Designed and built with care, filled with creative elements

Top
Image Alt

Faculty of Biotechnology and Food

FAKULTETI I BIOTEKNOLOGJISË DHE USHQIMIT

Edukimi në Shkencat dhe Teknologji Ushqimore (ShTU) në Universitetin Bujqësor të Tiranës ka filluar në vitet 1960, nëpërmjet disiplinave teknologjike, si:

  • Konservimi dhe përpunimi i produkteve bujqësore,
  • Teknologjia e përpunimit të fruta-perimeve,
  • Teknologjia e përpunimit të rrushit (Enologjia),
  • Teknologjia e përpunimit të produkteve blegtorale.

Pas viteve 1990, veç disiplinave të mësiperme, u shtuan edhe disiplina të tjera, si:

  • Teknologjia ushqimore
  • Kontrolli higjieno-sanitar i ushqimeve me origjinë blegtorale
  • Mikrobiologjia dhe bioteknologjia ushqimore

Këto disiplina u zhvilluan në departamente të UBT, pa përfillur këtu një numër disiplinash biologjike teorike e zbatuese, të lidhura ngushtë me shkencat dhe teknologjinë ushqimore. Programet mësimore kanë qënë të fokusuara në Industrinë e Agropërpunimit (IAP) dhe në transformimin e produkteve me origjinë bujqësore, pyjet dhe peshkimin. Modulet kryesore përmbanin njohuri shkencore për prodhimin e lendeve të para me origjinë bimore e shtazore, përpunimi pas korrjes, vjeljes, mjeljes, therrjes, transformimet e lëndëve të para në produkte ushqimore, ambalazhimi, ruajtja, shpërndarja dhe tregtimi i tyre. Me vonë u zhvilluan disiplinat shkencore në kuadër të zinxhirit ushqimor ku zbatohen teknologji të manipulimit, transformimit, të ruajtjes dhe sistemet e drejtimit të cilësisë dhe sigurisë së ushqimit.

Pas vitit 1992, në Universitetin Bujqesor të Tiranës u krijuan kushtet për ristrukturimin e drejtimeve të diplomimit e të strukturave akademike për zhvillimin e shkencave dhe teknologjisë ushqimore dhe të veprimtarisë kërkimore shkencore në fushën e ushqimit.

Në vitin 1992, u krijua, fillimisht, Seksioni i Teknologjisë Ushqimorenë varësi të Fakultetit të Agronomisë. Me Urdhërin e Ministrit të Arsimit dhe Shkencës Nr. 138, datë 04.08.1998, pranë Fakultetit të Bujqësisë të Universitetit Bujqësor të Tiranës, krijohet “Departamenti i Teknologjisë Agroushqimore” dhe Kursi i Studimit “Teknolog ushqimor”, me kohëzgjatje 4,5 vjet. Për nevojat e zhvillimit të sektorëve të specializuar të industrisë ushqimore në kuadrin e sistemit agroushqimor dhe të sistemit të edukimit jouniversitar, me Urdhërin e Ministrit të Arsimit dhe Shkencës Nr.873, datë 05.06.2001, u hap Kursi i Studimit: Teknologji Agroushqimore”, me kohëzgjatje 3 vjet, me tre profile: “Teknologji ushqimore”, “Vreshtari-enologji” dhe “Konservimi i produkteve me origjinë bimore”

Në vitin akademik 2005-2006, pranë Departamentit të Teknologjisë Agroushqimore të Fakultetit të Bujqësisë, në kushtet e reja dhe në kuadrin e reformës në arsimin e lartë në UBT, sipas sistemit 3+2, kurset e studimit 4,5 vjet në Teknologji ushqimore, u zhvilluan në 3 vjet studime në Inxhinieri Agroushqimore, me dy profilet:

  1. Profili: Teknologji agroushqimore
  2. Profili: Vreshtari-enologji (Teknologjia e Pijeve),

Emërtimi Inxhinieri agroushqimore, në profilin e Teknologjisë agroushqimore dhe të Vreshtari-enologjisë, tregon një drejtim në ShTU, që shpreh në thelb:

Karakterin modifikues të ushqimeve me origjinë bimore e shtazore, kontrollin dhe optimizimin e cilësisë në proceset teknologjike të krijimit, manipulimit, transformimit, ambalazhimit, ruajtjes dhe tregtimit të produkteve ushqimore;

-Garantimin e cilësisë së proceseve e të produkteve, me anën e zbatimit të sistemeve të sigurimit të cilësisë dhe administrimit të saj.

