Designed and built with care, filled with creative elements

Top
Image Alt

Prof. Dr. Sokrat Sinaj, një kontribues i përhershëm i promovimit të Universitetit Bujqësor të Tiranës në arenën ndërkombëtare

Sokrat Sinaj u diplomua në Universitetin Bujqësor të Tiranës, Fakulteti i Agronomisë (sot Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit) në vitin 1981. Pas Diplomimit u emërua ‘’Kërkues shkencor’’ në Katedrën e Pedologjisë, Instituti i Shkencave të Tokës, Tiranë.

Në periudhën 1989–1990 përfundoi me rezultate të larta studimet pasuniversitare me një punim për Master në Shkencat Bujqësore në Institutin Kombëtar Politeknik të Lorenës (INPL), Nancy, Francë. Në vitin 1993 ka mbrojtur me rezultate maksimale (mention très honorable avec les félicitations du jury) doktoratën (PhD) në Shkencat Bujqësore po në INPL dhe pas doktoratës në vitet 1993–1994 ka kryer një qëndrim postdoktoral në Qendrën Kombëtare Franceze të Kërkimit Shkencor (CNRS) po në Nancy, Francë.

Në periudhën 1995-2007 ka qenë Profesor i asociuar dhe drejtues i grupit shkencor “Roli i proceseve abiotike në ciklin e elementeve ushqyes në tokat bujqësore” në Katedrën e të Ushqyerit të Bimëve Bujqësore, Departamenti i Agronomisë, Universiteti Politeknik Federal i Zürichut (ETHZ) në Zvicër. Nga viti 2007 është drejtues i Grupit shkencor “Ushqimi i bimëve bujqësore” në Institutin Kombëtar të Kërkimeve Bujqësore, AGROSCOPE, në Zvicër. Objektivi kryesor i punës shkencore të grupit që ai drejton, konsiston në njohjen e proceseve dhe mekanizmave që kontrollojnë ciklin e elementeve ushqyes në agro-sisteme të ndryshme si dhe në zhvillimin e metodave shkencore që ofrojnë përcaktim të saktë të disponibilitetit të tyre për bimët bujqësore me qëllim propozimin e modeleve integruese të menaxhimit të elementeve ushqyes në sisteme bujqësore efikase dhe ekologjike.

Në periudhën 1999-2000, Prof. Sinaj ka kryer një qëndrim sabatik në Zelandën e Re (Soil, Plant & Ecological Science Division, Lincoln University) dhe në SHBA (USDA ARS, University Park, Pennsylvania).

Në vitin 2005, Dr. Sinaj mori titullin “Profesor Universiteti” nga Ministria Franceze e Arsimit të Lartë dhe Shkencës dhe titullin akademik “Profesor”, bazuar në vlerësimin e Komisionit të Vlerësimit të Titujve Akademikë, Ministria e Arsimit dhe Sportit, Tiranë.

Krahas detyrave të përditshme, Prof. Sinaj drejton në nivel kombëtar komitete dhe grupe pune në Ministrinë e Bujqësisë në relacion me kërkimin shkencor në fushën e “Ushqimit të bimëve bujqësore” dhe “Shkencës së tokës”. Në nivel ndërkombëtar, Profesor Sinaj ofron ekspertizën e tij në vlerësimin e projekteve të shumta shkencore në fushën e “Shkencës së tokës”, “Ushqimit të bimëve bujqësore” dhe “Mbrojtjes së ambientit” për shumë shtete dhe institucione të rëndësishme si Komisioni Europian, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike në Vjenë, qeveritë franceze, gjermane, italiane, kroate, kanadeze etj. Ai është gjithashtu anëtar i Komitetit Strategjik “Plehërimi i kulturave bujqësore dhe ambienti” në Ministrinë Franceze të Bujqësisë, anëtar i bordit editorial për disa revista shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare, anëtar i shoqatave profesionale kombëtare dhe ndërkombëtare si dhe mbështet në mënyrë aktive interesat e kërkuesve shqiptarë jashtë vendit.

