Designed and built with care, filled with creative elements

Top
Image Alt

Sezoni i provimeve në UBT

Me sukses përfundoi sezoni i provimeve të semestrit në Universitetin Bujqësor të Tiranës, i cili nisi zyrtarisht në datën 18 shkurt. Zëvendësrektori për mësimin në UBT, Prof. ASOC. Dr. Ilir Kapaj saktëson se në zbatim të udhëzimeve të Ministrisë së Arsimit, Sporteve dhe Rinisë ky sezon u shty me një javë më tepër nga sa ishte planifikuar dhe përfundoi në javën e katërt të muajit mars. Për shkaqe të diktuara nga pandemia e COVID 19, provimet për sezonin e dimrit në universitetin më të madh në vend, u zhvilluan të alternuara. Një pjesë e provimeve, për lëndë/module që janë të mundshme, u zhvilluan online dhe pjesa tjetër në auditorët e universitetit. Përafërsisht rreth 20% e totalit të provimeve në nivel universiteti u mbajtën online dhe rreth 80% në auditor. Përsa i përket zbatimit të masave anticovid nëpër auditorë gjatë sezonit të provimeve, Prof. Kapaj thekson u morrën të gjitha masat që të respektohen protokollet e miratuara anticovid. Në këtë kuadër, administrata e universitetit dhe administratorët e fakulteteve përkatës, u angazhua maksimalisht që studentët të pajisen me maska në sallat e provimeve, ndërsa u realizua gjithashtu procesi i matjes së temperaturës dhe i vendosjes së dezinfektantëve në hyrje të secilës godinë të caktuar për provimet. Në kuadër të respektimit të këtyre masave rektorati vendosi që për çdo seancë provimi të mos ketë më tepër së 15 studentë të pranishëm në sallë. Lidhur me mundësitë e studentëve për të patur akses në provimet online, zv/rektori Kapaj thotë se përgjithësisht studentët e kanë një mundësi të tillë me përjashtime të rralla. Në këto raste, sipas tij, studentëve do t’u krijohet një mundësi e dytë për të marrë pjesë në provim online ose në auditor sipas rastit. Ndër të tjera Prof. Kapaj shton se plani i realizimit të provimeve për këtë semestër është pritur mirë nga ana e studentëve. Sipas tij, shumica prej tyre kanë kërkuar që provimet të realizohen në auditor dhe kjo është arsyeja se përse pjesën më të madhe të provimeve UBT zgjodhi ta realizojë në auditor duke respektuar dhe zbatuar në çdo rast protokollet e masave anticovid.