Në kuadër të projektit “Erasmus+”, Universiteti Bujqësor i Tiranës (UBT) ka krijuar një infrastrukturë moderne dixhitale dhe po aplikon metodologji bashkëkohore për mësimin online (e-Learning) në Departamentin e Shkencave Zooteknike.
Janë dy auditore të pajisur me kompjuterë dhe module Hybrid që i japin mundësi studentëve të ndjekin leksione dhe mësime të tjera edhe nga profesorë të huaj të Europës, jo vetëm të universiteteve partnere në këtë projekt, siç janë Universiteti Nürtingen -Gjermani dhe Universiteti Savonia – Finlandë.
Ndërsa, tre auditore të pajisur me kompjuterë do të përdoren për ushtrime dhe seminare nga studentët e këtij departamenti dhe të fakulteteve e departamenteve të tjera të UBT.
Aplikimi i e-Learning në mësimdhënie dhe në kurset e trajnimit mbështetet në metodat më të përparuara didaktike që zbatojnë universitetet e huaja.
Module të zhvilluara të universiteteve partnere për studentët e cikleve Bachelor dhe Master po përshtaten nga Departamenti i Shkencave Zooteknike të UBT dhe do t’u ofrohen studentëve që ndjekin programet Bachelor dhe Master në fushën e Zooteknisë si dhe do të përfshihen në kurset e trajnimit të specialistëve të sektorit të blegtorisë dhe drejtuesve të fermave blegtorale në vendin tonë.