Designed and built with care, filled with creative elements

Top
Image Alt

Parlamenti Rural Shqiptar II

U mbajt në datat 4-5 mars Parlamenti i Dytë Rural Shqiptar 2021 me pjesëmarrjen e rreth 600 personave nga e gjithë Shqipëria. Pjesëmarrësit u mblodhën virtualisht dhe fizikisht në punimet e këtij parlamenti organizuar nga Rrjeti Shqiptar për Zhvillimin Rural në koordinim me Universitetin Bujqësor të Tiranës dhe Universitetin Epoka dhe me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve publike, autoriteteve vendore, fermerëve, organizatave të shoqërisë civile dhe aktorëve të tjerë në nivel vendor. Pavarësisht vështirësive të krijuara nga pandemia Covid-19, Parlamenti i dytë Rural Shqiptar, nëpërmjet platformës digjitale dhe falë përpjekjeve organizative dhe koordinuese të Rrjetit Shqiptar për Zhvillim Rural, bëri të mundur realizimin e këtij takimi të rëndësishëm për dialog, bashkëpunim, shkëmbim dhe diskutim të çështjeve me rëndësi për zhvillimin rural si dhe për të ofruar rekomandime për zhvillimin dhe rigjallërimin e jetës dhe ekonomisë së komuniteteve rurale. Parlamenti dhe forumet rajonale krijuan hapësira diskutimi dhe konsultimi duke mundësuar kështu forma të tjera për marrjen e kontributeve nga aktorë të ndryshëm duke shenjuar kështu një nga momentet më të rëndësishme për të shqyrtuar realitetin dhe për t’u njohur më mirë me nevojat dhe problematikat, për të reflektuar rreth vizionit dhe prioriteteve që synojnë përmirësimin e jetës së komuniteteve rurale në vend.
Nga ky parlament rural iu bë thirrje publike qeverisë, parlamentit, ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, njësive të vetëqeverisjes vendore, Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural si dhe aktorëve të tjerë publikë dhe privatë, përfshirë këtu akademinë, organizatat e shoqërisë civile, biznesin e të tjerë që të investojnë për rigjallërimin e jetës dhe ekonomisë së komuniteteve rurale pasi konstatohet si e vakët. I promovuar si një model dhe projekt evropian tre vite më parë, Parlamenti Kombëtar Rural në Shqipëri mbetet një projekt me fokus tek mirëqeverisja si edhe tek demokracia gjithëpërfshirëse.

Parlamenti Rural Shqiptar II realizuar me mbështetjen e BE dhe GIZ Albania u zhvillua në ambientet e Universitetit Epoka duke respektuar të gjitha masat e nevojshme për parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID 19. Ky parlament është një event shumë i rëndësishëm kushtuar përmirësimit të jetës së banorëve në zonat rurale të vendit, zhvillimit të këtyre zonave, zhvillimit të bujqësisë si edhe për një të ardhme më të sigurtë e më të kënaqshme në Shqipërinë rurale sipas standarteve të Bashkimit Europian.

Pjesë e sesionit të hapjes së Parlamentit Rural Shqitar II mori pjesë edhe Mario Mariani, Shefi i Bashkëpunimit në Delegacionin e Bashkimit Evropian në Shqipëri i cili ndër të tjera u shpreh: “Qëllimet e sektorit agro-ushqimor shqiptar janë në shumë aspekte të ngjashme me ato në BE. Ne të gjithë ndajmë shqetësimin që sektori i bujqësisë dhe hapësira rurale të mund të gjenerojnë të ardhura të mjaftueshme dhe mundësi për popullsinë rurale, të ndihmojnë zhvillimin ekonomik të sektorëve të tjerë dhe në të njëjtën kohë, bujqësia të bëhet më e qëndrueshme dhe miqësore me mjedisin, dhe gjithashtu traditat dhe kultura të ruhen”. Parlamenti i dytë bëri bashkë pjesëmarrës nga komunitete të ndryshme rurale, si dhe organizata aktive në zhvillimin bujqësor dhe rural, për të diskutuar mbi sfidat dhe mundësitë për një zhvillim rural më të fortë. Rrjeti Shqiptar për Zhvillimin Rural financohet nga Bashkimi Evropian.

 
Kliko këtu për tu kthyer te NEWSLETTER