Designed and built with care, filled with creative elements

Top
Image Alt

Prioritetet e Kërkimit Shkencor

Rreth Nesh
Organigrama
Rregulloret
Karta Europiane për kërkuesit Shkencor
Kodi i Etikës në kërkimin Shkencor
Prioritetet e Kërkimit Shkencor
Konferencat Shkencore në UBT
AJAS
Informohu

Kërkimi shkencor është një nga misionet kryesore të Universitetit Bujqësor të Tiranës (UBT). Njësitë kryesore dhe bazë që janë pjesë përbërëse të UBT-së, kryejnë veprimtari kërkimore-shkencore bazë ose të zbatuara, studime, projekte për zhvillim dhe veprimtari të tjera krijuese, sipas natyrës dhe objektivave specifike të institucionit.

Veprimtaria kërkimore-shkencore, që kryhet në këto njësi synon (i) të mbështesë zhvillimin e vendit dhe rritjen e cilësisë së arsimit; (ii) të mbështesë dhe të konsolidojë fushat e bashkëpunimit të kërkimit shkencor me institucionet partnere ndërkombëtare dhe kombëtare të arsimit të lartë dhe me institucionet kërkimore shkencore.

Nëpërmjet veprimtarisë kërkimore-shkencore, personeli akademik dhe studentët fitojnë aftësi për kërkime të pavarura, në funksion të zhvillimit të qendrueshëm profesional dhe karrierës akademike. Cilësia dhe thellësia e programeve të studimit dhe kërkimit akademik, përcaktojnë fuqimisht reputacionin dhe prestigjin e UBT-së.

Synimi i UBT-së, si qendra kryesore e edukimit dhe kërkimit në fushën e shkencave bujqësore, mjedisore, ekonomike, pyjore, të bioteknologjisë ushqimore dhe shkencave veterinare është të ofrojë mësim dhe kërkim inovativ, bazuar në stafit akademik dhe kërkimor profesionist, si dhe infrastrukturës apo bazës laboratorike të admirueshme që UBT disponon, e cila është fuqizuar vazhdimisht falë projekteve të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare.

Parimet mbi të cilat UBT-ja mbështetet për realizimin e objektivave të kërkimit shkencor janë ato që rekomandohen sipas ERA Principles, si më poshtë:

  • Kërkim më efektiv duke u ballafaquar me konkurencën në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar nëpërmjet (i) maksimalizim të eficiencës së parave publike të investuara, (i) konkurim në programe ndërkombëtare duke nxitur konkurencën e kërkuesve dhe përmirësuar financimet dhe (iii) vlerësim të cilësisë nga organizma/trupa/institucione ndërkombëtare të cilat mbështeten në metrika ndërkombëtare (international metric);
  • Optimizim të bashkëpunimit ndërkombëtar në kushte konkurence nëpërmjet forcimit të lidhjeve më vendet kufitare dhe benefiteve që vijnë nga programet rajonale;
  • Lehtësim i lëvizshmërisë, trajnim dhe karrierë për studiuesit dhe përdorimi i njohurive nëpërmjet transferimit të tyre.

Sipas Ligjit të Arsimit Lartë dhe Statutit të UBT-së, kërkimi shkencor kryhet nga departamentet dhe i koordinuar në mënyrë sinergjike nga zyra e Zv/Dekanit për Kërkimin Shkencor, ndërsa në nivel universiteti puna kërkimore koordinohet dhe orientohet nga Zv/Rektori për Kërkimin Shkencor, i mbështetur nga Drejtoria e Kërkimit Shkencor dhe Promovimit Akademik. Struktura të tjera të Rektoratit, mbështetin gjithashtu kërkimin si Zyra e Marrëdhënieve me Biznesin, Zyra e Karrierës dhe Marrëdhënieve me Publikun.

