Designed and built with care, filled with creative elements

Top
Image Alt

Biznesi i sektorit të blegtorisë mbështet modelin Dual të studimeve universitare në Zootekni në UBT

Po ngarkohet Veprimtari
  • This veprimtari has passed.

02

Nën

Biznesi i sektorit të blegtorisë mbështet modelin Dual të studimeve universitare në Zootekni në UBT

2021-11-02

International Workshop “The Future of Higher Education in Agricultural Sciences”.

Universiteti Bujqësor i Tiranës (UBT) organizoi një Seminar Ndërkombëtar me temë “E ardhmja e studimeve universitare në shkencat bujqësore”, në kuadër të Konferencës Ndërkombëtare Shkencore në Shkencat Bujqësore dhe të Jetës (ICOALS 3) dhe të projektit të BE- Erasmus CBHE “Dual Curricula – Study and Work Practice in Agriculture and Food Safety” (DualAFS).

Në këtë Seminar morrën pjesë pedagogë të UBT dhe universiteteve partnere, Universiteti Nürtingen -Gjermani, Universiteti Savonia – Finlandë, Universiteti Molise Itali, Universiteti “F.S. Noli” i Korcës, Universiteti “H. Prishtina” i Prishtinës, Universiteti “I. Boletini” i Mitrovicës, Universiteti i Tetovës dhe Universiteti i Shkupit, përfaqësues të rreth 30 fermave dhe sipërmarjeve të tjera të blegtorisë dhe ushqimit, përfaqësues të tjerë nga Ministria e Bujqësisë & Zhvillimit Rural, Agjencia për Zhvillim Bujqësor & Rural (AZHBR), Agjencia  Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive, përfaqësues për projekteve të GIZ – Gjermani dhe RisiAlbania Helvetas Swiss Intercooperation, si dhe drejtorë të shkollave të mesme profesionale të fushës së bujqësisë.

Një studim i tregut të punës për të diplomuarit në fushën e zooteknisë dhe agrobiznesit i realizuar nga UBT, në bashkëpunim me universitetet e tjera partnere pjesëmarrëse në këtë projekt Erasmus, tregoi qartë se mbi 150 fermerë dhe përfaqësues të bizneseve në fushën e blegtorisë nga Shqipëria dhe Kosova, që kanë marrë pjesë në këtë studim, vlerësojnë formimin profesional praktik si faktorin më të rëndësishëm, thuajse përcaktues, për punësimin e shpejt të të diplomuarve. Gjithashtu, ata kërkojnë nga të diplomuarit, përvec formimit solid teknik shkencor, edhe aftësim në përdorimin e teknologjisë së informacionit dhe të dixhitalizimit, zotërimin e gjuhëve të huaja, si dhe aftësim në komunikim dhe ekstensionin në bujqësi dhe blegtori. Vlerësime të ngjashme për aftësitë e të diplomuarve shprehën edhe rreth 140 përfaqësues të institucioneve publike, qendrore dhe rajonale, të sektorit të bujqësisë, blegtorisë, ushqimit dhe sigurisë ushqimore të Shqipërisë dhe Kosovës.

Biznesi në fushën e blegtorisë dhe agrobiznesit dhe përfaqësuesit e sektorit publik të kësaj fushe, shprehën, në këtë Seminar, një mbështetje të plotë dhe inkurajuan UBT për aplikimin e studimeve universitare të kombinuara me praktikën (Modeli Dual) në fushën e Zooteknisë dhe fusha të tjera të shkencave bujqësore, si rrugën më të sigurtë për rritjen e cilësisë së formimit profesional, teorik dhe praktik, të studentëve, si specialistët e rinj, të cilët do të kontribojnë për zhvillimin afatgjatë, të qendrueshëm dhe modernizim e sektorit të blegtorisë në vendin tonë, në mënyrë që ai të përballoj me sukses sfidat e prodhimit të mjaftueshëm të produkteve blegtorale, cilësore dhe të sigurta të vendit, të ruajtjes së mjedisit, ruajtjes së shëndetit dhe mirëqenies së kafshëve të fermës, si dhe të konkurrueshmërisë, në tregun e brendshëm dhe të jashtëm, të prodhimit të produkteve blegtorale.

Përfaqësuesit e biznesit në fushën e blegtorisë dhe agrobiznesit shprehën gatishmërinë e plotë për të bashkëpunuar ngushtë me UBT, si bashkëkontribues në realizimin e formimit praktik të studentëve, përmes praktikave të gjata profesionale, direkt në ferma dhe biznese, dhe për t’a formalizuar këtë bashkëpunim, fillimisht me zgjerimin e marrëveshjeve ekzistuese të bashkëpunimit për praktikat profesionale të studentëve, si dhe, në një fazë të dytë, afrimin nga ana e fermave dhe bizneseve të këtij sektori  kontrata të praktikës profesionale me studentët. Gjithashtu, përfaqësuesit e biznesit kërkuan njohjen dhe institucionalizimin, nga ana e shtetit, të kontributit të tyre për realizimin e praktikave profesionale të studentëve.

Në seminar u diskutua gjërësisht mbi format bashkëpunimit me përftitim reciprok midis bizneseve dhe universitetit, mbi afrimin e shërbimeve dhe ekspertizës nga ana e universitetit për bizneset, mbi institucionalizimin e statusit të fermave dhe bizneseve të formimit praktik të studentëve, si dhe mbi incentivat e mundshme të mbështetjes së tyre, përmes politikave të vecanta nxitëse, sic mund të jenë: dhënia e një bonusi në vlerësimin e projekteve apo aplikimeve pranë AZHBR për mbështetje financiare në kuadër të buxhetit të shtetit apo programit IPARD, lehtësira fiskale për kontributin në formimin praktik të studentëve, deri në mbështetjen financiare për një ekspert trajnues për studentët  gjatë praktikës profesionale etj., në ferma dhe biznese të mëdha të sektorit të blegtorisë.

Rektori i UBT, Profesor Fatbardh Sallaku dhe dekani i Fakultetit të Bujqësisë dhe Mjedisit, Profesor Ilir Kristo, u shprehën mirënjohjen përfaqësuesve të fermave dhe bizneseve të sektorit të blegtorisë si dhe atyre të institucioneve publike të këtij sektori, për mbështetjen e plotë që ata po i japin UBT në zhvillimin dhe fillimin e zbatimit të programeve të studimeve universitare të kombinuara me praktikën (studimet Duale), sidomos për zhvillimin e praktikave profesionale të studentëve, dhe i garantuan ata, se UBT, me fakultetet dhe departamentet e tij, do të jenë dyert e hapura për ta, si për trajnime, ekspertizë dhe shërbime të tjera profesionale shkencore që u nevojiten atyre. Gjithashtu, ata i ftuan përfaqësuesit e fermave e bizneseve si dhe të institucioneve publike të sektorit të bujqësisë, që të vazhdojnë bashkëpunimin e mëtejshëm me UBT dhe konsorciumin e universiteteve partnere të projektit Erasmus DualAFS, për zhvillimin e kornizës së plotë institucionale, e cila do të rregullojë, nxitë dhe mbështet bashkëpunimin midis universitetit dhe fermave e bizneseve të sektorit të bujqësisë e blegtorisë për realizimin e studimeve universitare të kombinuara me praktikën (Duale) në drejtimin Zootekni, si një model që do të shtrihet, hap pas hapi, edhe në programet të tjera të fushës së bujqësisë, ushqimit dhe sigurisë ushqimore.