Designed and built with care, filled with creative elements

Top
Image Alt

Personaliteti i Mekanikës Bujqësore në Shqipëri

Prof. As. Dr. Gjergj Pandeli BOROVA

Profesori i shquar, titullari i lëndës së “Mekanikës Bujqësore”, u lind në Korçë më 5 Prill të vitit 1934 dhe ndërroi jetë në 15 Dhjetor të vitit 2021. Është një jetë e mbushur plot me punë, përkushtim, kërkim shkencor, ngarkesë profesionale, por edhe mjaft rezultative.

Prof. Borova kreu arsimin e mesëm 1947 – 1951 në gjimnazin “Raqi Qirinxhi”, në Korçë të cilin e përfundoi me medaljen “Nxënës i dalluar”. Ndoqi arsimin e lartë në periudhën 1951 – 1955 në Instituti Politeknik i Tiranës, Fakulteti Inxhinerisë Mekanike, ku më 24qershor të vitit 1955 është diplomuar “Inxhinier Mekanik” me shënimin “Shkëlqyeshëm“. Në rrugën e kualifikimit profesional, në vitin 1957, ka kryer një kualifikim në ish-Bashkimin Sovjetik dhe më 1979, në Istituto Sperimentale per le Colture Industriali Bologna, Itali.

Gjatë veprimtarisë së tij, Prof. Borova ka punuar e kontribuar në disa institucione: Korrik 1955 – Nëntor 1963, Ndërmarrja Bujqësore Maliq, Korçë, Kryeinxhinier dhe përgjegjës i Sektorit të Mekanikës; Nëntor 1963 – Nëntor 1993, Instituti i Lartë Bujqësor Kamëz, Tiranë, Pedagog në Katedrën e Mekanikës Bujqësore të Fakultetit të Agronomisë; 1966 – 1989, Shef i Katedrës së Mekanikës; 1979 – 1986, Zëvendës Dekan i Fakultetit të Agronomisë, 1992 – 1993, Dekan i Fakultetit të Agronomisë. Ndërkohë që ka mbajtur edhe disa funksione të tjera: 1966 – 1993, Anëtar i Këshillit Shkencor të Fakultetit të Agronomisë; 1979 – 1986 Anëtar i Këshillit Shkencor të Institutit të Lartë Bujqësor; 1973 – 1980, Anëtar i Këshillit Shkencor të Stacionit të Mekanizimit; 1975 – 1977, Anëtar i Këshillit Shkencor të Ministrisë së Bujqësisë; 1988 – 1991, Anëtar i Komisionit të Posaçëm të Mbrojtjes së Dizertacioneve në Fakultetit e Inxhinierisë Mekanike të Universitetit të Tiranës.

Krahas punës në sektorët e ngarkuar, Prof. Borova ka punuar edhe përsa i përket ngritjes profesionale. Ai mban tituj nderi dhe akademikë: 1958, dekoruar me urdhërin e punës “Naim Frashëri“ Klasi II; 1982, Kandidat i Shkencave; 1986       Docent; 1996, Doktor i Shkencave; 1999, Profesor i Asociuar.

Profesor Gjergj Borova ishte një pedagog profesionit, që mësimdhënien e kishte me pasion, Ai jo vetëm fliste dhe transmetonte njohuri e koncepte shkencore, por njëkohësisht ishte një njeri shumë sistematik dhe që shkruante. Frut i kësaj pune të gjatë dhe krijuese, janë disa qindra artikuj shkencorë dhe divulgativë, janë kumtesat e shumta të mbajtura në konferenca shkencore të realizuara në Shqipëri apo jashtë vendit, janë metodikat e hartuara, janë udhëheqjet e tij të shumta të kërkuesve të rinj: duke filluar nga temat e diplomës universitare e deri tek ato pas universitare.

Konkretisht Prof. Borova ka qënë titullar i lendeve “Mekanika Bujqësore”, “Shfrytëzimi i Parkut të MT” dhe Teknologjia e Mekanizimit Bujqësor”, si dhe autor i teksteve dhe përpunues i programeve mësimore, i detyrave të projekteve të kursit, programeve të praktikave mësimore dhe në prodhim, programues dhe drejtues i kualifikuese dhe pasuniversitare të specialistëve të prodhimit. Në Fakultetin e Agronomisë ka qënë: anëtar i përhershëm i grupeve të punës për përpunimin e planeve mësimore si dhe i Komisioneve Shtetërore në Fakultet, anëtar i Këshillit të Botimeve të Fakultetit, et. Është autor dhe/ose bashkëautor në 17 tekste universitare, është autor i dy monografive: “Për mekanizimin e punimeve në kulturën e patates” dhe “Studim mbi efektivitetin e përdorimit të makinave me organe pune aktive për përgatitjen e tokës për mbjellje”, është autor i 7 teksteve mësimore për shkollën e lartë dhe atë të mesme profesionale, është bashkëautor në dy fjalorë terminologjikë: “Fjalor i termave themelore të mekanikës” dhe “Fjalor i termave të bujqësisë” (me përkufizime Shqip-anglisht-frengjisht-italisht-rusisht, 5000 terma), mbi 15 artikuj shkencorë lidhur kryesisht me mekanikën dhe mekanizimin në bujqësi, bashkëautor në 6 studime dhe projekte shkencore, autor i 9 ounimeve kërkimore-shkencore dhe eksperimentale, udhëheqës studimesh dhe projekte në 7 raste, autor i 8 oponecave shkencore, në 11 referate dhe kumtesa shkencore, si dhe udhëheqje e 28 studentëve në mbrojtje diplomash, dhe 8 artikuj divulgativë, të botuar në shtypin e kohës.

Me gjithë këtë veprimtari shkencore, krijuese dhe udhëheqëse, Prof. Borova është një nga mendjet më pjellore të fushës së mekanikës bujqësore në Shqipëri, duke vënë themelet në disa fusha të këtij sektori.

Me ndarjen e tij nga jeta, familja humbi njeriun e saj të shtrenjtë, shoqëria dhe të njohurit njeriun e dashur dhe kolegun e gjithëditur të fushës, vetë shoqëria një profesor që i ka dhënë shumë sektorit në të cilin ka punuar e kontribuar.

Prof. Borova do të kujtohet gjithmonë për seriozitetin në punë, për çehren e tij pak të ftohtë, por që kishte zemër të madhe dhe ndjenjën e ndihmesës ndaj të tjerëve, njeriu që asnjëherë nuk i bishtnoi puës dhe detyrave, por përkundrazi i mori përsipër dhe i realizoi ato më së miri.

Universiteti Bujqësor i Tiranës i shpreh ngushëllimet e sinqerta dhe të ndjera familjes, miqve, kolegëve dhe ishstudentëve të Profesor Gjergj BOROVA!