Designed and built with care, filled with creative elements

Top
Image Alt

Një jetë në shërbim të shkencës e arsimit…

Lamtumirë, Profesor Selim Luku

 

Trishtimi po na kaplon këto kohë kovidiane, ndërsa mësojmë për humbje jete të njerëzve të njohur apo të afërmëve. E madhe ishte dhembja kur mësuam një ditë më parë për ndarjen nga jeta të profesorit, kolegut dhe mikut tonë Prof. Selim Luku, i cili e humbi betejën me virusin e tmerrshëm COVID 19.
Profesor Selimi dalë në pension pak vite më parë, mbylli suksesshëm një karrierë akademike rreth 45-vjeçare si pedagog i Fakultetit të Mjekësisë Veterinare.
Secili prej nesh, studentë të tij, kolegë, bashkëpunëtorë e miq të tij jemi thellësisht të trishtuar për largimin nga jeta të Profesorit të nderuar. E kemi njohur atë si një njeri të ndershëm dhe modest, dashamirës e plot pozitivitet. Të gjithë e kemi vlerësuar atë për aftësitë, virtytet dhe karakterin e tij unik.
Gjatë gjithë periudhës akademike, si një simbol i thjeshtësisë e seriozitetit, punëdashës dhe me ambicie të mëdha për mësimdhënien, profesori ka punuar sistematikisht me këmbëngulje për rritjen e nivelit të tij shkencor-akademik.
I fokusuar në disiplinën e anatomisë dhe histologjisë veterinare, ai është shquar për urtësinë në mësimdhënie, për thjeshtësinë, korrektësinë dhe dashamirësinë e treguar për studentët, duke fituar respektin e brezave në dekada.
Prof. Selim Luku ka realizuar një sërë studimesh shkencore dhe artikujsh në fushën e Hematologjisë në kafshë. Ai është autor dhe bashkëautor në një sërë tekstesh të Histologjisë dhe Anatomisë si edhe në disa monografi e broshura në fushën e Mjekësisë Veterinare. Fjalëpak e modest, profesori asnjëherë nuk e konsideroi veten mbi studentët, por gjithmonë pranë tyre dhe i gatshëm për t’u dhënë shpjegimet e konsultimet konkrete për gjithçka ata kishin nevojë.
Ne, kolegët e tij të sotshëm dhe ata të dikurshëm, tek Profesor Selimi kemi parë gjithnjë njeriun e mirë që nuk preferonte të përfshihej në hapësira e çështje ku nuk kërkohej mendimi apo ekspertiza e tij, familjarin e devotshëm dhe punonjësin shkencor që shpesh e gjeje duke punuar e kërkuar në skedarët e bibliotekave. Edhe pas daljes në pension, Profesor Selimi ka qenë shumë aktiv në jetën profesionale ndaj është ftuar shumë herë në komisionet e doktoraturave apo për reçensionet e tyre, evente këto të cilave u është përgjigjur gjithmonë me gadishmëri dhe impenjim tepër serioz.
Ai punoi me ndershmëri dhe rriti fëmijët pa u ankuar për mungesën e përfitimeve ose krijimin e lehtësirave, ndërsa u bë gjithashtu një mbështetje e sigurtë edhe për nipërit dhe mbesat e tij por edhe për ata që e patën të nevojshme mbështetjen e tij . Me ndarjen e tij nga jeta, familja humbi një njeri të shkëlqyer, një prind të dashur dhe një gjysh shembullor.
Me trishtim të madh duhet të pranojmë që ndarja nga jeta e profesor Selimit, ka hidhëruar të gjithë stafin arsimor e ndihmës të fakultetit, sepse ai la pas gjurmë të thella, la në këtë mjedis emrin e mirë dhe figurën e dashur të një njeriu tepër pozitiv e të nderuar.
Jemi shumë të keqardhur për humbjen e tij por do ta kujtojmë gjithmonë me respekt e mirënjohje.
Rektorati i Universitetit Bujqësor të Tiranës dhe në veçanti Fakulteti i Mjekësisë Veterinare shpreh jo vetëm keqardhjen për ndarjen nga jeta të Profesorit por gjithashtu shpreh mirënjohjen e madhe dhe falenderime të veçanta për kontributin e vyer, për punën e palodhur, për arritjet dhe angazhimet e suksesshme që dha gjatë jetës akademike dhe jo vetëm.
Ndërsa përcjellim në amëshim profesorin e nderuar, familjarëve të tij i shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta. U jemi pranë dhe ndajmë me ta dhembjen për humbjen e një njeriu të veçantë.

“Të prehesh në paqe miku dhe kolegu ynë i dashur!”.

Lamtumirë, i nderuar Profesor