UBT aktualisht përballet me një mori sfidash e dilemash të zhvillimit bujqësor në tërësi dhe për pasojë duhet të gjejë mënyrën më të mirë të organizimit, për ta ngritur kërkimin shkencor në nivelin e standardeve bashkëkohore. Njëkohësisht, për të qenë sa më atraktivë në ekonominë reale, tematikat e kërkimit shkencor duhet të jenë të tilla që t’i përgjigjen strategjisë së kërkimit shkencor të vendit. UBT duhet të luajë rolin e liderit në zhvillimin teknologjik dhe kërkimin shkencor në fushat e bujqësisë, ekonomisë, veterinarisë, agromjedisit, pyjeve, bioteknologjisë ushqimore, etj. Ai duhet të kthehet në një institucion që të organizojë trajnime, ekspertiza, të cilët duhet të jenë pjesë e politik-bërjes për bujqësinë. Për këtë në mënyrë të vazhdueshme punohet që:

  • të përmirësohet në mënyrë të vazhduar cilësia e kërkimit;
  • të ngrihet profili ndërkombëtar i kërkimit;
  • të nxiten lidhjet kërkimore shumë disiplinore dhe ndër disiplinore;
  • të nxitet transferimi i teknologjive.

Si detyrë e rëndësishme e UBT-së, për kërkim dhe zhvillim, është nxitja dhe mbështetja e transferimit të njohurive dhe teknologjive nga universiteti drejt botës së biznesit. Universiteti dhe njësitë e tij përbërëse, janë të përfshira në marrëdhënie bashkëpunimi reciproke me universitete të tjera, me institucione dhe organizata të sektorit privat dhe publik. Vlen për tu theksuar, se bashkëpunimi me universitetet e tjera brenda dhe jashtë vendit, po forcohet si rrjedhojë e krijimit të marrëveshjeve bashkëpunuese ndëristitucionale me universitete të rankuar të BE-së dhe mëe tej, si dhe duke u përfshirë në projekte të përbashkëta kërkimore të financuara nga qeveritë e vendeve të tjera dhe organizata e institucione ndërkombëtare.

Aktualisht, UBT ka hyrë në etapën e tretë afatgjatë të zhvillimit, duke synuar standartet evropiane të mësimdhënies, në kërkim shkencor dhe në ofrimin e produkteve e shërbimeve për të tretët.

Gjatë gjithë kësaj kohe, UBT është cilësuar si një institucion me reputacion dhe pa problematika që mund të cënojnë apo dëmtojnë imazhin e fituar ndër vite. Gjithashtu, UBT duke u bazuar në performancën akademike të mësimdhënies dhe aktivitetin kërkimor-shkencor, ka shënuar arritje të ndjeshme edhe në klasifikimin botëror përsa i përket performancës së tyre.

Pas një vlerësimi të shkëlqyer mbi plotësimin e të gjitha standarteve të Akreditimit të vlerësuara nga Kompania Britanike dhe APAAL vjeshtën e vitit 2016, Këshilli i Lartë për Kërkime Shkencore (Consejo Superior de Investigaciones Científicas, CSIC.),http://www.webometrics.info/en/Europe/Albania, organi më i madh publik i Kërkimit në Spanjë, e renditi Universitetin Bujqësor të Tiranës në vend të parë ndër të gjithë universitetet shqiptare gjatë periudhës 2018-2019.

Rënditja e UBT në vendin e parë në Shqipëri, e vendos këtë universitet në elitën e Universiteteve Evropiane dhe botërore, si një Qendër që përfaqëson aktualisht universitetin me eksperiencën më të gjatë në fushën e arsimit të lartë publik në Shqipëri (70 vjet), i veçant për programet e studimit që ofron dhe lider në fushën e kërkimit në bujqësi, blegtori, agromjedis, ushqim, ekonomi dhe menaxhim, pyje, veterinari, biteknologji ushqimore, etj. UBT është universitet me një bashkëpunim shumë të gjatë me institucione prestigjioze brenda dhe jashtë vendit, një universitet me standarde mjaft të larta në edukim, kërkim dhe programe studimore fleksibël, që mundësojnë përzgjedhje shumë të mira dhe që ofrojnë kompetenca të shumëfishta për të gjithë të diplomuarit në vend. Fushtat prioritare të kërkimit shkencor në UBT sipas fakulteteve jepen në vijim.

