverisë shqiptare në mbështetjen që po i jep Universitetit Bujqësor të Tiranës në veçanti dhe qasjes ndaj sistemit arsimor në tërësi.

Prof. Sallaku e njohu ambasadorin austriak me detaje në lidhje me vizitën e zhvilluar në muajin korrik në Vjenë, së bashku me Kryeministrin Rama, ku theksi ishte mbi intensifikimin e marëdhënieve te bashkëpunimit mes dy universiteteve dhe me konkretisht praninë e BOKU ne UBT.

“Një ndër qëllimet tona- tha Prof. Sallaku – është të kemi një lloj “patronazhimi” nga Universiteti “BOKU’’, si një guidë udhërrëfyese për vitet që do të pasojnë, duke qenë se është një nga universitetet më të mira në Europë dhe ne dëshirojmë shumë të ndjekim shembullin e më të mirëve’’.

Objektivi kryesor i kësaj mbështetjeje nga “BOKU’’ është që brenda vitit 2030, UBT të arrrijë standarte të cilësisë së programeve të studimit të njehësuara me ato të universiteteve homologe të vendeve të BE; të realizojë një vëllim dhe cilësi të kërkimit shkencor të krahasueshëm me ato të universiteteve homologe të vendeve të BE dhe UBT të transformohet në Qendër Rajonale Ekselence që udhëheq inovacionin, transferimin e njohurive e të teknologjisë për modernizimin e bujqësisë, ushqimit, mbrojtjen e mjedisit apo burimeve natyrore, me rol kryesor në procesin e përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike.

Arritja e këtyre objektivave kaq ambicioze brenda një dekade, për UBT nënkupton një etapë cilësisht të re të zhvillimit të UBT dhe një hop shumë të madh në zhvillimin e gjithanshëm të tij, sepse njësimi i një programi ose arritja e standarteve të avancuara ndërkombëtare është rezultat i nivelit të përgjithshëm të një universiteti në të tre shtyllat e misionit të tij: mësim, kërkim dhe transferim i njohurive dhe teknologjisë. Kjo kërkon një “Road-map’’ të qartë, realiste dhe të mirëmbështetur me investime, përtej planeve afatshkurtra (2- vjeçare) apo afatmesme (4-5 vjeçare). Prandaj UBT po harton një Strategji Afatgjatë të Zhvillimit “UBT-2030”.

Prof. Sallaku vuri theksin tek një strategji afatgjatë e zhvillimit të universitetit në vendin tonë me një objektiv kaq ambicioz, internacionalizimin e mësimit dhe kërkimit, deri në njehësimin e programeve, të cilat nuk janë implementuar më parë. Vlen të përmendet se kjo është përvoja e parë në Shqipëri. Si e tillë, ajo kërkon jo vetëm mbështetje me investime por edhe “Know-how’’. Rasti më i mirë është përvoja e universiteteve të huaja homologe që kanë realizuar strategji të tilla dhe kanë arritur objektiva të tillë ambiciozë.

UBT me mbështetjen e qeverisë shqiptare, ka filluar një bashkëpunim me universitetin prestigjioz në shkencat bujqësore, burimet natyrore dhe shkencat e jetës, University of Natural Resources and Life Sciences, “BOKU’’ në Vjenë.

BOKU është jo vetëm një ndër universitetet më prestigjiozë dhe me reputacion të Europës në fushat përkatëse, por spektri i fushave që mbulon në veprimtarinë e tij akademike dhe kërkimore, përkatësisht, shkencat bujqësore, burimet natyrore e shkencat e jetës që përputhen shumë mirë me profilin dhe fushën e veprimtarisë së UBT.

Për më tepër, UBT ka tashmë disa programe të ciklit të dytë, sidomos në fushën “Green economy’’, që përputhen thuajse plotësisht me ato të “BOKU’’. Si i tillë, BOKU mund të shërbejë plotësisht si një model orientues për objektivat që synon UBT në SFZH “UBT 2030”.

Në këtë logjikë, ai garantoi në emër të institucionit që drejton se do të bëjnë më të mirën e mundshme për të arritur dhe realizuar objektivat e synuara, por për këtë nevojitet padyshim edhe mbështetja dhe ndihma e përfaqësuesve ndërkombëtarë dhe ambasadës austriake në Shqipëri.

Ambasadori austriak Christian Steiner shprehu gatishmërinë për të qenë mbështetës dhe kontribuues në zhvillimin e mëtejshëm të këtyre ideve dhe formave të bashkëpunimit. “Kjo- tha ai- është diçka shumë e rëndësishme dhe besoj se do të jetë frytdhënëse’’.

Ndërkaq duke i vlerësuar si tepër të rëndësishme për universitetin marëdhëniet me ndërkombëtarët, Prof. Dr. Sallaku në përfundim të takimit, e ftoi ambasadorin austriak për të qenë i pranishëm në festimet që do të organizohen këtë vit me rastin e 70-vjetorit të krijimit të UBT, që do të zhvillohen në nëntor, ftesë e cila u prit me kënaqësi nga Dr. Christian Steiner.