Ligji Nr.9741, datë 21.05.2007 “Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqiperisë”, miratoi sistemin e ri të arsimit të lartë, riorganizimin e kërkimit shkencor të vendit dhe unifikimin e sistemit të edukimit të lartë me atë të kërkimit shkencor, në vitin akademik 2006-2007. Në bazë të tij, kursi i studimit në Inxhinieri Agroushqimore u emërtua “Cikli I i Studimeve-Bachelor” dhe u propozua i njejti kurs studimi per “Ciklin e II, Master i Shkencave në vitin akademik 2008-2009. Cikli i II i studimeve u plotësua më vonë edhe me programin e Masterit  Profesional “Cilësia dhe Siguria Ushqimore”. Ky ndryshim u shoqërua njekohesisht me ristrukturimin e departamentit të Teknologjisë Agroushqimore në “Departamenti i Bioteknologjisë Agroushqimore”.

Ne vitin 2014, Departamenti i Bioteknologjise Agroushqimore dhe Departamenti i Biologjise dhe Kimise u ristrukturuan ne tre departamente: Departamenti i Teknologjise AgroushqimoreDepartamenti i Shkencave te Ushqimit dhe Bioteknologjise dhe Departamenti i Kimise, me synimin edhe të përgatitjes së specialiteve të lartë në drejtimet e Shkencave te ushqimit, te Sigurise ushqimore dhe Bioteknologjise ushqimore.

Fakulteti i Ekonomisë dhe Agrobiznesit (FEA) është një ndër fakultetet më të rëndësishme të Universitetit Bujqësor të Tiranës (UBT). Ai zë fill që nga viti 1971, me emërtimin Fakulteti i Ekonomisë Agrare dhe funksionoi si i tillë deri në vitin 1994, periudhë e cila përkon me ristrukturimin tërësor të UBT-së. Për pasojë Fakulteti i Ekonomisë Agrare u bë pjesë e Fakultetit të Bujqësisë me dy departamente përkatëse, Departamenti i “Drejtimit të Fermave dhe Agrobiznesit” dhe Departamenti i “Ekonomisë dhe Politikave Agrare”.

Ristrukturimi, i cili filloi në vitin 1994 dhe përfundoi në vitin 1998, u realizua me konsulencën e projektit SARA (American Support for Agricultural Restructuring in Albania) dhe kishte si objektiv themelor përgjigjen ndaj kërkesave të reja që do të ofronte zhvillimi i bujqësisë dhe i sistemit të agrobiznesit në tërësi.

Në vitin 2007, si pasojë e riorganizimit të Fakultetit të Bujqësisë, u krijua FEA, i cili ka aktualisht gjashtë departamente, Departamenti “Drejtim Agrobiznesit”, Departamenti “Ekonomisë dhe Politikave të Zhvillimit Rural”, Departamenti “Financë Kontabilitet”, Departamenti “Matematikë dhe Informatikë”, Departamenti “Menaxhim i Turizmit Rural” dhe Departamenti “Gjuhëve të Huaja”.

FEA është njesia kryesore më e madhe në UBT, me rreth 3000 studentë, 93 anëtarë të stafit akademik dhe 17 anëtarë të stafit ndihmës akademik, si dhe ofron aktualisht 16 diploma në të tre ciklet e studimit. FEA në përbërjen e tij përfaqëson njësinë më të rëndësishme të kërkimit dhe ekspertizës në fushën e ekonomisë dhe agrobiznesit. Ai ka në fokus jo vetëm edukimin shkencor e profesional të studentëve por edhe konsulencen dhe gjenerimin e ideve për zhvillimin e ekonomisë me orientim bujqësinë.