Fakulteti i Bioteknologjisë dhe Ushqimit (FBU) është një nga njësitë kryesore të Universitetit Bujqësor të Tiranës që kryen aktivitet mesimdhënës dhe kërkimor-shkencor në fushën e Ushqimit dhe Bioteknologjisë. Si një qendër edukimi dhe kërkimi në arsimin e lartë, FBU zhvillohet mbi bazën e kapaciteteve humane dhe infrastrukturore duke zbatuar legjislacionin e Arsimit të Lartë, aktet nënligjore, statutin e UBT-së, rregulloret dhe të gjitha aktet administrative që burojnë nga legjislacioni që rregullon veprimtarinë mësimore, kërkimore-shkencore, aktivitetin ekonomik dhe administrativ të UBT-së.
Edukimi në Shkencat dhe Teknologji Ushqimore (ShTU) në Universitetin Bujqësor të Tiranës ka filluar në vitet 1960, nëpërmjet disiplinave teknologjike, si:
- Konservimi dhe përpunimi i produkteve bujqësore,
- Teknologjia e përpunimit të fruta-perimeve,
- Teknologjia e përpunimit të rrushit (Enologjia),
- Teknologjia e përpunimit të produkteve blegtorale.
Pas viteve 1990, veç disiplinave të mësiperme, u shtuan edhe disiplina të tjera, si:
- Teknologjia ushqimore
- Kontrolli higjieno-sanitar i ushqimeve me origjinë blegtorale
- Mikrobiologjia dhe bioteknologjia ushqimore
Këto disiplina u zhvilluan në departamente të UBT, pa përfillur këtu një numër disiplinash biologjike teorike e zbatuese, të lidhura ngushtë me shkencat dhe teknologjinë ushqimore. Programet mësimore kanë qënë të fokusuara në Industrinë e Agropërpunimit (IAP) dhe në transformimin e produkteve me origjinë bujqësore, pyjet dhe peshkimin. Modulet kryesore përmbanin njohuri shkencore për prodhimin e lendeve të para me origjinë bimore e shtazore, përpunimi pas korrjes, vjeljes, mjeljes, therrjes, transformimet e lëndëve të para në produkte ushqimore, ambalazhimi, ruajtja, shpërndarja dhe tregtimi i tyre. Me vonë u zhvilluan disiplinat shkencore në kuadër të zinxhirit ushqimor ku zbatohen teknologji të manipulimit, transformimit, të ruajtjes dhe sistemet e drejtimit të cilësisë dhe sigurisë së ushqimit.
Pas vitit 1992, në Universitetin Bujqesor të Tiranës u krijuan kushtet për ristrukturimin e drejtimeve të diplomimit e të strukturave akademike për zhvillimin e shkencave dhe teknologjisë ushqimore dhe të veprimtarisë kërkimore shkencore në fushën e ushqimit.
Në vitin 1992, u krijua, fillimisht, Seksioni i Teknologjisë Ushqimore, në varësi të Fakultetit të Agronomisë. Me Urdhërin e Ministrit të Arsimit dhe Shkencës Nr. 138, datë 04.08.1998, pranë Fakultetit të Bujqësisë të Universitetit Bujqësor të Tiranës, krijohet “Departamenti i Teknologjisë Agroushqimore” dhe Kursi i Studimit “Teknolog ushqimor”, me kohëzgjatje 4,5 vjet. Për nevojat e zhvillimit të sektorëve të specializuar të industrisë ushqimore në kuadrin e sistemit agroushqimor dhe të sistemit të edukimit jouniversitar, me Urdhërin e Ministrit të Arsimit dhe Shkencës Nr.873, datë 05.06.2001, u hap Kursi i Studimit: Teknologji Agroushqimore”, me kohëzgjatje 3 vjet, me tre profile: “Teknologji ushqimore”, “Vreshtari-enologji” dhe “Konservimi i produkteve me origjinë bimore”
Fakulteti i Bioteknologjisë dhe Ushqimit (FBU) u krijua në 20.09.2007, me Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr.400, datë 11.07.2007 “Për ndarjen e Fakultetit të Bujqësisë dhe krijimin e tri fakulteteve të reja në UBT”.
Aktualisht Fakulteti i Bioteknologjise dhe Ushqimit përbëhet nga këto njësi:
- Departamenti i Shkencave të Ushqimit dhe Bioteknologjisë
- Departamenti i Teknologjisë Agroushqimore
- Departamenti i Kimisë
- Qendra e Kërkimit të Ushqimit
Programet e Studimit të cilat ofrohen nga ky Fakultet janë:
Bachelor në “Shkencat e Ushqimit dhe të Ushqyerit”
Bachelor në Inxhinieri Agroushqimore, Profili “Teknologji Agroushqimore” (Akredituar)
Bachelor në Inxhinieri Agroushqimore, Profili “Vreshtari- Enologji”
Master Profesional “Cilësia dhe Siguria Ushqimore”
Master Profesional “Analizat e Ushqimeve”
Master Shkencor në Inxhinieri Agroushqimore, Profili “Teknologji Agroushqimore” (Akredituar)
Master Shkencor në Inxhinieri Agroushqimore, Profili “Vreshtari- Enologji”
Master Shkencor në “Bioteknologji Ushqimore”