Designed and built with care, filled with creative elements

Top
Image Alt

Objektivat DAP

Departamenti i Akuakulturës dhe Peshkimit synon të arrijë objektivat e meposhtëm:

  • Përmirësimi i vazhdueshëm i kurrikulave të studimeve dhe hapja e programeve të reja në përputhje me tendencat e zhvillimit të sektorit të akuakulturës dhe peshkimit dhe kërkesat e tregut të punës.
  • Krijimi i një mjedisi nxitës dhe inovativ në funksion të përmirësimit të cilësisë së mësimdhënies, mësimnxënies dhe aktivitetit kërkimor sipas kërkesave të kohës dhe standardeve ndërkombëtare.
  • Fuqizimi i marrëdhënieve me institucione akademike dhe kërkimore kombëtare dhe ndërkombëtare.
  • Transformimi i DAP-it në një qendër kombëtare të studimeve mbi detin dhe shfrytëzimin e qëndrueshëm të burimeve detare, si dy nga komponentët kryesorë të Strategjisë për Zhvillimin Blu të Komisionit Europian (Blue Growth Strategy of European Commission).

 

Departamenti i Akuakulturës dhe Peshkimit përbëhet nga tre njësi kryesore:

  • Departamenti në kampusin universitar të UBT, ku zhvillohet pjesa më e madhe e kurseve teorike dhe praktike. Përveç auditorëve, në këtë njësi gjendet edhe Laboratori i Akuakulturës dhe ai i Akuariologjisë dhe Hidrobiologjisë, të cilët janë në funksion kryesisht të mësimit, por edhe të aktivitetit kërkimor.
  • Laboratori i Akuakulturës dhe Peshkimit, Durrës, në të cilin, për shkak të afërsisë me detin dhe mjetet lundruese, përpunohen dhe analizohen mostrat e ujit dhe të organizmave peshkore. Laboratoret e kësaj njësie mirëpresin studentët për kryerjen e praktikave mësimore, tezave të diplomës, si dhe stafin akademik e kërkimor për aktivitetin kërkimor.
  • Qendra Didaktike Kërkimore e Prodhimit të Rasateve të Peshkut, Tapizë, Fushë-Krujë. Kjo njësi shërben si për zhvillimin e praktikave mësimore të studentëve që studiojnë akuakulturë dhe peshkim, ashtu edhe për kërkim në fushën e riprodhimit të drejtuar të peshqve të ujërave të brendshëm dhe përmirësimit gjenetik të tyre. Në këtë njësi eksperimentohet gjithashtu me riprodhimin dhe kultivimin e peshqve dekorative të familjes së krapit. Kjo qendër prodhon në vit rreth njëqind mijë rasate peshqish të familjes së krapit, kryesisht krap, ballgjerë, amur, pëllëmbëz, të cilët janë të kërkuar nga fermerët e akuakulturës për kultivim dhe nga entet shtetërore apo private, që administrojnë rezervuarët natyrorë dhe artificial, për peshkëzim.

Departamenti i Akuakulturës dhe Peshkimit bashkëpunon me grupe kërkimore të UBT dhe universiteteve të tjera shqipëtare e të huaja me të cilat ndan fusha të ngjashme kërkimi. Departamenti gjithashtu ka marrëdhënie bashkëpunimi me Drejtorinë e Shërbimeve të Peshkimit dhe Akuakulturës, MBZHRAU, Inspektoriatet Lokale të Peshkimit dhe Akuakulturës, Organizatat e Menaxhimit të Peshkimit, Organizatën e Akuakulturistëve Detare dhe me shumë fermerë të akuakulturës dhe ndërmarrje peshkimi e përpunimi të produkteve peshkore.