Designed and built with care, filled with creative elements

Top
Image Alt

DITA NDËRKOMBËTARE E ARSIMIT

Dita Ndërkombëtare e Arsimit është një ditë e përvitshme ndërkombëtare kushtuar arsimite cila shënohet më datën 24 Janar të çdo viti. Asambleja e Përgjithëshme e Kombeve të Bashkuara në takimin e saj të mbajtur më 3 dhjetor të vitit 2018, ka shpallur 24 janarin si Ditë Ndërkombëtare të Arsimit duke përkujtuar rolin që luan arsimi për paqen, përparimin dhe zhvillimin global, si dhe duke riafirmuar me këtë rast edhe faktin se “Arsimi është një e drejtë njerëzore, një e mirë publike dhe një përgjegjësi kolektive”.  Qëllimi i tjetër i caktimit të ditës kushtuar arsimit në nivelin ndërkombëtar është që të tërheq vëmendjen e qeverive dhe popujve për rolin dhe rëndësinë që luan arsimi si njëri ndër mjetet më të përshtatshme për të shpëtuar nga varfëria. Pa një arsim cilësor gjithëpërfshirës dhe të barabartë si dhe mundësi për arsimim gjatë gjithë jetës për të gjithë, shtetet nuk do të kenë sukses në arritjen e barazisë gjinore dhe thyerjen e ciklit të varfërisë që është duke lënë miliona fëmijë, të rinj dhe të rritur në prapambeturi. 

Arsimi është një e drejtë njerëzore. E drejta për arsimim është e parashikuar në nenin 26 të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njerriut. Deklarata bën thirrje për arsim fillor falas dhe të detyrueshëm. Konventa për të Drejtat e Fëmijëve, e miratuar në vitin 1989, shkon më tej duke përcaktuar që vendet do ta bëjnë arsimin e lartë të arritshëm për të gjithë.

Arsimi është çelësi i zhvillimit të qëndrueshëm. Kur është miratuar Agjenda 2030 për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm në shtator të vitit 2015, komuniteti ndërkombëtar e pranoi se arsimi është esencial për suksesin e të gjitha 17 objektivave të saj. Objektivi nr. 4 i Zhvillimit të Qëndrueshëm, në veçanti, synon të “sigurojë arsim gjithpërfshirës, cilësor dhe të barabartë si dhe të promovojë mundësitë e të mësuarit gjatë gjithë jetës për të gjithë”, deri në vitin 2030.

Sfidat për arritjen e arsimit universal. Arsimi u ofron fëmijëve mundësi (shkallë) për dalje nga varfëria dhe një rrugë për një të ardhme premtuese. Por rreth 265 milion fëmijë dhe adoleshentë në të gjithë botën nuk kanë mundësi të vijojnë ose të përfundojnë shkollën. Më shumë se një e pesta e tyre janë të moshës së shkollës fillore. Ata pengohen nga varfëria, diskriminimi, konfliktet e armatosura, emergjencat dhe efektet e ndryshimeve klimatike. Migrimi dhe zhvendosja me forcë gjithashtu ndikojnë në arritjen e qëllimeve të arsimit, siç paraqitet në Raportin Global të Monitorimit të Arsimit 2019.

Rëndësia e Ditës Ndërkombëtare të Arsimit

Duke shpallur Ditën Ndërkombëtare të Arsimit, vendet anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara njohën rëndësinë e punës arsimore për të siguruar një arsim cilësor gjithëpërfshirës dhe të barabartë në të gjitha nivelet – në mënyrë që të gjithë njerëzit të kenë qasje në mësimin gjatë gjithë jetës dhe përvetësimin e njohurive dhe aftësive të nevojshme për pjesëmarrje të plotë në shoqëri si dhe të kontribuojnë për një zhvillim të qëndrueshëm.

Arsimi në Shqipëri zhvillohet në institucione shoqërore dhe private. Mësimi në shkollat fillore në Shqipëri zhvillohet në gjuhën shqipe. Institucionet shtetërore të arsimit në Shqipëri qeverisen nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MAS).

Në trojet shqiptare prania e institucioneve arsimore dëshmohet që në periudhën antike e deri në kohën e principatave shqiptare në Mesjetë. Në vitet e pushtimit osman mësimi i gjuhës shqipe bëhej fshehurazi në ato pak shkolla fetare që u lejuan të vazhdonin veprimtarinë e tyre, si në vitin 1584, në Strumbëll të Kosovës, pastaj në Himarë (1627), Kurbin të Krujës (1632), Vubo e Palasë të Himarës (1632), Korçë (1637), Pllanë (1639), Bilisht (1639), Dhërmi (1660), Janjevë (Kosovë) (1665), në Akademinë e Re në Voskopojë e në Medresenë e Bushatllinjëve në Shkodër, etj.

