Designed and built with care, filled with creative elements

Top
Image Alt

Shkencat pyjore, dega e së tashmes dhe e së ardhmes

Dëmtimi masiv i hapësirave pyjore dhe nevoja imediate për specialistë në sektorin e pyjeve dhe të inxhinierëve pyjorë në territor për të parandaluar problematikat e shumta të këtij sektori, ishin disa nga temat e diskutuara në emisionin “Auditor Arsimi” në RTSH pak ditë më parë.

Ekspertë nga Universiteti Bujqësor i Tiranës, si Rektori i këtij institucioni, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku, përfaqësues të Fakultetit të Shkencave Pyjore si Dekani i tij, Prof. Asoc. Leonidha Peri dhe shefi i departamentit të pyjeve, Prof. Dr. Vath Tabaku dhanë opionionet e tyre në lidhje me një sërë problematikash. Sektori pyjor është gjithashtu një nga prioritetet e politikave qeveritare në këtë aspekt.  Profesorët e UBT-së e vunë theksin gjithashtu edhe tek reformimi i kurrikulave në institucionet arsimore në vend, të cilat kanë pësuar jo pak ndryshime për shkak të nevojave të tregut dhe efekteve ekonomike e sociale të ndodhura kohët e fundit.

Universiteti Bujqësor i Tiranës si më i madhi në vend, ofron për studentët programe studimore në dhjetëra degë të rëndësishme në disa sektorë të jetës, ndaj dhe përfaqësuesit e UBT-së, prezantuan disa prej tyre, të cilësuara pse jo, si degë të së nesërmes. Kështu, ata u ndalën tek domosdoshmëria dhe kërkesa e madhe e tregut për ekspertë në sektorin e pylltarisë dhe shkencat pyjore. Mbrojtja e mjedisit është një prej sektorëve i cili është i prekshëm dhe konkret për secilin nga ne, ndaj lipset nevoja e kualifikimit apo trajtimit të një sërë fushash që lidhen me këtë sektor. Për këtë arsye edhe profesorët e ftuar në “Auditor Arsimi” parashtruan dhe shpjeguan për audiencën e gjerë por edhe për maturantët në veçanti, se përse duhet të zgjedhin të vazhdojnë studimet e larta në këto degë me interes jetësor.

Prof. Dr. Sallaku e vuri theksin tek domosdoshmëria e disa profesioneve tradicionale që i duhen dhe i nevojiten shoqërisë dhe ekonomisë shqiptare, të tilla si profesioni i inxhinierit pyjor, ai i zooteknikut, agronomi, ai i mbrojtjes së bimëve apo hortikulturës. Rëndësia që këto degë kanë, duhet të shërbejnë për të orientuar të rinjtë në përzgjedhjet e tyre për ciklin e studimeve të arsimit të lartë dhe si alternative të frytshme të cilat ofrojnë edhe treg pune në vitet që do ta pasojnë periudhën pasuniversitare të studentëve.

Ndër të tjera u diskutua edhe për një problematikë të madhe që ka prekur vendin tonë kryesisht pas viteve 90, siç është prerja e paligjshme e pyjeve. Dëmet e shkaktuara nga prerja e paligjshme e tyre ka sjelle dëme të pallogaritshme në vend, por sipas profesorëve të UBT-së, pasojat e një fenomeni të tillë kanë lidhje të drejtpërdrejtë edhe me përmbytjet masive të ndodhura vit pas viti në vendin tonë. Si pasojë e prerjeve masive të pyjeve, reshjet e rëna gjatë muajve të fundit kanë shkaktuar edhe përmbytje në shumë zona. Ekspertë të Fakultetit të Shkencave Pyjore theksojnë se 45% e faktorëve që kanë ndikuar në këtë situatë lidhet specifikisht me këtë problematikë. Ata thanë se dega e shkencave pyjore duhet të ketë një vëmendje më të madhe tek studentët si një alternativë me benefite jo vetëm individuale por edhe kolektive.

Kliko këtu për tu kthyer te NEWSLETTER