Designed and built with care, filled with creative elements

Top
Image Alt

Departamenti i Ekonomisë dhe Politikave të Zhvillimit Rural

Departamenti i Ekonomisë dhe Politikave të Zhvillimit Rural

Departamenti “Ekonomi dhe Politika të Zhvillimit Rural”, është një departament unik në arsimin e lartë në Shqipëri me programe studimi që i paraprijnë zhvillimit ekonomik dhe social të vendit. Ai ofron programe dhe kryen kërkim shkencor në fusha si Politikat agrare dhe të zhvillimit rural, në ekonomiksin e aplikuar në bujqësi, në administrimin e burimeve natyrore dhe ambjentit, në administrimin e territoreve rurale etj. Ky departament ka programe studimi në nivelin e parë të studimeve Bachelor, në nivelin e dytë të studimeve në master dhe në nivelin e tretë të studimeve në Master Ekzekutiv.

Departamenti përbëhet nga një staf akademik prej 18 profesorësh, lektorësh dhe asistent lektorësh midis personaliteteve më në zë në këto fusha në nivel kombëtar me një eksperiencë të gjerë në fushën e mësimdhënies dhe kërkimit shkencor.

Programet e ciklit të parë Bachelor

Programet e studimeve të ciklit të parë  “Ekonomi dhe Politikat e zhvillimit rural” si edhe “Ekonomiksi i Aplikuar” synojnë pajisjen e studentëve me njohuritë bazë, mbi metodat dhe parimet e shkencore të përgjithshme, si dhe formimin e shprehive të veçanta në:

 

  • fushën e ekonomisë lokale në zonat rurale,
  • politikave publike dhe hartimit të tyre, si edhe
  • strategjitë ekonomike të zhvillimit të zonave rurale dhe rajonale ne nivel mikro dhe makro ekonomike etj.

Programet e studimeve të ciklit të parë realizohen me 180 kredite (ECTS) dhe kohëzgjatja e tyre është 3 vite akademike.

Në përfundim të programeve të studimeve të ciklit të parë lëshohet diplomë universitare “Bachelor” pwrkatwsisht në “Ekonomi dhe Politikat e Zhvillimit Rural” si edhe “Ekonomiksi i Aplikuar”.

 

 

  1. Programet e studimeve të ciklit të dytë “Master i Shkencave” 

Programi e studimit të ciklit të dytëMaster i shkencave” në “Ekonomi dhe Politikat Agrare” i pajis të diplomuarit që zotërojnë diplomën universitare “Bachelor” me njohuri të thelluara teorike dhe praktike, si dhe trajnim për kërkim shkencor të pavarur në fushat e :

  • ndërtimit të politikave dhe planeve të zhvillimit rural, lokal dhe rajonal,
  • politikave të burimeve natyrore dhe përdorimit të tyre në nivel optimal,
  • politikave të organizimit të territorit dhe harmonizimit të zhvillimit të integruar lokal etj.

Programet e studimeve të ciklit të dytë realizohen me 120 kredite, ku përfshihen 30 kredite për projektin kërkimor (mikrotezën) dhe kohëzgjatja normale e tyre është 2 vite akademike. Për tu pranuar në këtë cikël studimi në departamentin “Ekonomisë dhe Politikave të zhvillimit rural”, studentët duhet të kenë dhënë edhe provimin e gjuhës angleze mbi bazën e testeve të njohura ndërkombëtare. Në përfundim të këtij programi të ciklit të dytë lëshohet diplomë universitare “Master i Shkencave” në “Ekonomi dhe Politikat Agrare”

 

  1. Programet e studimeve “Master Profesional”

Programi i ciklit të dytë të studimit “Master profesional” në “Ekonomi dhe Politikat Agrare” u ofron të diplomuarve, me një diplomë universitare “Bachelor”, arsimim dhe trajnim të mirëfilltë profesional. Programi i studimit “Master profesional” realizohen me 120 kredite dhe kohëzgjatja normale e tyre është 2 vite akademike. Në këtë program studimi synohet rritja e aftësive praktike të studentëve për të qenë më pranë kërkesave të tregut të punës, me njohuritë dhe kompetencat e kërkuara. Në përfundim të këtij cikli studimesh lëshohet diplomë universitare “Master profesional” në “Ekonomi dhe Politikat agrare”.

 

3 Cikli i tretë

 

Programet e studimeve të ciklit të tretë janë master ekzekutiv në “Planifikim dhe zhvillim ekonomik territorial i zonave rurale” i cili u hap për herë të parë në vitin akademik 2020-2021, duke e shëndruar kështu departamentit, një ndër të vetmit që ofron një program të tillë studimi në të gjithë arsimin e lartë në vend, si edhe studimet në doktoratë në “Ekonomi dhe Agrobiznes”, që pritet të ofrohet së shpejti, në bashkëpunim me departamentet e tjera pjesë të Fakultetit të Ekonomisë dhe Agrobiznesit. Ato i drejtohen profesionistëve dhe kërkuesve të cilët duan të thellojnë njohuritë e tyre dhe të kontribuojnë në kërkimin shkencor në fushën e Politikave të zhvillimit rural dhe organizimit të territorit.

