Designed and built with care, filled with creative elements

Top
Image Alt

Fjalimi i Rektorit në “70 Vjet” Universiteti Bujqësor i Tiranës

Po ngarkohet Veprimtari
  • This veprimtari has passed.

01

Nën

Fjalimi i Rektorit në “70 Vjet” Universiteti Bujqësor i Tiranës

2021-11-01

Të nderuar pjesëmarrës!

E nderur ministre e Arsimit znj. Kushi dhe ministre e Bujqësisë Znj. Krifca; të nderuar z. deputetë Duka dhe Topi; i nderuar Shkëlqesia juaj, z. ambasador Zingraf (Cingraf) i Republikës së Gjermanisë; i nderuar z. Gjinushi, Kryetar i Akademisë së Shkencave; të nderuar kolegë nga universitetet mike dhe partnere në Gjermani, Itali, Austri e Greqi; të nderuar kolegë Rektorë të universiteteve shqiptare brenda dhe jashtë trojeve; të nderuar përfaqësues të institucioneve dhe agjencive partnere; të nderuar kolegë, studentë, miq dhe dashamirës të UBT.

-Më lejoni të filloj duke shprehur urimet e mia të përzemërta për praninë tuaj, në një ditë të rëndësishme që përkon me 70- vjetorin e UBT dhe fillimin e Konferencës ICOALS 3.

70 vite më parë, UBT hodhi themelet si shtëpia e dijes dhe shpresës për qindra dhe mijëra djem dhe vajza studentë, e qindra  pedagogë që u bënë pjesë e misionit për të transformuar nga e para jetën dhe mënyrën e sjelljes, të prodhuesit në fshat dhe konsumatorit në qytet.

Ndryshe nga jeta e njeriut, i cili megjithëse krijon përvojë dhe mënçuri gjatë viteve, biologjia e kufizon e nuk e lejon të shpalosë avantazhet e moshës, Universiteti ose organizatat në përgjithësi, sa më shumë moshohen aq më shumë të dobishëm bëhen.

Universiteti Bujqësor i Tiranës sot mbush 70 vite dhe është IAL më e moshuar në Shqipëri. Në emër të qindra dhe mijëra kolegëve, profesorëve të nderuar, të dhjetëra mijëra ish-studentëve, dua të uroj Gëzuar 70 Vite, rrugë të mbarë drejt të ardhmes.

UBT sot është një “brend” në arsimin e lartë shqiptar, krijuar gjatë 7 dekadave përmes kontributit të mijëra personave, për të cilët sot shpreh respektin dhe mirënjohjen më të thellë. Mirënjohje për mijëra specialistë, sipërmarrës të vegjël dhe të mëdhenj, kërkues shkencorë, drejtues të organizatave, korporatave, deputetëve, punonjës të Shërbimit Civil në nivel lokal dhe qendror që kanë dalë nga dyert e këtij universiteti.

Rruga e UBT në këto 70 vite ka qënë si dallgët e detit, me ulje dhe ngritje, disa herë me pendesa e dikur me vështirësi, përmes kohës dhe regjimeve politike të kundërta. Personalisht i takoj brezit që kam bërë studimet në kohën e diktaturës dhe kam zhvilluar karrierën akademike duke filluar nga prilli i vitit 1990 e deri më sot.

Dëshiroj të theksoj faktin se falë profesorëve të nderuar që themeluan Institutin e Lartë Bujqësor, të formuar në universitetet më të mira të Lindjes dhe Perëndimit, ILB e asaj kohe dhe UBT sot, ofron diploma të njohura lehtësisht në të gjithë botën.

Demokracia e ndryshoi Shqipërinë, ndryshoi dhe Universitetin Bujqësor të Tiranës. Vitet e para të tranzicionit të Shqipërisë ishin vitet e ristrukturimit të UBT me mbështetje të dy projekteve të financuara nga GTZ, Qeveria Gjermane dhe nga USAID, Qeveria e SHBA-së. Falë këtyre dy projekteve, UBT realizoi një proces të plotë të refromimit të kurikulave dhe ofertës akademike, shenja që kanë lënë gjurmë edhe në ditën që po flasim.

