Designed and built with care, filled with creative elements

Top
Image Alt

Rektori i UBT, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku, zgjidhet President i UniAdrion për Periudhën 2021-2022

Në datën 17 nëntor 2020, Universiteti Bujqësor i Tiranës mori pjesë në takimin e Asamblesë së Përgjithshme, organizuar online nga shoqata ndërkombëtare UNIADRION me titull: ‘Round Table on Inter-University Cooperation, Higher Education challenges and responses in Covid time”.

UniAdrion është një shoqatë e universiteteve dhe qendrave kërkimore të zonës Adriatiko-Joniane themeluar në vitin 2000 me qëllim krijimin e një lidhjeje të përhershme midis këtyre institucioneve, brenda kornizës së Nismës Adriatiko-Joniane.

Qëllimi i UniAdrion është bashkëpunimi midis universiteteve dhe qendrave kërkimore me qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe favorizimin e përparimit të kulturës, shkencës, trajnimit dhe kërkimit në vendet e pellgut Adriatik-Jon.

Shoqata përfshin rreth 40 anëtarë të vendosur në vendet e mëposhtme: Shqipëri, Bosnjë-Hercegovinë, Kroaci, Greqi, Itali, Mal i Zi, Serbi, Slloveni. UniAdrion promovon bashkëpunimin shkencor-akademik kryesisht përmes zbatimit të nismave mësimore dhe kërkimore, të tilla si kurse trajnimi, diploma pasuniversitare, shkolla verore e projekte të përbashkëta kërkimore.

Bashkëpunimi është përqendruar në tema të ndryshme, koherente me shtyllat e Strategjisë së BE-së për rajonin Adriatiko-Jon (EUSAIR): rritja blu, lidhja e rajonit, cilësia e mjedisit, turizmi i qëndrueshëm dhe trashëgimia kulturore, sfidat shoqërore, analiza ekonomike dhe e politikave.

Sipas Statutit të saj, Presidenca e UniAdrion drejtohet me rotacion çdo vit dhe vjen nga vendi që mban Presidencën e Nismës Adriatiko-Joniane. UniAdrion ka një Sekretariat të Përhershëm të vendosur në Ankona në Universitetin Politeknik Marche. Sekretari i Përgjithshëm i shoqatës është një profesor i Universitetit Politeknik Marche, i emëruar nga Rektori i të njëjtit Universitet.

Në mbledhjen e Bordit Drejtues të UniAdrion që u zhillua online po më datë 17 nëntor 2020, Rektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës, Prof. Fatbardh Sallaku u zgjodh si presidenti i ardhshëm i shoqatës për periudhën 1 qershor 2021-30 maj 2022. Gjatë periudhës nëntor 2020-maj 2021, Prof. Sallaku do të mbajë pozicionin e zëvendëspresidentit të UniAdrion.

Përveç sesionit zgjedhor, po në këtë datë u organizua një tryezë e rrumbullakët mbi bashkëpunimin ndëruniversitar të UniAdrion me temë “Sfidat dhe përgjigjet e Arsimit të Lartë në kohën e COVID 19”. Ky aktivitet u organizua nga UniAdrion në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Iniciativën Adriatiko- Joniane dhe Universitetin e Primorskas.

Në këtë takim, Universiteti Bujqësor i Tiranës u prezantua nga Prof. Ass. Erinda Lika, zv/rektore e Shkencës dhe Projekteve si dhe anëtare e Bordit të UniAdrion, e cila prezantoi punimin me titull: Reagimi dhe sfidat e Universitetit Bujqësor të Tiranë në procesin e mësimdhënies dhe mësimnxënies gjatë periudhës së pandemisë Covid -19.

Duke marrë parasysh që tematika ishte e rëndësishme jo vetëm për rritjen e shoqatës por edhe për zhvillimin e politikave të BE-së në fushën e arsimit të lartë dhe shkëmbimin e praktikave më të mira midis universiteteve, në këtë takim u paraqitën punime shumë interesante dhe me interes për periudhën që po kalojnë të gjitha Universitetet sot në lidhje me zhvillimin e procesit mësimor në kushtet e pandemisë.

 

Kliko këtu për tu kthyer te NEWSLETTER