 

Fakulteti Bujqësisë dhe Mjedisit (FBM)

Në FBM puna kërkimore shkencore është fokusuar në këto fusha kryesore:

  • Studimi i teknologjve të reja në prodhimin me orientim drejt kulturave të qëndrueshme të prodhimit bujqësor dhe blektoral, me një përdorim racional dhe efektiv të inputeve në bujqësi për të siguruar prodhim të lartë e cilësor si dhe ruajtje të cilësive të tokës dhe mjedisit;
  • Studime molekulare të distancave gjenetike në popullata të ndryshme të bimëve të kultivuara dhe të egra, përmirësimi gjenetik i bimëve bujqësore, aromatike dhe medicinale;
  • Vlerësimi dhe mbrojtja e mjedisit, rehabilitimi mjedisor i ekosistemeve të dëmtuara/degraduara për një menaxhim të qendrueshëm të burimeve natyrore;
  • Vlerësimi i ekosistemeve mjedisore të ndotura nga metalet e rëndë, komponimet organike dhe inorganike bazuar në metoda analitike dhe parametrat biologjikë;
  • Menaxhimi i sëmundjeve në kultura të ndryshme bujqësore dhe kontrolli i integruar i dëmtuesve në bimët bujqësore;
  • Shtimi i bimëve hortikulturore dhe fziologjia e stresit abiotik si dhe vlerësim, projektim dhe menaxhim peizazhi;
  • Vlerësimi ekonomik, zooteknik dhe shëndetsor i fermave blegtorale dhe të akuakulturës në kushtet e vendit tonë;
  • Metodat dhe teknlogjitë e reja të prodhimit, përpunimit dhe konservimit të ushqimeve për blegtorinë dhe akuakulturën;
  • Vlerësimi i diversiteti gjenetik të resurseve gjenetike shtazore me anë të markerëve molekularë, konservimi dhe permiresimi gjenetik i resurseve shtazore;
  • Biodiversiteti i gjallesave ujore, dinamika e popullatave peshkore dhe rezervat e tyre, shfrytëzimi i qendrueshëm i rezervave, menaxhimi i integruar i burimeve peshkore dhe minimizimi i ndikimit të aktivitetit të peshkimit në habitatet ujore dhe biodiversitetin pëerkatës;
  • Teknologjitë e reja në fushën e akuakulturës detare dhe atë të ujërave të brendshme dhe vlerësimin e ndikimit në mjedis i sistemeve të akuakulturës.

 

Fakulteti i Ekonomisë dhe Agrobiznesit (FEA)

Kërkimi shkencor në FEA është i fokusuar në këto fusha prioritare të kërkimit si më poshtë:

  • Strategjitë dhe politikat e zhvillimit rural të integruar, turizmit rural, zhvillimet rajonale dhe politikat e integrimit rajonal dhe ndër-rajonal;
  • Politikat bujqësore dhe analiza e vlerësimi i inputeve dhe outputeve në bujqësi;
  • Strategjitë dhe politikat e menaxhimit të agrobiznesit, alternativat e kooperimit në bujqësinë shqiptare dhe të integrimit të fermerëve në tregje;
  • Probleme të menaxhimit dhe marketingut në zinxhirin e vlerës të produkteve bujqësore;
  • Strategjitë dhe politikat e financimit të sipërmarrjeve private në dobi të zhvillimit të qëndrueshëm të tyre.

 

Fakulteti i Bioteknologjië dhe Ushqimit (FBU)

FBU ka si prioritet të kërkimit shkencor tematikat si vijon:

  • Studimi i potencialeve enologjike të varieteteve autoktone të rrushit, prodhimin e distilateve alkoolike me cilësi të lartë; lidhjen midis varieteteve autoktone e ullirit dhe cilësisë së vajit dhe përcaktimin e profileve të tyre, studime teknologjike për prodhimin e frutave dhe perimeve, vlerësimin sensorial të ushqimeve, menaxhimin e sigurisë ushqimore;
  • Studimi i vetive funksionale të përbërësve të ushqimit (për qëllime të përpunimit, ruajtjes dhe të ushqyerit);
  • Studimi i parametrave bioteknologjikë të prodhimit dhe ruajtjes së produkteve ushqimore, përmes njohjes dhe vlerësimit të parametrave fiziko-kimike dhe proceseve mikrobiale, si dhe analizimin mikrobial të produkteve të ndryshme ushqimore për praninë e mikroorganizmave të ndryshme patogjene në këto produkte;
  • Projektimi dhe përmirësimi i linjave apo proceseve të ndryshme të industrisë ushqimore (projektime shkëmbyesish nxehtësie dhe pasterizatorësh për industrinë e qumështit);
  • Vlerësimi i integruar i resurseve biologjike në mjediset ujore dhe tokësore, konsiderimin e mjediseve bujqësore dhe trajtimin e tyre për një ambient kultivimi cilësor i lëndëve të para që përdoren në Industrinë agroushqimore.