Rezultat i bashkëpunimit ndërkombëtar dhe kontributit të stafit akademik janë fillimi i studimeve dhe kërkimit shkencor në Shkencat Mjedisore, Burimet Natyrore, Bioteknologjinë Ushqimore, Arkitekturën e peizazhit, shkencën e ushqimit, turizmin rural etj, duke zgjeruar me sukses dimensionin ose ofertën për të rinjtë në përputhje me trendin dhe kërkesën e tregut.

UBT pas 70 viteve është nje universitet i konsoliduar, me një kampus dhe infrastrukturë mësimore/laboratorike nga më të mirat në Shqipëri, me rreth 6000 studentë, me stafin akademik më të kualifikuar se asnjëherë më parë për fushat e dijes dhe kërkimit shkencor që mbulon, me një master-plan zhvillimi strategjik përtej viteve 2030.

Aktualisht UBT ka hyrë në etapën e tretë afatgjatë të zhvillimit duke synuar standardet europiane në mësimdhënie, në kërkim shkencor dhe ofrimin e produkteve e shërbimeve për të tretët.

Ne jemi të vetëdijshëm që UBT duhet dhe mundet të ketë të ardhme të sigurtë vetëm duke demonstruar “se është i dobishëm për shoqërinë”, duke përforcuar rolin që luan në fusha me interes të gjerë publik, duke ofruar edukim cilësor për studentët dhe duke adresuar për zgjidhje problematikat që ka vendi nëpërmjet kërkimit shkencor.

Sot pas 70 viteve, UBT ka të qartë perspektivën dhe rrugën drejt viteve 2030, me një mision: “UBT Qendër Ekselence” me një rrugë të përcaktuar qartë për të arritur objektivat, me referencë dhe mbështetjen strategjike të siguruar nga Universiteti i Vjenës (BOKU), me mbështetjen e posaçme të Kryeministrit Z. Edi Rama dhe ministrave të Qeverisë Shqiptare.

UBT do ta kthejë lehtësisht në avantazh faktin e të qënit IAL publike e lidhur ngushtësisht me grupe të shumta të interesit siç janë konsumatorët e ushqimit, fermerët dhe agro-përpunuesit, zinxhirin e prodhuesve dhe marketingut të produkteve, dashamirësve të agroturizmit, natyrës, biodiversitetit etj.

Mendimi dhe ekspertiza e UBT-së për orientimin e fermerëve në treg, subvencionet, marketingun, cilësinë e ushqimeve, cilësinë e mjedisit, shëndetin e bimëve dhe kafshëve etj, do të jetë shumë më e besueshme dhe me vlerë për publikun e gjerë.

Vështirë të gjesh një vënd a cep të botës ku nuk ka të diplomuar në UBT. Janë me qindra organizata, institucione dhe universitete anë e mbanë botës ku japin kontributin e tyre bijtë dhe bijat e UBT.

Në fund të kesaj fjale, unë nuk mundem të rri pa vlerësuar nëpërmjet disa falenderimeve speciale, por falenderime të merituara të cilat vijnë nga kontributi dhe suporti që i është dhënë në vite dhe vazhdon t’i jepet këtij universiteti edhe sot në këtë 70 vjetor.

Përfitoj nga rasti të falenderoj znj. Kushi, ministren tonë të Arsimit që na nderon sot me praninë e saj.

Zonja Ministre, në emër të UBT ju falenderoj shumë për përkushtimin dhe ndihmën tuaj në drejtim të politikave arsimore në vend, në mbështetjen dhe bashkëpunimin me universitetet shqiptare dhe në veçanti në mbështetjen ndaj UBT. Ne e vlerësojmë shumë mbështetjen tuaj e cila kulmoi para disa javësh me aprovimin e hapjes së programit të Doktoraturës, duke i dhënë shpresë dhe shumë entuziazëm shumë lektorëve të rinj të këtij universiteti. Ne shpresojmë shumë dhe jemi të bindur që bashkëpunimi jonë do të vazhdojë në këtë trend për të mirën tonë të përbashkët.

