Designed and built with care, filled with creative elements

Top
Image Alt

GIZ Albania dhe ekspertët mikrobiologë gjermanë vizitë në UBT për laboratorin e SARS CoV-2

Përfaqësuesit e GIZ Albania dhe ekspertët gjermanë vizituan në fillim të shtatorit të këtij viti Laboratorin e Agromjedisit dhe Ekologjisë në UBT ndërsa u njohën edhe me ambientet ku do të ndërtohet laboratori i ri për SARS CoV-2. Në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Universitetit Bujqësor të Tiranës dhe GIZ Albania për ngritjen dhe ndërtimin e një laboratori të mirëpajisur në ambientet e UBT-së dhe që do të mundësojë kryerjen e një sërë analizash dhe projektesh shkencore për/rreth Sars CoV 2, përfaqësues të GIZ prezantuan për stafin e UBT disa nga aspektet kryesore të projektit. Bëhet fjalë për projektin “COVID 19- Sistemi i paralajmërimit të hershëm (në kohë)’’, marrëveshja për të cilin u finalizua pak javë më parë mes palëve. Analizat dhe të dhënat që do të zhvillohen në laborator do t’i shërbejnë një sërë institucionesh në vend dhe kryesisht atyre të shëndetit publik e si rrjedhojë edhe vetë konsumatorit.

Dr. Gabriele Lames- Menaxhere e Programit për Ujin në GIZ, tha se gjatë pandemisë së COVID 19 janë vënë re një sërë problematikash në menaxhimin e situatës dhe në veçanti në detektimin e vatrave (në vendet me ujëra të ndotura kryesisht por jo vetëm) që mund të ndikojnë në përhapjen e virusit dhe se për këtë arsye nevojitet më shumë punë për të garantuar cilësi dhe efikasitet në gjetjet që do të mundësohen nga analizat e kryera në ujërat e ndotura.

GIZ Albania falë edhe marrëveshjes së nënshkruar mes palëve do të mundësojë ndërtimin dhe pajisjen me aparatura të një cilësie të lartë në UBT si dhe sigurimin e ekspertizës më të mirë nga Gjermania, aspekte të cilat u vunë në dukje nga Leonat Muskollari, këshilltar për ujin dhe higjineën në GIZ Albania.

Prof. Dr. Andreas Tiehen, i cili është edhe kreu i departamentit të bioteknologjisë mjedisore dhe biologjisë molekualare në TZË: DVGË-Technologiezentrum Ëasser së bashku me mikrobiologen Claudia Stange, prezantuan me detaje projektin dhe rezultatet e arritura pas implementimit dhe zbatimit të tij në Gjermani, në qytetin Karlsruhe. Ata prezantuan në mënyrë të detajuar të gjithe projektin e zbatuar në detektimin e virusit Sars COVID , protokollet laboratorike, identifikimin e hot spot-eve, etj

Ndërkaq edhe zv/rektorja për Shkencën dhe Projektet në UBT, Prof. As. Dr. Erinda Lika falenderoi përfaqësuesit e GIZ dhe ekspertët e ardhur nga Gjermania për kontributin e tyre të çmuar në këtë projekt dhe në emër të institucionit ajo garantoi zbatueshmërinë e projektit në nivelet më të larta dhe impenjimin maksimal të stafit të UBT për të finalizuar me sukses këtë projek më rëndësi kombëtare.

Në këtë kuadër zv/rektori për Marrëdhëniet me publikun dhe institucionet, Prof. Dr. Alban Ibraliu theksoi domosdoshmërinë e trajnimit dhe kualifikimit të stafit për të siguruar efikasitet maksimal të projektit.

Pas diskutimeve mes palëve, vizita e pëfaqësuesve të GIZ Albania dhe ekspertëve gjermanë vijoi në Laboratorin e Agromjedisit dhe Ekologjisë në UBT ndërsa u njohën edhe me ambientet ku do të ndërtohet laboratori i ri për SARS CoV-2.

Përveç Gjermanisë projekti është zbatuar edhe në vende të tjera si Spanja, Zvicra, Hollanda etj.

Sistemi i paralajmërimit në kohë të COVID 19 do të përgatitet nga Universiteti Bujqësor i Tiranës dhe do të shërbejë për detektimin e përhapjes së viruseve apo si një indikator i baktereve në ujërat e ndotura. Ky hulumtim do të shërbejë për të informuar institucionet publike që të ndërmarrin masat e duhura për të parandaluar përhapjen e sëmundjeve në kohë reale.

Ky projekt është financuar nga Ministria Federale për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (BMZ) nëpërmjet GIZ Albania.