Sistemi Arsimor. Shkolla është një nga institucionet sociale kryesore. Funksionet që ka ajo janë të shumta,së pari është institucion shoqëror I organizuar me një strukturë të identifikueshme dhe me shumë funksione që kanë si qëllim ruajtjen dhe zgjerimin e rendit shoqëror. Shkolla fokusohet në përcjelljen e njohurive sipas fushave të caktuara dhe disa nga funksionet e dukshme janë: i) Kontrolli social i individit; ii) Socializimi i individit; iii) Përcjellja e cultures; iv) Formimi I individit. Sistemi arsimor në Shqipëri bazohet në Kushtetutën e Republikës se Shqipërisë, e cila, bashkë me ligjet kryesore, aktet ligjore dhe dokumente të tjera të rëndësishme, e konsideron sektorin e arsimit si prioritet. Në ligjin 69/2012 përcaktohet e drejta për t’u arsimuar e çdo shtetasi shqiptar, në të gjitha nivelet e arsimimit, pa asnjë lloj diskriminimi, pavarësisht nga kombësia, gjuha, gjinia, feja, bindjet politike, gjëndja shëndetësore, gjëndja ekonomike, etj. MAS është institucioni më I lartë publik administrativnë sektorin e arsimit kombëtar. Ky institucion miraton dispozitat bazë për institucionet arsimore, programet shkollore dhe kurrikulën dhe jep udhëzimet për vitin e ri shkollor.  MAS është përgjegjës edhe për hartimin dhe monitorimin e zbatueshmërisë së Strategjisë së Arsimit të sistemit Arsimor Parauniversitar. Vizioni aktual për sistemin arsimor ka vendosur në qëndër nxënësin dhe nevojat e tij, me qëllim që brezi I ardhshëm mund të përfitojë përmes këtij shërbimi aftësi, shprehi dhe vlera që do ta ndihmojnë atë në mënyrë individuale të përballojë sfidat e një tregu të globalizuar, por që do të sjellë kontribut edhe në kapitalin njerëzor, duke shënuar një progres të ri shoqëror.

Karakteristikë e suksesshme për sistemin arsimor është decentralizimi, autonomia e institucioneve arsimore. Kjo e fundit ka të bëj me ndarjen e detyrave, përgjegjësive, funksioneve ndërmjet niveleve të ndryshme të qeverisjes. Sot shkollat në Shqipëri kanë disi autonomi krahasuar me shumë vite më parë, pasi është rritur niveli I përgjegjësisë, janë rritur kapacitetet për planifikim dhe menaxhim. Që të arrijmë këtë sukses duhet që t’u krijojmë kushte dhe mundësi nxënësve: i) Të kultivojnë identitetin vetjak, kombëtar dhe përkatësinë kulturore; ii) Të përvetësojnë vlera të dobishme kulturore dhe qytetare; iii) Të zhvillojnë përgjegjësi ndaj vetes, të tjerëve, ndaj shoqërisë dhe ndaj mjedisit; iv) Të zhvillohen në aspektet intelektuale,etike,fizike,estetike dhe sociale; v) Të aftësohen për jetën dhe për punën në kontekste të ndryshme; vi) Të aftësohen për të nxënë gjatë gjithë jetës; vii) Të përdorin teknologjitë e reja.

Këto përparësi do të realiohen duke pasur parasysh disa parime të rëndësishme, të cilat do të udhëheqin veprimtarinë në fushën e arsimit si: 1: Arsim cilësor dhe gjithëpërfshirës; 2: Sistem arsimor i njësuar; 3: Arsim për jetën; 4: Sigurim i cilësisë së arritjeve sipas standardeve; 5: Decentralizim; 6: Llogaridhënie dhe transparencë; 7: Mbështetje komunitare.

Në Republikën e Shqipëtrisë kanë të drejtë për arsim të gjithë shtetasit pavarësisht nga mosha, përkatësia gjinore apo etnike. Pakicave kombëtare u sigurohet e drejta e arsimimit në gjuhën amtare deri në mbarimin e shkollës 9 vjeçare. Qytetarëve të rritur u krijohen kushte të përshtatshme për marrjen e arsimit të mesëm e të lartë edhe pa shkëputje nga puna. Për t`u ardhur në ndihmë nxënësve, shteti organizon sistemin e bursave dhe të konvikteve. Fëmijët fillojnë arsimin e tyre kur mbushin moshën 6 vjeç, deri në ditën e fillimit të shkollës. Në vitin shkollor 2004/05 në Shqipëri çelën dyert 3350 shkolla publike (93%) dhe 244 jopublike (7%); nga këto: 1624 ishin kopshte (1539 publike + 85 jopublike) me 78.916 fëmijë dhe 3732 edukatore; 1529 shkolla 8 dhe 9 vjeçare (1438 publike + 91 jopublike) me 273.558 nxënës dhe 25.862 mësues; 441 shkolla të mesme (373 publike + 68 jopublike), ku 6337 mësues u dhanë mësim 43.895 nxënësve me kohë të plotë dhe 2260 me kohë të pjesshme.

Në vitin akademik 2004/05 në 15 institucionet e arsimit të lartë (universitete dhe shkolla të larta) në Republikën e Shqipërisë u regjistruan 63.257 studentë, nga të cilët 62.274 në arsimin e lartë publik dhe 983 në atë jopublik; me gjithësej 4144 pedagogë universitar (të brendshëm e të jashtëm). Po në këtë vit shkollor kishte 2200 studentë për 100.000 banorë. Pranë institucioneve të arsimit të lartë organizoheshin edhe studimet pasuniversitare, të cilat përfundonin me dhënien e gradës “Doktor Shkence” (Ph.D.). Në vitin 2003, Republika e Shqipërisë u pranua anëtare me të drejta të plota në “Kartën e Bolonjës”.

Sistemi arsimor në Republikën e Shqipërisë. Në Republikën e Shqipërisë sistemi arsimor përfshinë keto nivele: a) arsimi parashkollor; b) arsimi fillor; c) arsimi i mesëm i ulët; d) arsimi i mesëm i lartë si dhe e) arsimi universitar.