Falenderoj ministren e Bujqësisë znj. Krifca, e cila është edhe pedagoge e ftuar në UBT, por me një histori të gjatë dhe të qëndrueshme bashkëpunimi, që nga koha që znj. ministre drejtonte AZHBR.

 Zonja Krifca, unë dua t’ju falenderoj personalisht shumë duke ju shprehur mirënjohjen e të gjithë stafit të UBT për mbështetjen dhe suportin tuaj të vazhdueshëm për Universitetin Bujqësor, suport që jam i sigurtë do të jetë reciprok edhe nga ana jonë.

Duke përfituar nga prania e Shkëlqesisë së tij, z. Ambasador Zingraf, i Republikës së Gjermanisë, nuk mund të rri pa falenderuar, qeverinë Gjermane, Agjencinë e Zhvillimit GTZ, sot GIZ për atë që kanë bërë dhe bëjnë për UBT.

I nderuar zoti Ambasador Zingraf, në këtë ditë të shënuar të 70-vjetorit të themelimit të UBT, do të dëshiroja të theksoja veçanërisht kontributin dhe mbështetjen e qeverise gjermane duke filluar nga viti 1992 dhe që vazhdon edhe aktualisht duke kontribuar në rritjen e kapaciteteve humane dhe laboratorike të universitetit, e cila ka lënë gjurmë të thella tek çdo pedagog dhe student i këtij universiteti.

Zoti Ambasador, prania Juaj sot në këtë aktivitet festiv por që do të vijojë në tre ditët pasuese edhe me konferencën “shkencore mbi shkencat e jetës”, është një tregues optimist dhe motivues për universitetin në lidhje me partneritetin e suksesshëm të Universitetit Bujqësor të Tiranës dhe agjencive zhvilluese të qeverisë gjermane si GTZ (sot GIZ) për të cilën unë ju lutem të pranoni dhe transmetoni pranë qeverise tuaj falenderimet dhe mirënjohjen time personale por edhe të gjithë stafit akademik të universitetit.

Në këtë kuadër ne sapo kemi filluar edhe një bashkëpunim me agjensinë për zhvillim ndërkombëtar (GIZ) në kuadër të projektit ‘’zhvillimi rural i qëndrueshëm’’ (SRD) të financuar nga qeveria juaj, për përgatitjen e 20 doktorantëve të rinj të cilët do të kryejnë studimet e tyre të doktoratës në modelin sandëich në Shqipëri dhe universitetet më prestigjoze në Gjermani të cilët do të kontribuojnë në zhvillimin e mëtejshëm të këtij sektori në Shqipëri. Mbështetja e dakordësuar financiare prej 200 000 Euro, konsiderohet si ndihma më e madhe direkte e dhënë ndonjëherë gjatë këtyre 30 viteve të fundit në drejtim të mbështetjes së një programi mësimor doktorate.

Veç sa më sipër universiteti gëzon gjithashtu mbështetjen tuaj për t’u integruar edhe në zonën europiane të kërkimit shkencor gjë që e shikojmë edhe në mbështetjen e aktivitetit që nis sot “Konferenca Ndërkombëtare e Shkencave të Jetës”, e cila zhvillohet me pjesëmarrjen e mbi 30 personaliteteve të huaja shkencore në fushën bujqësore nga universitetet më prestigjoze europiane (të Gjermanisë e Italisë) por edhe të Ballkanit Perëndimor, ku edhe do të paraqiten punimet e mbi 300 autorëve të ndryshëm.

Une dëshiroj t’ju garantoj që UBT do të vazhdojë të jetë një partner serioz dhe i besueshëm për të luajtur rolin që i kërkon koha dhe sfidat aktuale dhe ato të së ardhmes në drejtim të zhvillimit të qëndrueshëm të ekonomisë në sektorin bujqësor dhe të ekonomisë në zonat rurale në Shqipëri.

Një falenderim i veԷantë shkon për Prof. Gjinushin dhe kolegët e Akademisë së Shkencave që janë sot të pranishëm, që me vizionin dhe përkushtimin e tij i ka dhënë dhe po i japin një dimension të ri aktivitetit të Akademisëe së Shkencave dhe bashkëpunimit intensiv me Institucionet e Arsimit të Lartë.