 

Fakulteti i Mjeksisë Veterinare (FMV)

Fushat prioritare të kërkimit shkencor në FMV janë si vijon:

  • Anatomia krahasuese dhe problemet e funksionimit të metabolozmit në kafshe të vogla dhe të mëdha;
  • Vlerësime të përmbajtjes së metaleve të rëndë dhe substancave të tjera ndotëse në indet dhe gjakun e kafshëve;
  • Kushtet mjedisore dhe shëndeti i kafshëve, biopatologjitë dhe gjurmimi i sëmundjeve zoonotike në kafshë;
  • Siguria ushqimore dhe shëndeti publik, reduktimi i rrezikut në ushqime dhe vlerësimi veterinar;
  • Patologjitë e kafshëve ripërtypëse, monogastrike dhe kirurgjia;
  • Riprodhimi dhe teknologjitë e reja të riprodhimit në kafshë si dhe patologjitë e tyre;
  • Aplikime terapeutike bashkëkohore për sëmundje problemore të kafshëve në nivel individi dhe tufë;
  • Studimi i treguesve normalë hematologjikë dhe biokimikë në kafshët bujqësore, shpendët e produktet e peshkimit dhe ndikimi i faktorëve të ndryshëm të mjedisit, farmakologjia dhe farmakovigjilenca.

 

Fakulteti i Shkencave Pyjore (FSHP)

FSHP ka fokusuar kërkimin shkencor në këto fusha prioritare, si vijon:

  • Kërkime shkencore mbi rigjenerimin e sipërfaqeve të degraduara të habitateve shkurrore e të dushkajave, në kuader të Konventës së luftës kundër degradimit dhe shkretëtirëzimit;
  • Studime të lidhura me menaxhimin adaptiv të tipeve të vegjetacionit pyjor e barishtor në fiksimin e CO2, në kuadër të Konventës për Ndryshime Klimatike;
  • Kërkim mbi përhapjen e praktikat më të mira të mbarështrimit të qendrueshëm të pyjeve, menaxhimi i integruar i pyjeve dhe metodat inovative të luftës biologjike ndaj dëmtuesve në pyje;
  • Studimi i potencialeve të prodhimit të biomasës pyjore për bioenergji dhe krijimi i plantacioneve me lloje me cikël të ulët prodhimi për energji;
  • Sistemet e rrallimeve dhe teknikat e punës gjatë ndërhyrjeve, si dhe vlerësimi i impakteve mjedisore të punimeve në pyje;
  • Vlerësimi ekonomik i shërbimeve mjedisore nga pyjet dhe i kontributit të tyre në jetesën e komuniteteve në zonat rurale;
  • Studimi i kapaciteteve prodhuese për produktet jo drusore dhe shfrytëzimi i tyre;
  • Teknologjitë e përpunimit mekanik të drurit dhe paneleve prej druri si dhe modifikimi termo-kimik i vetive fizike, mekanike e teknologjike të drurit;
  • Studime mekanike dhe sisteme numerike në industrinë e drurit, parmentrat kinematikë të makinave dhe instrumentave prerës dhe ndikimi i tyre në cilësinë e përpunimit të drurit;

 

Instituti i Resurseve Gjenetike të Bimëve (IRGJB)

Puna kërkimore shkencore në IRGJB përfshin fushat prioritare të paraqitura si vijon:

  • Eksplorimi dhe koleksionimi i Resurseve Gjenetike të Bimëve (RGJB) për shtimin e koleksioneve ex situ: (bazë fara, fushore, aktive);
  • Menaxhimi i koleksioneve ex situ: koleksionet bazë me fara, fushore dhe aktive;
  • Rigjenerimi dhe shumimi i materialit gjenetik të gjermoplazmës së vendit;
  • Karakterizimi dhe vlerësimi i aksesioneve të gjermoplazmës së vendit;
  • Ruajtja, shumëzimi dhe përdorimi i qëndrueshëm i resurseve gjenetike të bimëve/të varieteteve të fermerit.