Designed and built with care, filled with creative elements

Top
Image Alt

Fjalimi i Ministres së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca në “70 Vjet” Universiteti Bujqësor i Tiranës

Po ngarkohet Veprimtari
  • This veprimtari has passed.

01

Nën

Fjalimi i Ministres së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca në “70 Vjet” Universiteti Bujqësor i Tiranës

2021-11-01

I nderuar Rektor, të nderuar dekanë, profesorë, punonjës të këtij aparati, studentë, miq dhe dashamirës të të gjitha kohërave të këtij universiteti:

Është privilegj i madh të mund të adresoj këtë sallë e përmes kamerave të mund të falenderoj thellësisht çdo kontribues e çdo gjeneratë, prej themelimit në vitin 1951 e deri më sot që ka pasur mundësinë t’i japë këtij universiteti sado pak nga jeta e vet dhe t’i lartësojë shkëlqimin që ka sot. Është padyshim peshë përgjegjësie të jem pjesë e këtij paneli që kryefjalë ka mendimin e ndritur, dijen, dashurinë për shkencën, tokën dhe njeriun. Pesha e përgjegjësisë intelektuale rëndohet kur bëhet fjalë për universitetin më të hershëm në Shqipëri.

Sot e kam gjithësesi pak më të thjeshtë të flas përpara jush, pas asaj që pata mundësinë të shoh dje pikërisht në ambjentet e këtij universiteti tek ndoqa gëzimin dhe entuziazmin e 1577studentëve bachelor dhe master me kohë të plotë dhe diplomë profesionale 2- vjeçare që u diplomuan në të 60 degët e këtij universiteti.

I falenderova ata nga zemra që zgjodhën bujqësinë. M’u bë zemra mal që një armatë e re të rinjsh janë gati t’i thonë Shqipërisë dhe komuniteteve tona rurale si dhe konsumatorëve tanë që bujqësia ka edhe fytyrën e tyre. Unë e di se nuk është e lehtë të zgjedhësh këtë sektor. Duhet të kesh një thirrje të brendshme e ta duash shumë. Dhe fatmirësisht ka njerëz që e duan.

E konsideroj fat për gjithësecilin student të mund të kontribuojë në këtë historinë tonë të zhvillimit bujqësor duke dalë nga një universitet me histori. Janë diplomuar gjenerata profesorësh e akademikësh të nderuar të bujqësisë të cilët me kontributin e tyre kanë bërë të mundur që ky universitet të renditet ndër më të mirët. Një falenderim e mirënjohje e thellë për ta!

Gjatë partneritetit tim me universitetin, kam konstatuar me kënaqësi se Universiteti Bujqësor i Tiranës, si qendra më e madhe e arsimit dhe kërkimit në fushën e bujqësisë dhe ushqimit, është në një lidhje të vazhdueshme mes shkencës dhe prodhimit. Kemi dhënë e kemi marrë shumë nga ky universitet, në bashkëpunim e përmirësim, së bashku me pedagogët, ekspertët, studentët, dijet dhe pasionin për fushën tonë. Ndër vite kemi pasur bashkëpunime si në anën shkencore me kryerjen e analizave laboratorike, por edhe me asistencën në terren.

Universiteti Bujqësor i Tiranës është në vëmendje dhe interes të drejtpërdrejtë të politikave qeverisëse, për kontributin e tij në fusha me interes të gjerë publik duke ofruar produktin shkencor, ekspertizë dhe kontribut profesional në procesin e negociatave për kapitujt e Bujqësisë dhe Mjedisit duke plotësuar standardet dhe detyrimet që shoqërojnë procesin e antarësimit të vendit në BE.

Përmend me krenari se pjesë e këtij bashkëpunimi prej katër vjetësh janë bërë edhe studentët. Ndoshta, me një pjesë të tyre që janë këtu jemi takuar në fusha e ferma, ku kemi njohur nga afër punën e fermerit. Nga kjo dije praktike, një pjesë e mirë prej studentëve janë punësuar pranë insitucioneve tona.