Njëkohësisht nuk mund të rri pa falenderuar të gjithë kolegët e mi rektorë të të gjithë universiteteve shqiptarë që janë këtu të pranishëm, dhe veçanërisht Prof. Hoxhën, kryetarin tonë të konferencës së Rektorëve, që me qetësinë dhe vlerat që mbart i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë kësaj konference rolin që i takon.

Një falenderim shumë i sinqertë për të gjithë miqtë e universitetit, deputetët Duka dhe Topi, përfaqësuesit e ambasadave të Sllovenisë dhe Italisë në Tiranë, partnerët e UBT, përfaqësues të institucioneve partnere, ish-studentë të UBT që janë këtu të pranishëm si dhe çdo person tjetër që është në këtë sallë, duke i garantuar që UBT do të jetë gjithmonë një partner dhe mik i besueshëm në çdo aspekt.

Falenderime dhe mirënjohje shkon për të gjithë miqtë dhe bashkëpunëtorët e huaj të pranishëm sot në këtë sallë, si përfaqësues të universiteteve nga Gjermania, Italia, Austria, USA, Greqia, Zvicra, Franca, etj. Prania juaj këtu sot është një vlerësim dhe dëshmi e bashkëpunimit tonë intensiv në vite.

Së fundi, por jo e fundit nga rëndësia, falenderime dhe vlerësime të pafundme shkojnë për të gjithë bashkëpunëtorët e mi të afërt, Administratorin e UBT dhe stafin e tij, dekanët e fakulteteve, stafin akademik të të gjithë universitetit, ndihmës akademik dhe studentët e shkëlqyer të këtij universiteti, që me punën e tyre të përditshme kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë çmos për lartësimin e emrit të këtij universiteti.

Ajo që unë dëshiroj t’i them kolegëve dhe studentëve të mi sot këtu në këtë 70 vjetor, është fakti që Universiteti Bujqësor është një hapësirë për liri, mundësi dhe përgjegjësi. Përdorni këtë universitet çdo ditë për të kërkuar njohuri.

Universiteti Bujqesor është një vend ku supozohet se jeni aktiv në kërkimin e njohurive që ju nevojiten, një vend ku supozohet të luftoni dhe të përpiqeni për të shkëlqyer. Mos u dorëzoni derisa të keni eksploruar kufijtë e aftësive tuaja intelektuale. Ne presim shumë prej jush dhe ju duhet të prisni shumë prej nesh.

Universiteti Bujqësor i Tiranës në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Bujqësisë ka marrë përsipër misionin për t’i shërbyer sektorit bujqësor dhe rural në vend, duke kontribuar në ekonomine e vendit dhe duke bërë mirë për të gjithë konsumatorët shqiptarë. Për ta bërë ketë, UBT ka ndryshuar konceptimin e tij të funksionimit, të integrimit të vetes në vend me qëllim bërjen i dobishem përballë shoqërisë.

Ne do të përpiqemi ta shndërrojmë UBT në një institucion të përsosmërisë: ai për të cilin ne dhe të gjithe njerëzit të ndihen krenarë, për të cilët studentët dëshirojnë të studiojnë dhe studiuesit dhe kërkuesit më të mirë dëshirojnë të punojnë.

Ne jemi të vetëdijshëm për përgjegjësinë e madhe, por shpresoj shumë të mos jemi vetëm. Prania juaj sot këtu vetëm sa e dëshmon dhe konfirmon këtë.

Miqtë e mi,

Unë mendoj që UBT nuk është një universitet i përsosur, por besoj se është një universitet thellësisht i rëndësishëm për ekonominë shqiptare. Dhe unë bashkë me ekipin dhe stafin tim akademik dhe administrativ zotohemi në këtë 70 vjetor që do të bëjmë çmos në emër të tij – për nder të së kaluarës së tij, në detyrim të së tashmes që po kalon ky universitet dhe veçanërisht në pritje të së ardhmes së tij të shkëlqyer.

Faleminderit shumë.