Panairi i IV i Karrierës në Universitetin Bujqësor të Tiranës

Më datë 4 Maj 2017, në ambjentet e Kampusit të Universitetit Bujqësor të Tiranës (UBT), u organizua për të katërtin vit rradhazi Panairi i Karrierës. Ky event rikonfirmohet si tepër i rëndësishëm pasi shërben si një urë lidhëse midis sipërmarrjeve, institucioneve publike dhe organizatave pjesëmarrëse, me qëllim mundësimin e punësimit dhe trajnimit profesional dhe praktik të studentëve.

Në fjalët përshëndetëse, Rektori i UBT-së Prof. Dr. Bahri Musabelliu, Ministria e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë Znj. Olta Xhaçka, të ftuar nga Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave, Bashkia e Tiranës, si dhe përfaqësues të Ambasadeve të akredituara në vendin tonë theksuan rëndësinë e zhvillimit të këtij eventi motor për një shoqëri më produktive.
Këtë vit në panair morën pjesë 43 sipërmarrje dhe organizata të profileve të ndryshme, të cilat me anë të prezantimeve dhe stendave përkatëse mundësuan vendosjen e kontakteve direkte me punëmarrësit e tyre potencial. Në këtë kuadër, Qendra e Karrierës dhe Alumni në UBT, i vjen në ndihmë këtij binomi nëpërmjet krijimit të Portal WEB-it, i cili ka si qëllim mundësimin e ndërmjetësimit të punësimit të studentëve.

Për të vlerësuar bashkëpunimin e vazhdueshëm midis UBT-së, sipërmarrjeve dhe organizatave pjesëmarrëse u shpërndanë 19 çertifikata mirënjohje për sipërmarrjet dhe organizatat pjesëmarrëse në panair, si shprehje e vlerësimit për mbështëtjen e vazhdueshme ndaj UBT-së. Gjithashtu, u nënshkruan 10 marrëveshje të reja bashkëpunimi të cilat i shtohen marrëveshjeve të nënshkruara në vitet paraardhëse.

Pjesëmarrja e studentëve ishte tepër aktive, në këtë Panair u vlerësuan 8 studentët me CV-të më të mira, studentë të cilët vinin nga të pestë fakultetet e UBT-së.
Panairi i Karrierës rezulton një event i domosdoshëm në afrimin e Universitetit me sipërmarrjet, institucionet publike dhe organizatat dhe UBT e ka shndërruar atë në një traditë të suksesshme.