Designed and built with care, filled with creative elements

Top
Image Alt

Ekspertë të shëndetësisë dhe të OBSH-së, takim në UBT me studente/ë e pedagoge/ë për vaksinimin anticovid

Po ngarkohet Veprimtari
  • This veprimtari has passed.

09

Nën

Ekspertë të shëndetësisë dhe të OBSH-së, takim në UBT me studente/ë e pedagoge/ë për vaksinimin anticovid

2021-11-09

Studentë e pedagoge/ë të Universitetit Bujqësor të Tiranës ishin sot pjesë e një forumi me debate, pyetje e përgjigje në lidhje me sfidën më të madhe me të cilën po përballet aktualisht mbarë njerëzimi, COVID 19. Ekspertët e shëndetësisë, mjeku epidemiolog Ilir Alimehmeti dr. Arjan Harxhi e Gjergj Koja së bashku  me shefin e zyrës së OBSH për Shqipërinë, dr. Gerald Rockenschaub ishin pjesë e panelit që iu përgjigjën kureshtjes dhe pyetjeve të ngritura nga studentet/ët dhe pedagogët e UBT-së në lidhje me vaksinimin anticovid.

Pasi u uroi mirëseardhjen ekspertëve të shëndetësisë në këtë takim mbi të gjitha informues, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku i ftoi të pranishmit në këtë forum të ezauronin kureshtinë e tyre dhe të mos nguronin të adresonin çdo lloj paqartësie në lidhje me procesin e vaksinimit anticovid, proces i cili nuk ka ndaluar për asnjë cast në ambientet e kampusit unversitar që pas vendimit të qeverisë për vaksinimin e të rinjve.

Duke e cilësuar vaksinën si një sfidë që shpëton jetë, duke përcjellë disa statistika, mjeku Koja informoi se në vendin tonë deri tani janë regjistruar  1 932 000 doza vaksina të bëra, mbi 2 500 000 doza vaksinash kanë mbërritur deri tani në vend ndërsa janë parashikuar rreth 5. 5 mln të tilla dhe janë vaksinuar rreth 900 000 shqiptarë. Po sipas tij target i OBSH-së është që të vaksinohen rreth 70% e popullsisë shqiptare deri në mes të 2022 dhe aktualisht janë vaksinuar 40% e popullatës.  Mjeku Koja siguroi studentët se vaksinat që përdoren në Shqipëri janë të miratuara dhe të parakualifikuara nga organizatat ndërkombëtare të shëndetësisë.

Ai shtoi se vaksina mbron nga vdekja, nga hospitalizimi dhe shmangia e komplikacioneve të rënda ndaj askush nuk duhet të ketë mëdyshje në lidhje me kryerjen apo jo të saj dhe se efektshmëria e saj është shumë herë më e madhe se efektet anësore.

I të njëjtit mendim ishte dhe përfaqësuesi i OBSH, dr. Gerald Rockenschaub i cili ndër të tjera foli për rastet e rritura të infektimit me virusin Corona në disa vende europiane ku vaksinimi është në nivele të ulta dhe se po merren masa e veprime për të parandaluar rritjen e numrave. Edhe Rockenschaub siguroi të pranishmit në forum se tashmë kemi vaksina të sigurta dhe të efektshme. Eksperti i OBSH tha gjithashtu se të rinjtë kontribuojnë shumë duke u vaksinuar, jo vetëm duke mbrojtur veten por edhe njëri-tjetrin e mbarë shoqërinë.

Rrezikshmëria nga infektimi me virusin –tha më tej Rockenschaub- është shumë më e ulët nëse vaksinoheni. Qasja e të rinjve-shtoi ai,  për t’iu përgjigjur pozitivisht fushatës së vaksinimit, ndikon shumë në impaktin që do të ketë COVID 19 dhe përhapja e tij.

Ndërkaq në takimin që zgjati rreth dy orë, mjekët Harxhi e Alimehmeti shpjeguan me detaje e argument shkencore informacione në lidhje me Covid 19; vaksinimin anticovid, efektshmërinë, sigurinë apo efektet anësore të tij ndërsa theksuan se vaksinimi është mënyra më e mirë për të parandaluar këtë patologji duke mos neglizhuar edhe masat e tjera si maska, higjiena shëndetësore e distancimi social. Sipas bluzave të bardha Covid 19 është një sëmundje vdekjeprurëse me një transmetueshmëri shumë të madhe nëpërmjet spërklave dhe aerosolit, ndaj të gjitha këto duhen patur parasysh për të marë vendimin për t’u vaksinuar. Edhe një herë ata i bënë thirrje të rinjve dhe stafit akademik që të besojnë tek shkenca dhe tek mjekësia.

Rektori i UBT-së ndërsa falenderoi ekspertët e shëndetësisë për të gjitha informacionet e përcjella dhe i ftoi ata të jenë sërish pjesë e takimeve të tilla.