Prof. Sinaj ka dhënë një kontribut të veçantë në nivele të ndryshme edhe për vendin e tij, Shqipërinë. Ai ka drejtuar Grupin e punës pranë Qeverisë shqiptare për përgatitjen e “Ligjit për Kthimin dhe Kompensimin e Pronës ish-Pronarëve” dhe “Metodikës për vlerësimin e pronës”, ka organizuar disa konferenca shkencore ndërkombëtare me impakt të rëndësishëm për vendin si: “Element Balances as a Tool for Sustainable Land Management”, 13-18 mars 2005, Hotel Tirana, Shqipëri; “International Conference on Soil”,  4-6 Maj 2015, Agricultural University of Tirana; “XVe European Society for Agronomy Congress”, 27-31 gusht 2018, Gjenevë, Zvicër; “9th European Society for Soil Conservation International Congress”, 26-28 shtator 2019, Agricultural University of Tirana etj.

Ai ka drejtuar projekte të ndryshme shkencore financuar nga qeveria zvicerane, në bashkëpunim me kolegë të Universitetit Bujqësor të Tiranës (UBT) dhe universitete të tjera të ish-vendeve komuniste si projekti “Improving the knowledge-base and infrastructure to enhance the efficiency of nutrient use in agriculture and to reduce the negative impact of agriculture on the environment” si dhe publikuar në revista prestigjioze rezultatet shkencore së bashku me kolegët e UBT.

Aktualisht, me mbështetjen e tij po pregatitet një program shkencor i përbashkët midis Departamentit të Bimëve Mjekësore të Agroscope dhe Fakultetit të Bujqësisë dhe Mjedisit në UBT, me objektiv ngritjen e urave të një bashkëpunimi shkencor afatgjatë midis dy institucioneve në fushën e bimëve mjekësore dhe aromatike (MAPs). Programi, veç aspektit shkencor dhe ekonomik do të ketë edhe përfshirjen e studiuesve të rinj shqiptarë përmes formimit të tyre në nivele master dhe doktoratë për tematika të ndryshme duke filluar nga kartografimi i bimëve indogjene në nivel kombëtarderi në krijimin e varieteteve të reja të MAPs me bazë bimët indogjene shqiptare.

Gjatë 25 vjetëve të fundit Prof. Sinaj ka koordinuar më shumë se 30 projekte të ndryshme kërkimore shkencore me impakt kombëtar dhe ndërkombëtar dhe ka botuar më shumë se 200 artikuj shkencor (H Index: 34, Citations:> 3700, GS) në revista shkencore ndërkombëtare të fushës, shumë libra dhe monografi dhe ka udhëhequr mbi 60 studentë në master, doktoratë dhe kërkues shkencor në studimet e postdoktoratës.

Karriera e akademike e Prof. Sinaj është e pasur edhe si ligjërues në fushën e të ushqyerit të bimëve bujqësore në ciklin e parë dhe të dytë të studimeve, me studentë të Fakultetit të Agronomisë të degëve Agronomi e Përgjithshme dhe Mbrojtje e Ambientit në Universitetin Federal Politeknik të Zürichut (ETHZ) në Zvicër si dhe me studentët  pasuniversitarë të Departamenteve Agronomi, Mbrojtje e Ambientit dhe Biologji të ETHZ dhe Universitetit të Zürichut.

Prof. Sokrat Sinaj është Anëtar i Këshillit Koordinues të Diasporës Shqiptare dhe ndihmon aktivisht komunitetin shqiptar jashtë vendit.

UBT i është mirënjohës dhe falenderon Prof. Sinaj për mbështetjen e vazhdueshme dhe promovimin e UBT-së në arenën ndërkombëtare.

Kliko këtu për tu kthyer te NEWSLETTER