Designed and built with care, filled with creative elements

Top
Image Alt

Masteri Ekzekutiv në “Planifikim dhe zhvillim ekonomik territorial i zonave rurale’’, një mundësi e mirë për shumëkënd

Nisin sot studimet për Masterin Ekzekutiv “Planifikim dhe zhvillim ekonomik territorial i zonave rurale”, një ide e konkretizuar suksesshëm nga Fakulteti i Ekonomisë dhe Agrobiznesit, Universiteti Bujqësor i Tiranës.  Në konferencën e organizuar një ditë më parë ku u lançua edhe fillimi i këtij projekti, dekani i FEA-s, Prof. Dr. Remzi Keco tha se ky produkt do të shërbejë si një kolateral dinjitoz dhe që përthith ekzaktësisht kërkesat e drejtuesve të institucioneve më të rëndësishme në vend dhe jo vetëm.  Ky master ekzekutiv është hartuar nga një grup pedagogësh nga disa universitete evropiane si Franca, Gjermania dhe Greqia dhe përmbledh informacionet më të përditësuara rreth këtyre fushave në botë por me një fokus të veçantë për Shqipërinë. Ky program studimi prej 120 ECTS, zgjat dy vite akademike.

Një projekt të vërtetë suksesi e cilësoi në fjalën e tij edhe Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku, konkretizimin e të parit Master Ekzekutiv të këtij lloji në vendin tonë. Jetësimi dhe lançimi i këtij projekti për Prof. Sallakun është një ditë e shënuar jo vetëm për Fakultetin e Ekonomisë dhe Agrobiznesit por dhe për Universitetin Bujqësor të Tiranës për të cilin theksoi faktin se do të jetë në mbështetje të plotë dhe në dispozicion të këtij programi.

ME (Masteri Ekzekutiv) është një projekt që konkretizohet gjithashtu edhe falë një bashkëpunimi të frytshëm ndërmjet institucioneve shumë të rëndësishme arsimore në vend, siç janë: UBT, UET dhe Universiteti “Fan. S. Noli” i Korçës. Studimet në këtë master do t’u shërbejnë profesionistëve në fusha të ndryshme, si ekonomia, urbanistika, bujqësia, mjedisi, drejtësia dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile si në nivel qendror ashtu edhe në nivel lokal.

Në ceremoninë e hapjes së këtyre studimeve Master në ambientet e UBT-së, përgjegjësi i departamentit në FEA, Prof. Asoc. Dr. Fatmir Guri, njohu të pranishmit me një prezantim të shkurtër të moduleve dhe organizimit të tyre. Ai sqaroi se një master i tillë është i domosdoshëm pasi u drejtohet dhe u shërben profesionistëve që duan të thellojnë njohuritë e tyre me informaione dhe  metodologji të reja. Lidhur me faktin se përse ME zhvillohet në UBT, Prof. Guri përmendi zhvillimi strategjik të Universitetit Bujqësor të Tiranës i cili synon trajtimin e zhvillimit territorial të zonave rurale për të kurorëzuar tërësinë e analizave sektoriale (ekonomike, bujqësore, administrimit të pyjeve, ujrave dhe mjedisit, etj).

Ndër të tjera Prof. Asoc. Fatmir Guri sqaroi se në kuadër të projektit Evropian “Smart Al”, është ndërtuar një ekip ekspertësh nga 7 universitete të huaja dhe shqiptare të cilët do të japin kontributin e tyre në mësimdhënie.