Designed and built with care, filled with creative elements

Top
Image Alt

Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim dhe CleanScore dhuron tekste akademike për UBT-në

AADF (Fondacioni Shqiptaro –Amerikan për Zhvillim) dhe CleanScore dhuroi sot për bibliotekën shkencore “Mentor Përmeti’’ të Universitetit Bujqësor të Tiranës disa tekste akademike të përkthyera nga AADF me tematika që i përkasin kryesisht sektorit financiar.

Një event i tillë u organizua në kuadër të implementimit të projektit “CleanScore” i cili financohet dhe zbatohet nga FSHAZH (AADF) dhe mbështetet nga Memorandumi i Mirëkuptimit me MASR.

Dhurimi i botimeve akademike, më konkretisht 5 librave në 15 kopje është pjesë e marrëveshjes së partneritetit ndërmjet UBT-së dhe AADF, në mbështetje edhe të përmirësimit të cilësisë së mësimdhënies duke zëvendësuar tekstet akademike me versione ndërkombëtare të përkthyera dhe botuara në shqip. Librat e dhuruar janë: “Bazat e menaxhimit”, “Biznesi ndërkombëtar”, “Kontabiliteti financiar”, “Sipërmarrja” dhe “Financat personale”.

Sokol Ymeri, menaxheri i projektit në AADF i pranishëm në këtë aktivitet të zhvilluar në Qendrën Goethe në UBT, foli për një bashkëpunim të mirë mes institucionit që ai përfaqëson dhe  UBT-së, me shpresën se në të ardhmen do të rritet edhe më tepër.

Nivelin bashkëpunues mes dy palëve e përshëndeti edhe zv/rektorja për Shkencën dhe Projektet në UBT, Erinda Lika e cila tha se ky akt dhurimi është një ndihmesë e madhe për studentet/ët por edhe vetë stafin akademik dhe se universiteti është i gatshëm edhe për bashkëpunime të tjera, siç ishte për shembull mundësia e UBT për të patur akses në bibliotekën digjitale online JSTORE ku ofrohen më shumë se 12 milionë artikuj të revistave akademike, 85 000 libra dhe 2 milionë dokumenta në 75 disiplina.

I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe Rektori i UBT-së, Fatbardh Sallaku, i cili ndër të tjera falenderoi AADF për kontributin e dhënë në dhurimin e botimeve akademike. Ai e ftoi këtë fondacion të vijojë të jetë edhe më tepër prezent për t’u ardhur në ndihmë studenteve/ëve dhe jo vetëm.

Në kuadër të zhvillimit dhe vijimësisë së projektit ku parashikohen të botohen dhe të tjerë libra, Prof. Dr. Sallaku sugjeroi që në bashkëpunim me stafin e tij, të rishikohet  edhe një herë listave e materialiave (lbrave) të parashikuar në mënyrë që përzgjedhja të jetë më e sakta për studentet.ët e për të shkuar tek një qasje më realiste dhe më të dobishme.

Fondacioni Shqiptaro- Amerikan për Zhvillim operon në tre degë; edukimi, linja kulturore dhe sipërmarrja ose biznesi.

Disa të dhëna për CleanScore

Universiteti Bujqësor i Tiranës iu bashkua grupit të universiteteve që zbatojnë projektin CleanScore në prill të vitit 2019.

CleanScore është një projekt i Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) dhe përbëhet nga dy komponentë të rëndësishëm për arsimin e lartë në Shqipëri; nw vlerësimin e automatizuar të testimeve dhe përkthimin e teksteve akademike ndërkombëtare, duke ndikuar drejtpërdrejtë në rritjen e cilësisë se arsimit të lartë.

Vlerësimi i automatizuar i testimeve

Funksionimi i procesit të korrigjimit ndiqet nga tre faza kryesore: dizenjimi, skanimi dhe korrigjimi. Programi i korrigjimit nxjerr pikët për çdo student, mesataren e klasës, shpërndarjen e notave si dhe shumë raporte të tjera statistikore të cilat ndihmojnë pedagogun për përmiresimin e testimeve me vlerësime uniforme, të sakta dhe transparente.

Tekstet akademike

Përkthimi në shqip i teksteve akademike ndërkombëtare ndikon në përmirësimin e cilësisë së teksteve akademike në Shqipëri duke i siguruar studentëve një njohuri sa më koherente.