Designed and built with care, filled with creative elements

Top
Image Alt

UBT marrëveshje me Universitetin e Michigan-it, Rama: Universiteti i së ardhmes, lider në bujqësi

Po ngarkohet Veprimtari
  • This veprimtari has passed.

30

Mar

UBT marrëveshje me Universitetin e Michigan-it, Rama: Universiteti i së ardhmes, lider në bujqësi

30 Mars @ 8:00 am - 5:00 pm
Universiteti Bujqësor i Tiranës nënshkroi sot marrëveshjen e bashkëpunimit me Michigan State University në USA, në kuadër të ndërkombëtarizimit të universiteteve tona, për krijimin dhe forcimin e lidhjeve të bashkëpunimit akademik, trajnimit dhe kërkimit shkencor.
Kjo marrëveshje u arrit pas një takimi të zhvilluar në ambjentet e universitetit tonë, ku Rektori Fatbardh Sallaku priti Kryeministrin Edi Rama, Ambasadoren e SHBA-së Yuri Kim, Ministren e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi dhe Drejtorin e Qendrës Ndërkombëtare për Risitë e Sistemeve të Ushqimit në Universitetin Shtetëror të Michigan-it në SHBA, Kurt Richter.
Rektori, në fjalën e tij, theksoi se UBT do të jetë një partner serioz dhe i besueshëm përball sfidave aktuale dhe sfidave të së ardhmes, në drejtim të zhvillimit të qëndrueshëm të ekonomisë në sektorin bujqësor dhe rural në Shqipëri. Ai tha se ky bashkëpunim do t’a shndërrojë UBT në një qendër ekselence, lider në inovacion, zhvillimin e bujqësisë, mbrojtjen e mjedisit dhe përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike.
Prof.i Asoc.Kurt Richter, në fjalën e mbajtur në këtë takim, theksoi se do të jepet kontributi i nevojshëm për të ndihmuar UBT që të jetë universiteti kryesor dhe udhëheqës në rajon. Ai shtoi se në vijimësi të marrëveshjes, në muajt në vijim do të vijnë një grup përfaqësuesish nga Universiteti i Michigan-it që do të vizitojë UBT.
Teksa njoftoi se sot bëhen fiks 100 vite, që prej krijimit të lidhjes së parë diplomatike mes SHBA dhe Shqipërisë, Ambasadorja Kim u shpreh krenare për bashkëpunimin mes dy palëve përgjatë këtyre viteve.
Ministrja Kushi tha se sektori i bujqësisë është prioritet për zhvillimin e vendit dhe sfida më e madhe e UBT është rritja e interesit tek të rinjtë shqiptarë për të studiuar aty. Ajo shtoi se do të ofrohet mbështetje financiare, reduktim tarifash apo bursa studimi për ata studentë që do të zgjedhin të studiojnë në këto programe.
Nga ana tjetër, Kryeministri Rama në fjalën e tij tha se UBT do të jetë Universiteti i së ardhmes, i fokusuar tek shoqëria, elita akademike, qëndrueshmëria e zhvillimit dhe tek shfrytëzimi i burimeve natyrore. Ai tha se të gjithë duhet të kontribuojmë për të modernizuar UBT, duke shfrytëzuar burimet njerëzore të tij.
Kujtojmë këtu se më herët, Michigan State University, Ambasada Amerikane në Shqipëri dhe USAID në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe UBT, para 7 muajsh bënë të mundur që 12 studente  afgane të zhvillojnë studimet në programin Master për Hortikulturë.