FEA hap studimet në Masterin Ekzekutiv (ME) në “Planifikimi dhe zhvillimi ekonomik territorial i zonave rurale”

Universiteti Bujqësor i Tiranës, Fakulteti i Ekonomisë dhe Agrobiznesit, hap për vitin akademik 2020- 2021, Masterin Ekzekutiv në “Planifikimi dhe zhvillimi ekonomik territorial i zonave rurale”. Kjo diplomë e ciklit të tretë të studimeve (niveli i 8 kualifikimit sipas Kornizës shqiptare të kualifikimeve) i drejtohet të gjithë ekonomistëve, juristëve, ekspertëve organizimit dhe planifikimit të territorit, ekspertëve të bujqësisë,  aktorëve dhe vendimarrësve në nivel lokal dhe qendror të cilët duan të thellojnë njohuritë e tyre në fushat e ekonomisë, planifikimit të territorit, zhvillimit rural, administrimit dhe zhvillimit lokal, politikave dhe vlerësimit të instrumentave, hartimit dhe vlerësimit të projekteve, teknologjive të informacionit gjeografik, etj. Ky master ekzekutiv është hartuar nga një grup pedagogësh nga disa universitete evropiane (Francë, Gjermani dhe Greqi) dhe përmbledh informacionet më të përditësuara rreth këtyre fushave në botë por me një fokus të veçantë për Shqipërinë. Ky program studimi prej 120 ECTS, zgjat dy vite akademike.

Në këtë program studimi kanë të drejtë të aplikojnë për regjistrim, profesionistë të cilët kanë një eksperiencë pune jo më të shkurtër se dy vite në fushat e ekonomisë, urbanistikës, bujqësisë, mjedisit, drejtësisë, shoqërisë civile si në nivel qendror ashtu edhe në nivel lokal. Eksperienca e punësimit duhet të verifikohet. Gjithashtu kanë të drejtë të aplikojnë për t’u regjistruar në programin e studimeve për të fituar Diplomën “Master Ekzekutiv”, ata persona që kanë përfunduar një program studimi dhe kanë fituar diplomë universitare “Master Shkencor” ose ”Diplomë tё Integruar” në sistemin me kohë të plotë dhe të pjesshme si dhe plotësojnë kriteret akademike si më poshtë vijon:

  1. Kriterin e meritës. Nota mesatare e ponderuar e studimeve të ciklit të dytё (Master shkencor) ose nё Diplomёn e Integruar, të jetë mbi 8.0. Në rast se ka ende kuota të lira, nuk do përjashtohen aplikantët me mesatare më të ulët, por në asnjë rast më të ulët se 7.5.
  2. Kriterin e rëndësisë (koeficienti i profilit të studimeve master shkencor sa i takon përputhshmërisë me fushat dhe programet e studimit të FEA-s).
  3. Kuotave të paracaktuara nga FEA.

 

Është gjithashtu e domosdoshme njohja nga kandidati e një prej pesë gjuhëve të huaja të Bashkimit Evropian: anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, spanjisht në nivelin C1. Nëse individi ka fituar një diplomë të një programi studimi të kryer në një nga këto gjuhë, diploma e fituar shërben si dëshmi për plotësimin e këtij kriteri.

Fakulteti i Ekonomisë dhe Agrobiznesit bën me dije se të interesuarit duhet të dorëzojnë pranë “Departamentit të ekonomisë dhe politikave të zhvillimit rural” (Universiteti Bujqësor i Tiranës, Fakulteti i Ekonomisë dhe Agrobiznesit, Godina A, zyra 221) dokumentet e mëposhtme:

  1. Fotokopje të mjetit të identifikimit (pasaportë ose kartë identiteti)
  2. Dy fotografi
  3. Formulari i aplikimit i plotësuar
  4. Mandat pagesa
  5. Vërtetim nga qendra e punës për vjetërsinë në punë
  6. Diploma e noterizuar dhe lista e notave për diplomën më të lartë të fituar
  7. Vërtetim për nivelin e njohjes së gjuhës së huaj, sipas testeve të njohura nga MASR.

Modulet do të zhvillohen kryesisht nga profesorë evropianë, në gjuhën angleze.

Aplikimet jane të hapura deri më datën 13.01. 2021.