Designed and built with care, filled with creative elements

Top
Image Alt

Prof. Dr. Agim Canko – Një figurë e shquar akademike në sektorin e bujqësisë

Në nderim të Prof. Dr. Agim Canko!

Prof. Dr. Agim Canko, një nga emrat më të spikatur në fushën e agronomisë, përmirësimit gjenetik të bimëve, u largua nga jeta pak muaj më parë. Ai la pas një boshllëk të madh shpirtëror për ata që e njohën por gjithashtu la një vepër të madhe në profesionalizmin e tij, në punën studimore që kreu, në kërkime shkencore, mësimdhënie, etj.

Por cili ishte Agim Canko?

Agimi lindi në Lapardha, Berat, në 25 mars të vitit 1957, dhe pasi mbaroi gjimnazin në po të njëjtin qytet, në vitin 1977 nisi studimet e larta në Institutin e Lartë Bujqësor në degën “Agronomi e Përgjithshme” të cilat i përfundoi me sukses në vitin 1982.

Ai u emërua menjëherë si kërkues shkencor në Institutin e Kërkimeve Bujqësore Lushnje i përzgjedhur si student me rezultate shumë të larta. Në vitin 1985 u regjistrua si Kandidat i Shkencave dhe në vitin 1990 me vendim të Komisionit të Lartë të Aftësimit, mori gradën shkencore “Kandidat i Shkencave”. Në vitin 1993, Agimi mori gradën shkencore ‘’Doktor i Shkencave”.

Deri në vitin 2002 punoi si kërkues shkencor dhe përmirësues gjenetik i bishtajoreve në I.K.B Lushnjë, ku gjithashtu kreu dhe detyrën e përgjegjësit të departamentit dhe si drejtor i këtij institucioni (1994-1997). Më pas, nga viti 2002 deri në 2010, ai punoi si kërkues shkencor në Institutin e Kërkimeve të Bimëve të Arave – IKBA Fushë-Krujë (sot QTTB Fushë-Krujë), ku kreu detyrën e Koordinatorit të Resurseve Gjenetike të Bimëve të Arave në QTTB Fushë-Krujë.

Prej vitit 2010, Agimi ishte pjesë e stafit akademik të Departamentit të Shkencave Agronomike, dhe lektor në modulin ‘’Prodhim Bimor’’, në Fakultetin e Ekonomisë dhe Agrobiznesit dhe Fakultetit të Bujqësisë dhe Mjedisit. Në vitin 2016, Prof. Agim Canko mori titullin ‘’Prof. Dr. i Shkencave Bujqësore”.

Përmirësimi gjenetik i bimëve bishtajore, në sajë të kontributit dhe angazhimit  shkencor të Agimit, njohu arritje impresionuese. Nëse përmirësimi gjenetik i grurit, kishte një trashëgimi të pasur, në bishtajoret për kokërr, asnjëherë nuk kishte patur punë të mirëfilltë përmirësuese. Për herë të parë u ndërmorën projekte konkrete, duke ecur në rrugë të pashkelura. Shfrytëzimi i literatrurës botërore më të përparuar, përgatitja e lartë teorike dhe shkencore e Agimit, bënë që në vendin tonë të krijoheshin për herë të parë kultivarë të rinj të fasules me tregues cilësore dhe produktive që nuk mbeteshin mbrapa atyre të krijuar nga seleksionimi boteror.

Prof. Agim Canko është autor i krijimit të pesë kultivarëve të rinj të fasules, të regjistruar në regjistrin kombëtar të varieteteve; i publikimit të mbi 30 artikujve shkencorë; i pjesëmarrjes në 26 konferenca shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare; i botimit të katër monografive shkencore; pjesëmarrës dhe koordinator në shtatë projekte kërkimore kombëtare e ndërkombëtare dhe udhëheqës shkencor i një doktorate në fushën e Resurseve Gjenetike të Bishtajoreve në Kosovë.

Gjatë aktivitetit të tij në institucionet kërkimore shkencore ka kryer dy specializime në Itali (1985 dhe 2017) për përmirësimin gjenetik të bimës së fasules dhe bujqësinë organike.

Pesë vite më parë u diagnostikua me një sëmundje të rëndë prej së cilës iu nënshtrua kurave të ndryshme mjekësore në Tiranë dhe Itali. Fatkeqësisht në fillim të korrikut të këtij viti, gjendja shëndetësore e tij u përkeqësua dhe Agimi u nda nga jeta.

Kolegëve, shokëve dhe miqve do t’u mungojë një njeri i rrallë si Gimi dhe studentëve do t’u mungojë pedagogu model. Ai do të mbahet mend si një njeri mëndje hapur, i drejtpërdrejtë, i kulturuar dhe me një botë të madhe shpirtërore.

 

Kliko këtu për tu kthyer te NEWSLETTER