Masteri ekzekutiv “Planifikim dhe zhvillim ekonomik territorial i zonave rurale” i drejtohet politik bërësve të cilët duan të rrisin njohuritë e tyre me informacione dhe metodologji të reja ne fushën e organizimit dhe zhvillimit ekonomik të territoreve. Ky program studimi i hartuar me mbështetjen e universiteteve evropiane gjermane, franceze, dhe greke, lider në këto fusha, është një program studimi unik në Shqipëri si për sa i përket tematikës që ofron ashtu edhe për sa i përket publikut të cilit i drejtohet. Ky program studimi ka 120 kredite dhe zgjat të paktën 2 vjet. Ne fund të studimeve jepet Diploma Master Ekzekutiv.

Në studimet e ciklit të tretë të ofruara nga departamenti i “Ekonomisë dhe politikave të zhvillimit Rural”, do të pranohen kandidatë që kanë fituar diplomë universitare “Master i Shkencave” dhe që plotësojnë kritere të tjera të përcaktuara në Rregulloret e secilit prej programeve të studimit.

 

Vizioni Departamenti “Ekonomisë dhe Politikave të Zhvillimit Rural” ka si vizion përshtatjen e programeve të studimit dhe kërkimit shkencor me sfidat me të cilat përballen zonat rurale në procesin e zhvillimit dhe integrimit evropian, duke ruajtur standard të lartë mësimdhënie dhe kërkim.

Departamenti i “Ekonomisë dhe Politikave të Zhvillimit Rural” do të përpiqet edhe në të ardhmen që të jetë një qendër kryesore të arsimit, kërkimit shkencor dhe zhvillimit profesional të ekonomistëve, dhe administratorëve të zhvillimit lokal.

Misioni

18  anëtarët departamentit janë të angazhuar në misionin e mëposhtëm:

Departamenti i “Ekonomisë dhe Politikave të Zhvillimit Rural angazhon burimet e tij në përdorimin e analizave ekonomike për marrjen e vendimeve që përfshijnë ndërtimin e politikave bujqësore dhe të zhvillimit të zonave rurale, administrimin burimet natyrore dhe të mbrojtjes së mjedisit, analizën e tregjeve të produkteve bujqësore, si edhe dhe administrimin e territoreve dhe komunitetet të zonave rurale, përmes të mësuarit, kërkimit shkencor, zhvillimit profesional dhe ekselencës.

 

FUSHAT E KËRKIMIT TE DEPARTAMENTIT

  1. Analiza ekonomike dhe vleresimi i impaktit te politikave publike me fokus te vecante ne politikat e zhvillimit bujqesor dhe rural
  2. Analiza dhe vleresimi i faktoreve te rritjes se prodhimit bujqesor
  3. Hartimi dhe propozimi i politikave te zhvillimit bujqesor dhe rural
  4. Vleresimi i efekteve qe nuk kalojne nga tregu
  5. Vlerësimi i efektivitetit ekonomik dhe konkurrueshmërisë së sistemeve dhe teknologjive bujqësore
  6. Veprimi kolektiv ne bujqesi
  7. Analiza e filieres agroushqimore
  8. Te drejtat mbi burimet lokale, reformat e tyre dhe aksesi sipas ndasive gjinore
  9. Zhvillimi territorial, ekonomia e territorit dhe produktet e tij   
  10. Prognozimi ekonomik
  11. Tregtia nderkombetare dhe integrimi i tregjeve bujqesore
  12. Probleme te zhvillimit te bashkerenduar te prodhimit dhe infrastrukturave ne bujqesi.
  13. Bujqesia superintensive si alternative e domosdoshme prodhuese ne rajonet e ultesires perendimore te vendit.
  14. Vleresimi i efektivitetit te perdorimit te burimeve natyrore dhe te ambjentit
  15. Identifikim dhe vleresimi i problemeve social-ekonomike te grupeve vunerabel te shoqerise
  16. Probleme te planifikimit hapesinor
  17. Diagnostikimi dhe analiza e potencialeve te zhvillimit te komuniteteve rurale.
  18. Pengesat dhe politikat e promovimit te eksporteve te produkteve bujqesore
  19. Probleme te zhvillimit te tregut te produkteve bujqesore
  20. Analiza e sjelljes konsumatore
  21. Segmentimi i tregut te produkteve bujqesore dhe vleresimi i impaktit te politikave te ndryshme te marketingut
  22. Tregu i tokes, probleme dhe politika te zhvillimit te tij
  23. Siguria ushqimore dhe modelet e konsumit ushqimor
  24. Zhillimi i tregut te kapitaleve ne Shqiperi
  25. Probleme te politikes monetare dhe fiskale