Designed and built with care, filled with creative elements

Top
Image Alt

Bazë Didaktike Eksperimentale me makina CNC

Laboratori  Didaktik-Eksperimental i përpunimit të drurit, që ndodhet pranë Fakultetit të Shkencave Pyjore, mundëson realizimin e kampionëve të ndryshëm që do të përdoren gjatë eksperimenteve. Për këtë arsye, ky laborator, është i pajisur me një numër të konsiderueshëm  mjetesh, pajisjesh dhe makinerish të ndryshme. Ndër to, mund të përmendim makineri dhe pajisje të tilla si: torno, makinë kombinat, sharrë shirit, makinë zumparimi, makinë për bërjen e thithave, etj.

Teknologjia e industrisë së drurit është në zhvillim të vazhdueshëm. Firmat prodhuese të makinerive të përpunimit të drurit, vit pas viti raportojnë qarkullimin e shifrave kolosale në llogaritë e tyre. Një pjesë e konsiderueshme e këtyre fondeve është e destinuar për kërkim-zhvillim. Në këtë aspekt edhe hapat e zhvillimit teknologjik janë shumë të mëdha. Zhvillimi në këtë sektor është i fokusuar kryesisht në projektimin e instrumenteve për përpunimin e drurit, zhvillimin e makinerive dhe sidomos në zhvillimin e lidhjes së makinerive me kompjuterin. Software-t që menaxhojnë makineritë dhe ndërfaqësit që mundësojnë komunikimin e operatorit me makinën janë një fushë që njeh vetëm progres.

Duke parë nevojat e tregut, zhvillimin e teknologjisë, kërkesat e projektimit që janë nga më të ndryshmet dhe për të qenë me hapin e kohës, Fakulteti i Shkencave Pyjore ka marrë në ambientet e tij një makineri që njihet me emrin CNC Router. Kjo është një makinë në të cilën instrumenti i punës është një frezë dhe lëvizja e këtij instrumenti në fushën e punës së makinerisë realizohet me anë të disa instruksioneve të caktuara që i përcillen makinerisë me anë të USB. Në këto instruksione bëjnë pjesë parametra teknologjike të tilla si shpejtësia e rrotullimit të instrumentit, shpejtësia e avancit dhe koordinatat e lëvizjes së instrumentit. Për këtë arsye këto makineri njihen edhe si “makineri me komandim numerik” (ose CNC).

Makina CNC që ndodhet në Fakultetin e Shkencave Pyjore është një makineri me kontroll numerik me zonë pune prej 2500 x 1300 x 200 mm. E pajisur me një mandrino me fuqi 7kw, kjo makineri është e aftë të përpunojë materiale të tilla si dru, mdf, multi-stratto, plexi-glass, forex, alumin e lidhje të buta. Udhëzueset e makinës me sfera qarkulluese, janë në gjendje të përballojnë shpejtësi lëvizjeje deri në 60 m/min.

Për të shfrytëzuar këtë makineri, është i nevojshëm një program i kategorisë CAD-CAM, me anë të të cilit mund të bëjmë pjesën e vizatimit dhe pjesën e gjenerimit të instruksioneve sipas rastit. E gjithë puna bazohet në modelet vektoriale ose në modelet tredimensionale të një objekti që ne duam të realizojmë. Për këtë arsye në kurrikulën e Departamentit të Industrisë së Drurit janë parashikuar lëndë të cilat mundësojnë njohjen nga ana e studentëve të programeve të vizatimit me vektorë si dhe programe të modelimit tredimensional.

Qëllimi i këtij investimi është që të njohë dhe aftësojë studentët e Perpunimit të Drurit dhe të Dizajnit të Mobiljeve dhe Interierit me teknikat e punimit me makinat CNC. Në fund të kursit, studentët duhet të jenë të aftë të vizatojnë, modelojnë, realizojnë një objekt funksional ose dekorativ.

Disa shembuj të punimeve dekorative dhe funksionale që mund të realizohen me këtë makineri po i paraqesim si më lart.

Siç shihet qartë, me këto makineri mund të realizojmë një shumëllojshmëri të gjerë produktesh, duke nisur nga më të voglat e duke vijuar deri tek më të mëdhatë.