Designed and built with care, filled with creative elements

Top
Image Alt

Ceremonia e shpërndarjes së titujve “Profesor Emeritus” si dhe diplomat e titujve akademikë “Profesor” dhe “Profesor i Asociuar” – 6.5.2021

Aktivitet i rëndësishëm për Universitetin Bujqësor të Tiranës ishte zhvillimi në muajin maj i ceremonisë së shpërndarjes së titujve “Profesor Emeritus’’ si dhe diplomave të titujve akademikë ‘’Profesor” dhe “Profesor i Asociuar”. Në këtë ceremoni u shpërndanë disa diploma për titujt akademikë “Profesor” dhe “Profesor i asociuar” akorduar nga UBT me aprovimin e Senatit Akademik  në këtë institucion. Aktiviteti i organizuar në ambientet e këtij universiteti u moderua nga zëvendësrektorja për Shkencën dhe Projektet, Prof. Asoc. Dr. Erinda Lika. Në fjalën e hapjes, Prof. Dr. Seit Shallari u uroi mirëseardhjen të pranishmëve në këtë event ndërsa foli për rëndësinë që kanë të tilla aktivitete që nxjerrin në pah dhe evidentojnë vlerat dhe kontributin e dhënë nga njerëz të shkencës dhe jo vetëm.

Personave të mëposhtëm iu akorduan titujt si më poshtë vijon: Zydi Teqja- Profesor; Ariola Devolli- Prof. Asociuar; Albana Halili- Prof. Asociuar; Rezear Kolaj- Prof. Asociuar; Orkida Llollari- Prof. Asociuar; Ines Nurja- Prof. Asociuar; Eglantina Xhemollari- Prof. Asociuar.

Gjithashtu Universiteti Bujqësor i Tiranës i akordoi titullin akademik ‘’Profesor Emeritus’’, Prof. Dr. Lufter Xhuvelit dhe Prof. Dr. Haxhi Alikos. Dy akademikët u vlerësuan me këtë titull miratuar nga Senati Akademik i UBT-së për karrierën e tyre të gjatë, eksperiencën, kontributin e dhënë dhe meritat e dy intelektualëve përgjatë dekadave në fushën e agronomisë dhe mjekësisë veterinare.

Ky vlerësim u dha në shenjë mirënjohjeje dhe falenderimi për kontributin universal që këta profesorë kanë dhënë për Universitetin Bujqësor të Tiranës si në drejtim të edukimit shkencor profesional të studentëve dhe stafit akademik, ashtu edhe në atë të drejtimit akademik të këtij institucioni arsimor.

Ky vlerësim simbolik, siç e cilësoi ndër të tjera Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku akordimin e titullit për të dy profesorët, është një mirënjohje e madhe për secilin prej tyre për punën e kryer, përkushtimin dhe gjithçka kanë bërë jo vetëm në karrierën e tyre profesionale por edhe për vetë Universitetin Bujqësor të Tiranës, pjesë e rëndësishme e të cilit kanë qenë prej shumë vitesh.

Titulli “Profesor Emeritus” për Prof. Dr. Haxhi Alikon u tërhoq nga vajza e tij, Valbona Aliko, në pamundësi për të qenë i pranishëm në këtë ceremoni. Në emër të familjes dhe babait të saj, Valbona Aliko përcolli për të gjithë të pranishmit falenderimet përkatëse për marrjen e këtij titulli dhe për vlerësimin e veçantë që iu bë të atit.

Të pranishmit në këtë aktivitet i përshëndeti me fjalën e tij edhe Prof. Dr. Lufter Xhuveli. Ai përcolli falenderimet e tij për këtë vlerësim për të cilin tha se është titulli më i lartë akademik dhe se ishte tepër mirënjohës për këtë, aq më tepër që ky titull i jepet nga UBT, universiteti ku ai ka studiuar, u kualifikua e më pas dha kontributin e çmuar në mësimdhënie e në drejtimin e këtij institucioni të arsimit të lartë si Rektor për 13 vjet.

Për të pranishmit në ceremoni, ku morën pjesë profesorë e pedagogë, stafi akademik, përfaqësues të Senatit Akademik në UBT, Rektorati i UBT-së, miq e të afërm e familjarë të shkencëtarëve të vlerësuar me titullin akademik “Profesor Emeritus’’ u transmetuan edhe dy reportazhë të shkurtër filmikë në përmbajtje të të cilëve ishte jeta dhe karriera e suksesshme e tyre.

Përshtypjet e tyre për këto figura të shquara në sektorin e mjekësisë veterinare dhe të agronomisë dhanë edhe përfaqësues të UBT-së e respektivisht dekani i FMV, Prof. Dr. Rezart Postoli dhe dekani i FBM-së, Prof. Dr. Ilir Kristo të cilët sollën edhe një herë në vëmendje vlerat dhe kontributin e tyre të paçmuar në fushat përkatëse.