VIZITË E KRYEMINISTRIT Z. EDI RAMA, NË KUADËR TË PROMOVIMIT TË SKEMËS MBËSHTETËSE PËR BUJQËSINË DHE ZHVILLIMIN RURAL PËR VITIN 2018

Në mjediset e Universitetit Bujqësor të Tiranës, në datat 13 dhe 14 Shkurt 2018, u zhvillua trajnimi dy ditor i studentëve të masterit shkencor rreth skemës kombëtare për mbështetjen e bujqësisë dhe zhvillimit rural për vitin 2018. Ky trajnim u zhvillua nga stafi i Agjensisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) me synim angazhimin e studentëve në krah të fermerëve për shpjegimin e skemave, plotësimin e aplikimeve dhe shkrimin e projekteve.

 

 

 

 

Kjo nismë u përshëndet nga prania e Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama, Ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, z. Niko Peleshi dhe drejtueses së AZHBr-së, Znj. Frida Krifca.

Në fjalën e tij përshëndetëse, rektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës, Prof. Dr. Bari Musabelliu, u uroi mirëseardhjen të pranishmëve, duke falenduar për vëmendjen e veçantë dhe mbështetjen e qeverisë shqiptare ndaj UBT-së. Përfshirja e Universitetit Bujqësor të Tiranës në aksione të tilla kombëtare të qeverisë shqiptare do të kontribuojë në transformimin e tij në një qëndër kombëtare ekselence të edukimit universitar, kërkimit shkencor dhe transferimit të njohurive tek biznesi.

 

 

 

 

Prof. Dr. Musabelliu iu drejtua studentëve duke theksuar se kjo përbën një mundësi të shkëlqyer për ta dhe se stafi i UBT-së do ti mbështesë dhe inkurajojë në këte ekperience me vlerë. Për të përmbushur më së miri këtë detyrë, ata duhet të fitojnë informacionin e duhur për një sërë problemesh që lidhen kryesisht me teknologjitë e prodhimit, me strategjitë kombëtare, politikat e zhvillimit bujqësor, me politikat e rajonizimit të bujqësisë, nevojën e integrimit të aktiviteteve prodhuese dhe atyre agropërpunuese, si dhe domosdoshmërinë e integrimit të fermerëve me tregun bujqësor. Kjo nismë përbën një kontribut të dukshëm në zhvillimin e bujqësisë në vend.

 

 

 

 

Në vijim, Znj. Frida Krifca, Drejtore e Pëgjithshme e Agjensisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, theksoi se përfshirja e studentëve të UBT-së në komunikimin e skemës kombëtare, e cila këtë vit numëron 52 masa, përbën një forcë të madhe për qeverinë shqiptare. Ajo falenderoi studentët për angazhimin e tyre dhe theksoi se gjatë fushatës së komunikimit të skemës ata mund të përftojnë maksimalisht nga eksperienca e fermerëve tanë.

 

 

 

 

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, z. Niko Peleshi, solli në vëmendje se bujqësia, blegtoria, peshkimi, agropërpunimi dhe agroturizmi përbëjnë sektorët me potencialin më të lartë në ditët e sotme për rritje dhe zhvillim. Këta sektorë kanë  mbështetjen maksimale të qeverisë dhe paraqesin nevoja gjithmonë e në rritje për kapacitete njerëzore. Ministri theksoi se bashkëpunimi midis Universitetit Bujqësor të Tiranës, qeverisë shqiptare dhe sektorit privat mbart energjinë e nevojshme për mobilizim. Nisma për përfshirjen e drejtpërdrejtë të studentëve në komunikimin e skemës mbështetëse për bujqësinë, synon rritjen e aftësisë për promovimin e saj dhe shndërrimin e studentëve në specialistë të mirefilltë të fushës.

 

 

I ftuar i veçantë, kryeministri i vendit, z. Edi Rama, falenderoi studentët për praninë dhe gatishmërinë për t’u bërë pjesë e këtij procesi. Në  vazhdimësi të  trajnimit te zhvilluar nga AZHBR, ai ftoi studentët  të vazhdojnë rrugën e nisur përmes studimeve. Theksoi rëndësinë e një jete të re me fshatin, sepse, për fat të keq, për një periudhë të gjatë kohe, është krijuar ideja se bujqësia është një sektor thjesht për të mbijetuar. Procesi i promovimit të skemës mbështetëse për bujqësinë synon rritjen e kapacitetit të dijes dhe zëvëndësimin e strukturave  informuese shtetërore me struktura informimi reale që të jenë më pranë fermerëve. Në këtë proces rol të rëndësishem do të luajnë studentët e UBT-së për të përcjellë mesazhin e qartë se çfarë janë skemat e reja, si mbështeten ato dhe si bëhet një aplikim. Z. Rama solli në vëmendje se ky aktivitet përbën momentin e parë të lidhjes së studentëve me AZHBR-në. Qeveria shqiptare dëshiron që kjo lidhje të mos jetë e përkohshme. Pas diplomimit studentet e UBT-së do mund të kthehen të parët kandidatë për t’u bërë pjesë e AZHBR-së, qoftë brenda si specialistë, qoftë jashtë si bashkëpunëtorë, në mënyrë që kjo punë që fillon sot, me njohjen direkte me fermat, me njerëzit, me zonat, të pasohet më pas nga përfshirja  e tyre në asistencën e fermerëve.

 

 

 

 

Në mbyllje, kryeministri Z. Edi Rama, u shpreh: “Unë jam besimplotë se kush do ta kapë këtë moment, do të hapë një rrugë suksesi në karrierën e vet dhe kush do të dëshirojë të vazhdojë të punojë ngushtësisht me ne, për ta çuar përpara këtë proces, do të ketë shumë punë për të bërë.  Mos harroni, lumturia është fjalë e madhe, por lumturia në fund të fundit është të bësh punën që pëlqen dhe të jetosh me punën që pëlqen. Ky është një moment që jo të gjithë arrijnë. Ju keni mundësi ta arrini, të bëni punën që ju pëlqen dhe të jetoni mirë me punën që ju pëlqen.”