Në ceremoninë e diplomimit i thashë studentëve dje se pas investimit të bërë në këtë universitet, tani duhet të dalin dhe të eksplorojnë terrenin shqiptar të bujqësisë. Të mbajnë kuriozitetin ndezur e të mos ngurojnë të zgjedhin punë të vështira sepse pikërisht aty do të mësojnë. I kërkova të mos i bien shkurt e të mos kenë frikë nga gabimet dhe dështimi pasi mundësia do të jetë aty për ta për t’u ringritur. Më të fortë, më të ditur, më të paepur për t’u përmirësuar. I thashë se me punë dhe vetëm me punë ia del. I thashë se terreni përtej këtyre godinave ka nevojë për ta. Fermerët dhe prodhuesit kanë nevojë për ta, fabrikat e përpunimit kanë nevojë për ta, bujqësia ka nevojë për ta, zhvillimi rural dhe ekonomia e vendit ka nevojë për ta.

Përtej sfidave dhe vështirësive që sektori patjetër ka, me krenari konstatoj se bujqësia sot ka një kurbë ngjitje të lëvdueshme. Janë rritur eksportet  me 30% vetëm në 4 vitet e fundit. Perimet shqiptare, sipas Global G.A.P të eksportuara janë rritur me 19% për 9 mujorin 2021. Po ashtu gjatë këtij 9 mujori 2021, eksportet në bujqësi janë rritur me 16.4% krahasuar me vitin e mëparshëm. Të ardhurat për fermë janë shtuar.

Një rol të rëndësishëm kanë luajtur edhe përpunuesit dhe fokusi tek qendrat e grumbullimit, si një faktor kyc për zgjerimin e tregut dhe orientimin ndaj eksporteve. Numërohen sot 250 pika grumbullimi në gjithë Shqipërinë me standarte të BE dhe mbi 700 njësi përpunimi. Po nxisim politika orientuese dhe marrëveshje me partnerët tanë ndërkombëtarë për hapjen e tregjeve të reja.

Tashmë flasim per fshatin, jo më vetëm si një vend ku prodhohet, por ku shkohet e vizitohet për turizëm. Ka mbi 100 ferma turistike në gjithë vendin me larmi ofertash dhe akoma më shumë do të punohet në këtë drejtim për t’í dhënë ekonomi banorëve, por edhe jetëzim e mirëqënie zonave rurale.

Jemi të angazhuar që të gjithë politikat e ndërmarra për bujqësinë, të jenë të orientuara drejt politikës së përbashket të bujqësisë ndaj dhe mundësuam akses në fondet europiane për të cilat kemi bërë një punë të admirueshme me orientimin e fermerëve dhe përthithjen. Kemi angazhim në përputhje me axhendën green deal, të Bashkimit Evropian, që çdo investim i kryer të ruajë standartet e kërkuara për mbrojtjen e mjedisit, të ruajmë ajrin, ujin, cilësinë e tokës dhe të mundësojmë sisteme qarkulluese dhe të qëndrueshme të ushqimit për vendin. Ne po punojmë bashkarisht në këtë drejtim duke orientuar më shumë investime në energji të rinovueshme, menaxhim fermash të integruar, më shumë identifikim, kontroll dhe teknologji dhe inovacion në bujqësi.

E kemi në fokus sigurinë ushqimore, si një themel bazë të gjithë popullsisë. Nuk është një proces i lehtë, por po punojmë për vendosjen e detyrueshme të librit të fermerit duke i dhënë atij mbrojtje nga abuzuesit, ngritjen e Urdhërit të Agronomit dhe mekanizmave institucionalë dhe ligjorë për mbikqyrjen dhe asistimin e fermerit në të gjitha fazat e prodhimit. Për këtë vijon puna për akreditim të thelluar dhe forcimin e rrjetit të gjerë të laboratorëve dhe të kemi një qasje të përditësuar të formalizuar mbi gjurmueshmërinë dhe transparencën e origjinës së ushqimeve.

Kemi objektiva ambiciozë në bujqësi të cilat konkretizohen me buxhetin e vitit 2022, duke dhënë një shtysë tepër të rëndësishme për të nxitur zhvillimin rural.

