Konferenca Kombëtare “Bujqësia, një Shkencë Jetësore me Rrënjët në Biologjinë e Aplikuar”

Universiteti Bujqësor i Tiranës  zhvillloi në datën 3.12.2020 Konferencën Kombëtare: ‘’Bujqësia, shkenca jetësore me rrënjët në Biologjinë e Aplikuar’’ organizuar në kuadër të 100-vjetorit të lindjes së Akademikut Prof. Dr. Mentor Përmeti.

Konferenca shkencore u organizua në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë dhe MInistrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Për shkak të kushteve të diktuara nga pandemia COVID 19, konferenca u zhvillua online në platformën Zoom.

Në të morën pjesë përfaqësues të stafit akademik e drejtues të Universitetit Bujqësor të Tiranës; studiues, akademikë, ish-pedagogë,  kreu i Akademisë së Shkencave, përfaqësues e drejtues të lartë të MBZHR-së, specialistë të sektorit të bujqësisë dhe jo vetëm, familjarë të Prof. Dr. Përmetit, profesorë nga fakulteti i Shkencave të Natyrës, përfaqësues të Institutit të Kërkimeve Gjenetike, Institutit të Resurseve Gjenetike të Bimëve e shumë të tjerë.

Konferenca u hap nga Prof. As. Erinda Lika, zv/Rektore e Shkencës dhe Projekteve e cila në fjalën e saj pasi falënderoi pjesëmarrësit dhe organizatorët e ketij eventi, theksoi faktin që Universiteti Bujqësor e konsideron veprimtarinë kërkimore dhe krijimin e kontakteve dhe rrjeteve me studiues nga Institutet e ndryshme vendase dhe të huaja si një gur themeli dhe një faktor shumë të rëndësishëm për veprimtarinë e tij të përditëshme.

Fjala përshëndetëse në këtë konferencë u mbajt nga Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku i cili pasi falenderoi pjesëmarrësit për praninë e tyre në këtë event, përmendi ndër të tjera disa nga cilësitë e paçmuara dhe atributet e Prof. Mentor Përmetit.

-‘’Prof. Dr.  Përmeti ishte një shkencëtar brilant i bujqësisë dhe Përmirësimit Gjenetik të Bimëve që me kontributin e tij të shquar shkencor dhe akademik, hodhi themelet e kërkimit shkencor të bujqësisë në Universitetin Bujqësor të Tiranës dhe më gjerë. Ai lartësoi emrin dhe vlerat e Institutit të Lartë Bujqësor si dhe të kërkimit shkencor në fushën e bujqësisë’’– tha Prof. Sallaku. ‘’Ai investoi shumë në burimet njerëzore dhe gjatë punës së tij si pedagog dhe si drejtues në universitet, përgatiti breza specialistësh të aftë të cilët udhëhoqën me sukses kërkimin shkencor në bujqësinë shqiptare, drejtuan institutet dhe stacionet kërkimore në vend’’– vijoi më tej Rektori i UBT-së.

Në cilësinë e të ftuarit special, një fjalim përshëndetës mbajti edhe kreu i Akademisë së Shkencave, Akad. Prof. Dr. Skënder Gjinushi  i cili gjithashtu foli për kontributet dhe meritat e Prof. Përmetit si një studiues dhe dijetar i spikatur në fushën e tij.

-‘’Mentor Përmeti ishte dhe mbetet një figurë emblematike. Ai shkëlqeu në të gjitha fazat e jetës së tij dhe la gjurmë si një ndër themeluesit e UBT-së. Si anëtar i Akademisë së Shkencave ai mbajti një peshë të madhe të projekteve të rëndësishme që ka zhvilluar kjo Akademi veçanërisht në studimet albanologjike por jo vetëm. Ai meriton të quhet autor patentash shkencore, duke përmendur këtu punën e tij për grurin Dajti etj. Prof. Përmeti pati një kontribut të madh për brezat pasardhës’’– shtoi Prof. Gjinushi ndërsa falenderoi organizatorët dhe në veçanti UBT-në për organizimin e një konference të tillë.

Sesioni plenar i konferencës moderuar nga zv. Rektorja e UBT-së, Prof. As. Dr. Erinda Lika, vijoi me fjalën përshëndetëse të radhës nga zv. Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Roland Kristo; nga Prof. Dr. Vjollca Ibro e cila e konsideroi ndër të tjera Prof. Përmetin si një model në fushën e gjenetikës; nga Mira Përmeti, vajza e Akademikut Përmeti; nga ish- Rektori i UBT-së Prof. Dr. Lufter Xhuveli, etj.

Ndërkaq një pjesë e veprimtarisë shkencore dhe akademike e Prof. Përmetit u përcoll me mjaft interes nga Prof. Dr. Fetah Elezi, ish- Drejtor i Institutit të Resurseve Gjenetike të Bimëve, nëpërmjet një materiali përmbledhës shoqëruar me një kolazh fotosh e pamjesh nga jeta, puna dhe karriera e Përmetit në dekada.

Po aq me interes ishte edhe sesioni i parë, moderuar nga  zv. Rektori për  Marëdhëniet me Institucionet dhe Publikun, Prof. Dr. Alban Ibraliu  dhe  Drejtori i Institutit te Resurseve Gjenetike, Prof. Dr. Belul Gixhari; sesioni i dytë i konferencës,  moderuar nga Prof. As. Dr. Rigers Bakiu dhe Prof. Dr. Anila Hoda.  Gjatë këtyre sesioneve u prezantuan një sërë punimesh dhe studimesh të kryera nga pedagogë, kërkues shkencor të ndryshëm me larmishmëri tematikash të lidhura kryesisht me fushën e bujqësisë por jo vetëm.

Konferenca shkencore u përmbyll me zhvillimin e sesionit të tretë të posterave, moderuar nga Prof. Dr. Fetah Elezi dhe Prof. Dr. Arjana Kraja, gjatë të cilit u prezantuan postera me të dhëna e informacione mjaft të rëndësishme me tematika gjithashtu të larmishme  në sektorin e bujqësisë etj.

Të gjitha prezantimet dhe punimet e realizuara në kuadër të kësaj konference kombëtare, si një vlerë e shtuar e institucionit organizator, u botuan në Librin e Abstrakteve dhe njëkohësisht do të jenë pjesë e një numri special në revistën shkencore të UBT (The Albanian Journal of Agricultural Sciences-AJAS) publikim i cili do të mund të aksesohet nga studiues të tjerë, pedagogë, studentë etj. Kontribut të veçantë për organizimin e këtij eventi dha Prof. Dr. Vjollca Ibro, ish-rektore e Universitetit Bujqësor si dhe një ndër nismëtarët e organizimit të kësaj konference.

Konferenca “Bujqësia, shkenca jetësore me rrënjët në Biologjinë e Aplikuar’’ pason Simpoziumin e I-rë Shkencor organizuar 5 vite më parë po nga UBT, për nder të Akademikut Mentor Përmeti.

 

Kliko këtu për tu kthyer te NEWSLETTER