Skip to Content

Burimet ujore shqiptare testohen për prodhimin e birrës: 48 mostra nga 12 burime natyrore

25 shtator 2026 by
Burimet ujore shqiptare testohen për prodhimin e birrës: 48 mostra nga 12 burime natyrore
Web Publikime

A mund të ndikojë uji i burimeve të ndryshme të Shqipërisë në shijen dhe karakteristikat e një birre? Kjo ishte një nga çështjet kryesore të trajtuara gjatë workshop-it të zhvilluar në UBT në kuadër të projektit “Vlerësimi i cilësisë së burimeve ujore të Shqipërisë për përdorimin në industrinë ushqimore”, me fokus të veçantë te mundësia e përdorimit të ujërave natyrore shqiptare në prodhimin e birrës. Projekti është mundësuar dhe mbështetur përmes fondeve të Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI).

Në kuadër të projektit janë marrë dhe analizuar 48 mostra uji nga 12 burime natyrore në Shqipëri, të monitoruara gjatë katër stinëve të vitit. Qëllimi ishte karakterizimi hidrokimik i tyre dhe vlerësimi i mënyrës se si ndryshimet në përbërjen minerale të ujit mund të ndikojnë në procesin e prodhimit dhe në karakteristikat përfundimtare të birrës.

Gjatë workshop-it, Dr. Fatbardha Lamçe prezantoi punën mbi karakterizimin hidrokimik sezonal të burimeve ujore natyrore shqiptare, duke sjellë të dhëna nga 12 burimet, katër periudhat sezonale dhe 48 mostrat e analizuara.

Ndërkohë, MSc. Julian Karajuli u fokusua drejtpërdrejt te ndikimi i përbërjes minerale të burimeve ujore shqiptare në ecurinë e fermentimit dhe në karakteristikat fiziko-kimike të birrës Pale Ale. Puna synon të tregojë nëse ujërat me profile të ndryshme minerale mund të prodhojnë rezultate të ndryshme gjatë fermentimit dhe, rrjedhimisht, birra me karakteristika të dallueshme.

Uji përbën mbi 90% të birrës, ndaj përbërja e tij kimike është një faktor i rëndësishëm në procesin e zierjes së mushtit, fermentimit dhe krijimit të profilit përfundimtar të shijes. Pikërisht për këtë arsye, projekti synon të eksplorojë një potencial ende pak të studiuar: përdorimin e burimeve lokale të ujit si një element që mund t’i japë birrës karakteristika të veçanta në varësi të origjinës së ujit.

Koordinimi dhe realizimi i projektit u mor përsipër nga Prof. Asoc. Dr. Oneida Kyçyk, ndërsa mbështetja financiare e AKKSHI-t ka mundësuar zhvillimin e kërkimit mbi cilësinë e burimeve ujore shqiptare dhe potencialin e tyre për përdorim në industrinë ushqimore.

Përmes analizave laboratorike dhe provave të prodhimit të birrës, studiuesit synojnë të kuptojnë më mirë lidhjen mes origjinës së ujit, përbërjes së tij minerale, procesit të fermentimit dhe produktit final. Rezultatet mund të krijojnë një bazë të rëndësishme shkencore për përdorimin e qëndrueshëm të burimeve ujore vendase në industrinë ushqimore dhe, në veçanti, në sektorin e prodhimit të birrës.