Në këtë përpjekje ne nuk mund dhe nuk do të jemi vetëm. Jemi së bashku pasi dija fillon këtu. Për të bërë së bashku politika më të mira, për të vënë përpara proceset që na çojnë drejt objektivit për zhvillim të qëndrueshëm në sektor.

Kemi bashkëpunuar që këtij universiteti t’i shtohet akoma më shumë shkëlqimi. Për herë të parë fillojnë Doktoraturat në fusha si:

  1. Analizat ekonomike dhe statistikat në funksion të politikave ekonomike në vend.
  2. Zhvillimi rural dhe shërbimi këshillimor dhe komunikimi në bujqësi.
  3. Siguria ushqimore dhe vlerësimi i Rrezikut Mjedisor.

Eshtë një bashkëpunim që Ministria e Bujqësisë me ndihmën e GIZ dhe ambasadës gjermane po e ofron për UBT. Kandidatët që do të jenë pjesë e këtij programi do të kenë mundësinë të kontribuojnë dhe mbështesin në mënyrë të drejtpërdrejtë Ministrinë, në procesin e hartimit të politikave zhvillimore, sidomos në kushtet e përgatitjes për negociatat me BE dhe plotësimin e detyrimeve të Kapitujve 11, 12 dhe 13 të acquis.

Ndër të tjera, me mbështetjen e qeverisë shqiptare kemi filluar një bashkëpunim me Universitetin BOKU në Vjenë, Austri i cili do të jetë një model orientues për ngritjen e UBT në nivelin e një Qendre Rajonale Ekselence dhe të ndihmojë në dhënien e diplomave të dyfishta.

Ne jemi në kohë të mira ku po ndërtojmë një zhvillim të ri, të nevojshëm dhe të domosdoshëm për Universitetin, për shkencën që ai ofron, por patjetër edhe thelbësor për të vazhduar ngjitjen e majave në bujqësi dhe zhvillimin rural në vend.

Për ta arritur këtë, kemi nevojë që edhe ju pedagogë, ekspertë të tregoni me veprime konkrete rolin tuaj. Të keni një rol më proaktiv në hapësirën publike dhe të mbroni dijen. Ne besojmë tek ju, ekspertiza shkencore dhe argumentat shterues. Ju ftoj ta zotëroni hapësirën mediatike dhe dialogun publik me debat konstruktiv për zhvillimin e sektorit bujqësor. Ju inkurajoj ta bëni këtë në të gjitha fushat, që nga blegtoria, siguria ushqimore, pyjet, apo politikat bujqësore.

Të nderuar miq, jam shumë optimiste kur shoh që ky universitet me potencialet dhe vlerat e mëdha akademike që mbart punon drejt bërjes së një realiteti bujqësor më të mirë për ne dhe për brezat që vijnë. Ju keni përgjegjësi, me pak fjalë, të përdorni talentet tuaja për të mirën e shoqërisë e cila ndihmon në zhvillimin e këtyre talenteve. Ju duhet të vendosni, siç thotë Gëte, nëse do të jeni një kudhër apo një çekiç, nëse do t’i jepni botës në të cilën jeni rritur dhe arsimuar përfitimet më të gjera të mundshme të këtij edukimi.

Qytetari i arsimuar ka detyrimin t’i shërbejë publikut. Ai mund të jetë një agronom apo zooteknik në një fashë të thellë, ai mund ta japë kontributin e tij në institucione qendrore apo vendore, ai mund të jetë një nëpunës civil ose një parlamentar, ai mund tëjetë një fitues ose një humbës.

Por, unë ju nxis që të jeni gjithmonë pjesëmarrës fitues dhe jo spektatorë gjykues. Une ju bëj thirrje të gjithëve juve sot, veçanërisht atyre që janë studentë, të vazhdoni të mësoni, të veproni, të hyni në listat e shërbimit publik dhe me të drejtë të fitoni.

Angazhimi juaj është i nevojshëm jo vetëm në auditore dhe në mjedisin mësimor, por edhe në zhvillimin demokratik të vendit, udhëheqjen e debatit shkencor në fushen e bujqësisë dhe zhvillimit rural.

Jam e bindur, që ashtu si Universiteti, edhe ju do të shkëlqeni!

Faleminderit e ta gëzojmë 70 vjetorin.